Përgjigjja e shkurtër:
♦ “Apo” përdoret në fjali me natyrë pyetëse;
♦ “Ose” në pohime të thjeshta.
Përgjigjja e gjatë:
1.
Vihet re që lidhëza “apo” ka filluar të përdoret shumë. Madje aq shumë, saqë po ia zë vendin lidhëzës “ose”.
Në ligjërimin e përditshëm, folësi a folësja e ngre pak zërin kur thotë “apo”.
Lidhëza “apo” përdoret në pyetje me të cilat kërkojmë që dikush të zgjedhë midis dy ose më shumë sendeve, njerëzve a dukurive në përgjithësi. Me sa kam parë unë, ajo përdoret drejt. Për shembull, mund të hasësh shpesh fjali të tipit:
♦ E bëri nga padija apo nga harresa?
Por jo:
♦ E bëri nga padija ose nga harresa?
Kjo lidhëz përdoret edhe në rastin e ligjëratës së zhdrejtë.
P.sh.:
♦ “Do ta lexosh librin sot apo nesër?” pyeti Jonisi.
Në gjuhësi, kjo njihet me termin “ligjëratë e drejtë”. Pra themi fjalë për fjalë atë që ka thënë dikush.
Në ligjëratë të zhdrejtë themi atë që ka thënë dikush, por nga pikëpamja jonë, duke përshtatur edhe kohën dhe gjininë.
Kështu, do të kishim:
♦ Jonisi pyeti nëse do ta lexoja librin sot apo nesër.
Këtu, lidhëza “apo” mbetet njëlloj. Këmbimi i saj me fjalën “ose” do ta bënte fjalinë të pakuptueshme.
☛ Por çfarë ndodh nëse përdorim “ose” në vend të “apo”-së?
Në atë rast do të ndryshonte kuptimi i fjalisë.
Le të marrim një shembull:
a) A të blej mollë ose portokaj?
Këtu theksohet ajo nëse duhet të blejmë apo jo. Përgjigjet e mundshme ndaj kësaj pyetjeje janë ose “po”, ose “jo”, ose “nuk e di”, por në asnjë rast “mollë” ose “portokaj”. Kjo sepse këtu theksi vihet te blerja a mosblerja e ushqimeve dhe jo te lloji i tyre.
b) A të blej mollë apo portokaj?
Këtu theksi bie te zgjidhja midis dy alternativave: mollë dhe portokaj. Përgjigjja ndaj kësaj pyetjeje nuk mund të jetë as “po”, as “jo” dhe as “nuk e di” (siç ishte në rastin e parë), por “mollë” ose “portokaj”.
Në jetën e përditshme, këto dallime janë aq të imëta, saqë nuk vihen re, por si përdorues të kualifikuar të gjuhës duhet të marrim parasysh edhe mundësinë që dikush shprehet edhe në këtë mënyrë. Nuk bën që kjo veçanti e shprehjes individuale të humbë për shkak të mosvëmendjes sonë.
2.
Lidhëza “ose” përdoret në fjali në të cilat pohojmë diçka ose nxisim dikë të bëjë diçka. Shihni këta shembuj:
Gabim: Në çdo vend të tokës, ku ka njerëz të mirë apo njerëz që synojë të mirën, jetesa është më e këndshme.
Saktë: Në çdo vend të tokës, ku ka njerëz të mirë ose njerëz që synojë të mirën, jetesa është më e këndshme.
Gabim: E ftova të rrinte për drekë apo për darkë.
Saktë: E ftova të rrinte për drekë ose për darkë.
Gabim: Jo më kot fola me Filanin dhe jo me Jonisin apo me Xhejmsin.
Saktë: Jo më kot fola me Filanin dhe jo me Jonisin ose me Xhejmsin.
■
[Burimi: “Manuali i Jonisit për përkthimin”.]
ObserverKult
Lexo edhe:
Kujdes: Këto dy gabime po i bëjnë shumica, ja si duhet të shkruhen…