Lidhja e Kafkës me Milenën: Shkëmbyen pafundësisht letra, por u takuan vetëm dy herë…

kafkës kafka milena

“Ju lutem, bëni të mundur që letrat e mia që kishte Franzi, të digjen të gjitha.” Kjo ishte kërkesa që Milena Jesenska i bëri Maks Brodit në korrik të 1924. Kafka kishte ndërruar jetë prej pak javësh, por ajo nuk i shkruante prej kohësh – qëkur nga senatoriumi mbi malin Tatra, Kafka i kishte drejtuar një “lutje vërtetë përulëse dhe në të njëjtën kohë një urdhër: Mos më shkruaj dhe shmang çdo mundësi që të takohemi.” Vetëm kjo do t’i mundësonte të vazhdonte të jetonte.

Gjithashtu edhe Kafka i kërkoi mikut të tij Brod që t’i digjte të gjitha dorëshkrimet. Siç dihet tashmë, Maks Brodi nuk e respektoi këtë vullnet të fundit dhe historia e letërsisë së nëntëqindës ndryshoi përgjithmonë. Korrespondenca mes tyre mori formën e monologut, si një autoportret i jashtëzakonshëm i shkrimtarit. Së bashku me “Letër babait” dhe letrat e Felices, përbën një dokument thelbësor për njohjen e botës së brendshme të Kafkës.

Por ndryshe nga ç’ndodhi me të tjerat, zëri i Milena Jasenskas mbijetoi. Kjo jo vetëm sepse Kafka në letrat e tij citon disa fraza të saj, por sepse Milena ishte një shkrimtare. Ose mund të bëhej e tillë nëse rrethanat e jetës së saj dhe të historisë do t’ia lejonin.

Bjonde, elegante, e bija e një profesori të pasur të stomatologjisë në Universitetin e Pragës, kishte marrë një arsimim modern në liceun e parë klasik femëror të Europës qëndrore. E rritur me privilegje, ishte e njohur për lirinë dhe antikonformizimin: mbështeste marrëdhëniet lezbike, frekuentonte hotele mizerabël, eksperiementonte me drogërat dhe policia e kishte kapur duke vjedhur në dyqane. Kur Kafka e njohu, nuk kishte një dyshkë në xhep.

Më 1916, në moshën njëzetë vjeçare, Milena kishte nisur një marrëdhënie me Ernst Pollak: dhjetë vjet më i madh, njeri i serës së lartë, donzhuan dhe mbi të gjitha hebre. Për ta ndaluar që të takohej dhe të prishte para me të, babai kishte arritur ta mbyllte edhe në çmendinën e Veleslavinit. Por më kot, sepse sapo u bë mazhorene, Milena u martua me të dhe e ndoqi në Vjenë.

Në majin e vitit 1920 e nxirrte jetën duke çuar valixhe në stacion, duke shkruar artikuj për revistën “Tribuna” dhe duke ofruar leksione gjermanishteje. Mes këtyre, përdorte edhe disa tregime të Kafkës: Milena ishte një ndër lexueset e tij të para dhe admiruesja më e madhe. Tek ai njohu menjëherë gjeniun e ndrojtur, skrupoloz dhe të qetë, që punonte në Institutin e Sigurimeve të Incidenteve të Punëtorëve në Pragë: një njeri i pazakontë dhe i thellë sa shkrimet e tij. Në atë kohë, Franz Kafka po qëndronte në një bujtinë në Merano për t’u kuruar nga mushkëritë.

Milena e përshkruante kështu:

“I gjatë, i dobët, me fytyrë të mprehtë, i bukur, i keq dhe pabesueshmërisht i mirë.” Ishte 38 vjeç, por siç e thoshte vetë, duke qenë hebre e kishte vënë përposht frika dhe ankthi. I fejuar me Julie Wohryzek, edhe pse e dëshironte martesën, ishte gjithmonë në kërkim të justifikimeve për ta shmangur.

Ndërkohë Milena ishte 24 vjeç: edhe ajo ishte e sëmurë, sapo kishte kryer një tentativë vetëvrasjeje e dëshpëruar nga tradhtitë e të shoqit, dhe te Kafka shihte shëmbëlltyrën e jetës së vet.

Nisën t’i shkruanin njëri-tjetrit çdo ditë. Ajo shkrunte letra që i shkaktonin vuajtje dhe frikë, ai shkruante letra obsesive që duhet ta kishin alarmuar, por të cilat në fakt e ndihmuan të kuptonte vetveten. Faqe të tëra me refleksione, projekte të dyshimta, fantazi.

Kafka e shihte shpesh në ëndërr dhe ëndrrat e tij nuk ishin më pak shqetësuese dhe halucinante nga letërsia që shkruante. Letrat që vinin nga Vjena, ishin të mbushura me vetëkënaqësi dhe ironi. Kafka i vlerësonte artikujt e Milenës. Çekishtja e saj i dukej e freksët dhe plotë jetë, ndërsa vrojtimet mbi qeniet njerëzore ishin shumë të sakta. Nuk ishte vetëm dashuria si uragan për atë vajzë të re që e bënte të kishte gjykime kaq bujare.

Sot nga mund të lexojmë kronikat vjeneze të Milenës, vëmë re një paraqitje të gjallë të jetës në kryeqytetin austro-hungarez në vitet e para të pasluftës – e shkatërruar nga mungesa e mallrave, e paqëndrueshme dhe ku çdo gjë dukej aq e pavlerë sa edhe hierarkitë shoqërore ishin përmbysur.

Milena shkruante edhe artikuj më personal: vokacioni i saj ishte të vrojtonte botën duke qëndruar mënjanë, si pas xhamit të një dritareje. Shkruante për martesën, seksin, abortin. Por edhe për filmat. Ishte ndër të parat që njohu fuqinë e kinematografisë amerikane dhe i thuri lavde modernitetit problematik të regjisorëve si Charlie Chaplin dhe Mauritz Stiller.

Milena dhe Kafka, që ajo e thërriste Frank, shkëmbyen një pafundësi letrash dhe telegramesh por u takuan vetëm dy herë.
Të parën, për katër ditë në Vjenë në fund korrikun e 1920-ës.
Kafka e kuptoi se ajo nuk do ta linte bashkëshortin, Milena kuptoi se ai nuk do ta linte sëmundjen e tij, që paradoksalisht e kishte të nevojshme për të jetuar.

Hera e dytë ishte në një hotel të vogël në Gmund, pranë kufirit. Ajo herë zgjati vetëm një ditë, në fund gushti, e mbushur me keqkuptime për shkak të turpit që ndjente ai dhe ndjenjës së fajit që përjetonte ajo.

Por kjo nuk i dha fund admirimit të Milenës për Kafkën. Me vdekjen e tij, shkroi një nekrologji që edhe sot të habit për qartësinë me të cilën përshkruan njeriun dhe njeh madhështinë e shkrimtarit. Nëse do t’i mbijetonte ankthit dhe tuberkulozit, Kafka ndoshta do të kthehej në një mërgimtar të pakuptueshëm dhe qesharak, si zoti Kafka që i mësoi hebraishten Philip Rothit në Newark në vitet ’40.

Ndërsa Milena i mbijetoi ikjes së Kafkës, tradhtive të të shoqit dhe faktit se ishte vajzë e vetme. Nuk u bë kurrë shkrimtarja që dëshironte të ishte. Por ishte diçka më shumë: dëshmitare e katastrofës europiane.
Në fakt, më shumë se artikujt e mprehtë që i pëlqenin Kafkës, sot vlerësojmë “Një ëndërr” i shkruar më 1921, ku ajo, e krishterë, profetizon persekutimin e hebrenjve si edhe reportazhet politike të viteve 1937-1939. Milena rrëfen me kthjelltësi dhe tmerr përhapjen e nazizmit në vendin e saj dhe tragjedinë e refugjatëve – socialistë, komunistë dhe hebrenj – që u kthyen në zezakë të Europës.

Më 1939 nisi të punonte për të larguar nga vendi të gjithë ata që rrezikonin arrestimin apo vdekjen, por u arrestua vetë nga Gestapo dhe përfundoi në kampin e përqëndrimit në Ravensbruck.
E lirë dhe e guximshme, e dashuronte me zjarr jetën: Ishte “e fortë si deti”, sipas përshkrimit të Kafkës. Iu dorëzua vetëm një infeksioni në veshka më 17 maj 1944./ La Repubblica/ Përshtati në shqip Erjon Uka 

ObserverKult

lexo edhe:

A e dini çka është “Nyja Gordiane”?