Shtatorja e Skënderbeut do të vendoset në Horën e Arbëreshëvet

Një shtatore 3 metra e lartë, që përjetëson imazhin e heroit tonë kombëtar, Gjergj Kastrioti- Skënderbeu ka mbërritur në Itali. Me nismën e shoqatës “Hora e Skënderbeut“, shtatorja është dhuratë e emigrantëve shqiptarë për arbëreshët. Lajmin e bën të ditur Qendra e Studimeve dhe Publikimeve për Arbëreshët.

Dhurata për arbëreshët bëhet në shenjë mirënjohjeje për kontributin e tyre në ruajtjen e gjuhës, kulturës e traditës arbërore për më shumë se pesë shekuj.

Shtatorja gjigande është vepër e skulptorit nga Prishtina, Gëzim Muriqi. Ajo do të vendoset në sheshin përballë bashkisë në Horën e Arbëreshëvet (Piana degli Albanesi) në Sicili. Inaugurimi i saj do të bëhet më 30 gusht 2024.

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka marrë përsipër financimin e transportit ndërsa stafi i saj ndihmoi në përgatitjen e dokumentacionit të nevojshëm, në mënyrë që shtatorja e Skënderbeut të niset drejt shtetit italian.

Shumë bashkatdhetarë kanë shprehur dëshirën që të bëhen pjesë e kësaj feste madhështore./atsh

ObserverKult


Lexo edhe:

ENIGMA: KU U FSHEHËN ESHTRAT E SKËNDERBEUT?