
Peja u nda nga këto ditë festive me premtimin e heshtur se fjala e shkruar do të mbetet gjithmonë një rojtare e pamposhtur e identitetit tonë kulturor, sepse siç na la trashëgim Azem Shkreli: “Kur të vdesish, bëhu pak dhe, bëhu pak gur, se njeriu herët a vonë kthehet te rrënjët e veta” – dhe ky festival tregoi se rrënjët tona janë të ngulitura thellë në kujtesën e pavdekshme të letërsisë.
Nga Emin AZEMI
Kur nis të shkruash për një qytet që mban mbi supe peshën e maleve dhe të historisë, e kupton menjëherë se zhanri i thjeshtë gazetaresk, i ftohtë dhe kronologjik, nuk mjafton. Kronika dështon përpara ndjenjës. Ajo thyhet përpara dritëhijeve të Dukagjinit, aty ku fjala është e para, e para pas buke, siç do të thoshte tradita dhe fryma e këtij trualli që nxori princin e heshtjes dhe të vargut të prerë, Azem Shkreli. Në këtë qytet rrugët dhe njerëzit shpërfaqen si faqe të një libri të hapur të cilin koha e shfleton me dorën e erës që zbret nga Rugova. Këtu, poeti na fton që para se të flasim, të matemi mirë me peshën e dheut, sepse siç shkruante ai: “Mësohu me thënë fjalën e vetme që ke, as më shumë as më pak se aq sa peshon”.
Peja nuk na priti si një dekor i thjeshtë vjeshtor, ajo erdhi si një thirrje shpirtërore, si një zgjim nëpër stacionet e kujtesës kolektive ku vargu nuk shkruhet por jetohet. Përgjatë ditëve të tij, Festivali ndërkombëtar i letërsisë “Peja” dëshmoi një rilindje të vërtetë të ndjeshmërisë njerëzore në një kohë të rrëmbyer nga pragmatizmi dhe harresa.
Nën udhëheqjen e palodhshme të drejtoreshës për Kulturë, Rini dhe Sport të Komunës së Pejës, Xhenet Syka Kelmendi, ky manifestim madhështor u kthye në një urë lidhëse midis kujtesës kolektive dhe krijimtarisë moderne, duke ndriçuar çdo cep kulturor të qytetit nën hijen e rëndë e të dashur të poetit tonë të madh.
Ky event poetik filloi i ngrohtë në ambientet e Galerisë së Arteve, ku zërat lokalë të Pejës deklamuan vargjet e para përmes leximeve të ndjera poetike, duke i hapur udhë një programi tejet të ngjeshur. Dita e parë e manifestimit na kujtoi se letërsia lind nga nevoja për të komunikuar me tjetrin, si një shtegtar që kërkon strehë në shpirtin e tjetrit. Ishte pikërisht ajo ndjenjë e thellë ku miqësia matet me hapa e me rrugë të gjata për t’u takuar nën dritën e fjalës së pastër, siç shkruante dikur mjeshtri: “Nëse miqësinë e mat me hapa, unë kam bërë shumë rrugë për të ardhur te ti”.
Pikërisht në këtë vatër fillestare të arteve u hap edhe ekspozita personale e piktorit tejet të talentuar Akil Dashevci, e titulluar “Përtej shkronjave – Arti si gjuhë e shprehjes”. Ndonëse programi i përgjithshëm i letërsisë po vazhdonte fluturimin e tij, ekspozita e Akilit erdhi si një ngjarje madhore e organizuar me Fondacionin Akili, duke u shpalosur para publikut si një dëshmi unike e triumfit shpirtëror mbi disleksinë. Arti këtu tregoi se kur shkronjat ngatërrohen nëpër udhët e mendjes, shpirti gjen një alfabet tjetër, më të thellë, për të thënë të vërtetën e tij. Veprat e tij plot ngjyra vibrante, si një alfabet pa fjalë, shoqëruan me dinjitet muret e Galerisë përgjatë ditëve të mëvonshme të festivalit, kur mjedisi u bë qendër e promovimeve, përfshirë librin e profesoreshës Naxhije Berbati Kastrati e deklamimet e përzgjedhura nga vetë krijimtaria e Azem Shkrelit.
Ritmi i këtij manifestimi mori një përmasë edhe më të gjerë gjeografike e kulturore përmes pranisë së figurave të shquara të ardhur nga viset mbarëshqiptare. Ndër krijuesit dhe studiuesit letrarë të ftuar posaçërisht për këtë ngjarje spikatën emra si Bislim Ahmetaj nga Tirana, Mark Pashku nga Tuzi dhe Emin Azemi nga Shkupi, të cilët i dhanë festivalit një peshë të veçantë intelektuale dhe nuanca unike të mendimit kritik-letrar. Kjo frymë shkëmbimi u shtri natyrshëm edhe te brezi i ri në Qendrën Rinore “Dardania”, ku Konkursi i poezisë për autorë të rinj mblodhi nxënësit e shkollave të Pejës, duke u kurorëzuar me ndarjen e çmimeve dhe mirënjohjeve nën vlerësimin e rreptë, por dashamirës të komisionit. Këta të rinj dëshmuan se e kuptojnë amanetin e poetit, atë udhën e vështirë të shkrimit që kërkon guxim për të hyrë në botën e madhe të simboleve pa u trembur nga stuhitë e kohës. Ata dëshmuan se zëri i tyre mund të jetë i pastër e i prerë, si ai gur i çmuar i Shkrelit që refuzon të kthehet në pluhur rruge.
Një tjetër stacion magjik dhe tërësisht i shkrirë me traditën u shënua në ambientet e Galerisë dhe të Muzeut, ku tematikat e thella u bashkuan me trashëgiminë. Fillimisht, një panel i pasur diskutimi vuri në qendër të vëmendjes “Rolin dhe ddikimin e grave në letërsi”, ku krahas emrave të njohur, si poetja Naime Beqiraj, E.Azemi, kontribuoi me vlerësimet e saj të mprehta edhe studiuesja e letërsisë Mimoza Hasani-Pllana, duke i dhënë një thellësi të veçantë teorike e kritike këtij komunikimi. Ky debat i hapi rrugën aktivitetit të shumëpritur “Nata në Muze”. Në muret e lashta të Muzeut të Pejës mbrëmja u kthye në një skenë të gjallë ku mysafirët u njohen me veçoritë etnografike dhe ushqimet tradicionale të trevës, nën shoqërimin e pikave muzikore autoktone të interpretuara me mjeshtëri nga SHKA “Halit Kasapolli”, duke krijuar një dialog fantastik ku bisedat e ngrohta e spontane takoheshin me vallet dhe këngën e lashtë, aty ku njeriu kthehet te rrënjët e tij prej guri për të gjetur qetësinë. Këtu ndodhi ajo që poeti e quante takimi me lashtësinë tonë shtëpiake, ku çdo rrudhë në veshje dhe çdo tingull instrumenti mbart peshën e një premtimi të pashkelur.
Gjatë gjithë këtyre ditëve të ngarkuara me art, prania e ngrohtë e të birit të poetit, Valon Shkrelit, ishte një busull shpirtërore për të gjithë. Ai shoqëroi hap pas hapi aktivitetet, takimet dhe debatet, duke sjellë gjallërinë e kujtimit të të atit mes nesh, duke na kujtuar atë dashuri të madhe e të heshtur për vendlindjen që lëshon shtat si pishat e Rugovës.
Pikërisht brenda mureve të Galerisë së Arteve, aty ku drita e festivalit gjeti strehën e saj kryesore, u bë edhe promovimi i vëllimit poetik “Mos i kallxo harrimit”nga poetja Naime Beqiraj. Pas fjalëve të kritikëve Ali Aliu, Emin Azemi dhe shkrimtarit Mark Pashku, promovimi u shndërrua në çaste tejet emocionale, ku salla sikur mbajti frymën përpara një empatie të pastër dhe të dhimbshme të poetes. E prekur thellë në shpirt, autorja kujtoi me zërin që i dridhej disa momente të patreguara për njerëz të çmuar që tashmë i mungonin Pejës, teksa shihte në audiencë familjarë të cilët kishin humbur më të dashurit e tyre, njerëz që mbanin mbi supe peshën e një mungese të përjetshme dhe që gjenin te poezia e Naimes një lloj strehe dhe ngushëllimi shpirtëror. Ky moment prekës dëshmoi se arti nuk shkruhet për të zbukuruar sirtarët.Ai vjen si një klithmë dhe si një përqafim i ngrohtë për plagët që jeta i lë të hapura në qenien tonë.
Ndërkaq, shkrimtaria dhe fotografja shkodrane Rozafa Shpuza solli novelën “Dhjetë ditët e mia të tejpashme”, ku narrativa shkodrane gjeti një strehë plot dinjitet.
E pranishme në të gjitha aktivitetet e këtij festivali, ishte edhe shkrimtarja Shqipe Malushi, e cila prej disa dekadash jeton dhe vepron në SHBA. Me pjesëmarrje e saj në këto ngjarje kulturore, ajo dëshmoi se lidhjet e pashkëputura me Pejën nuk i mban vetëm përmes vizitave familjare, por edhe duke qenë një zë i fuqishëm i përfaqësimit të identitetit dhe dinjitetit shqiptar si në vendlindje ashtu edhe në mëgrim.
Ky event i madh letrar u ndërkombëtarizua plotësisht nga prania e veçantë e zonjës Cheryl Falzon, e cila si Drejtoreshë e Bibliotekës Kombëtare në Valletta ndau me publikun pejan zërin dhe identitetin letrar të ishullit të saj të Maltës, duke dëshmuar se letërsia është një urë e madhe që na bashkon përtej deteve dhe distancave, ashtu si vargu i madh që nuk pranon asnjë gardh gjeografik.
Krejt ky rrugëtim shpirtëror u përmbyll në mënyrë madhështore në ambientet e Hotel Dukagjinit, ku u nda Çmimi i Madh Ndërkombëtar “Azem Shkreli”. Ky trofe prestigjioz iu akordua Akademik Ali Aliut, si një vlerësim i lartë për kontributin e tij të çmueshëm, të gjatë dhe të palodhur në fushën e kritikës, esesë dhe studimeve letrare shqipe. Ishte një çast triumfi për fjalën e bukur, një çast ku u ndie sërish ajo porosia e lashtë që na fton të mbetemi gjithmonë njerëz të fjalës dhe të nderit. Peja u nda nga këto ditë festive me premtimin e heshtur se fjala e shkruar do të mbetet gjithmonë një rojtare e pamposhtur e identitetit tonë kulturor, sepse siç na la trashëgim Azem Shkreli: “Kur të vdesish, bëhu pak dhe, bëhu pak gur, se njeriu herët a vonë kthehet te rrënjët e veta” , dhe ky festival tregoi se rrënjët tona janë të ngulitura thellë në kujtesën e pavdekshme të letërsisë.
Një urë e artë u ndërtua midis modernes dhe kujtesës kolektive përmes një manifestimi që pushtoi çdo hapësirë kulturore të Pejës. Ky organizim dinjitoz u bë i mundur falë punës këmbëngulëse të drejtoreshës Xhenet Syka Kelmendi dhe stafit të saj të mrekullueshëm, duke na rikthyer edhe një herë nën dritën dhe frymëzimin e thellë që na fal arti i Azem Shkrelit.
ObserverKult






Lexo edhe:






