Familja Kadare ka dorëzuar dorëshkrime, foto, shënime dhe krijimtari të kolosit të letrave për t’u restauruar dhe ruajtur në arkivat shqiptare. Fondi i vyer do të ruhet në një pavijon të veçantë të Drejtorisë së Përgjithshme të Arkivave.
Dorëshkrime, shënime, idetë dhe mendimet e hedhura rishtazi në letër ashtu nxitimthi sapo frymëzimi trokiste tek kolosi i letrave shqipe Ismail Kadare do të ruhen në Shqipëri në një pavijon të veçantë të Drejtorisë së Përgjithshme të Arkivave.
E bija e shkrimtarit të ndjerë, Gresa Kadare rrëfen bisedë me të atin për mësuar vullnetin e tij se ku donte që të prehej arkiva e tij.
“Ismailit në Paris, para disa viteve, i janë afruar plot institucione të huaja, shumë ishin franceze. Universiteti i Sorbonne-s, Akademia e Francës, Biblioteka ‘Françoi Miterrand’, që donin të merrnin plotësisht ose një pjesë të arkivave. Erdhi dhe një propozim shumë interesant nga Universiteti i Princeton-it në New York.
E shikoja që Ismaili hezitonte, ishte në mëdyshje, diçka e pengonte dhe nuk ka dhënë përgjigje të qartë. Dhe unë i thashë: ‘Po si e ke menduar? Çfarë do të bëhet me arkivën tëndë? Pse nuk shprehesh?’.
Nuk di tha ç’duhet të bëj sepse unë dua që arkivi të kthehet në Shqipëri. Por, nuk di cilit institucion t’ia besoj. Ai nuk dha përgjigje të prerë. Por, në mënyrë subliminale, vendosa me iniciativën time t’ia plotësoj këtë amanet, duke ju bërë juve besim total. Edhe një herë, është shumë e vështirë t’i besohen qoftë një institucioni serioz gjëra kaq të vyera. Jam shumë e prekur personalisht, që pashë para ca ditëve se Kodikët e Beratit prehen gjithashtu këtu.
Më emocionon ideja që dorëshkrimet e Ismailit do jenë në shoqëri të mirë, pranë Kodikëve të Beratit. Në njëfarë mënyrë, më duket sikur këto janë kolonat e një tempulli tonë të përbashkët që është trashëgimia kulturore e shqiptarëve dhe që duhet ruajtur, jo vetëm si një qenie e ballsamosur” tregon Gresa Kadare.
Dhjetëra dorëshkrime dhe shtypshkrime të gjeniut të letrave shqipe, që la gjurmë edhe në panteonin e letërsisë botërore, do t’i nënshtrohet restaurimit, për të kaluar më pas në procesin e digjitalizimit të tyre.
“Dua të falenderoj veçanërisht familjen e shkrimtarit të madh, Znj. Gresa, Znj. Helena, Znj. Besiana, të cilat vendosën që t’ia besonin Drejtorisë së Përgjithshme të Arkivave ruajtjen e kësaj pasurie deri në çastin që do të vendosin çfarë do të bëhet me të.
Të gjitha këto dorëshkrime janë tashmë pjesë e Drejtorisë së Përgjithshme të Arkivave për ruajtje, për restaurim dhe për digjitalizim, si një hap i rëndësishëm për të mos pasur asnjë lloj problematike me humbjen e pasurive të mëdha kombëtare.
Në këto vite, Drejtoria e Përgjithshme e Arkivave ka pasur dhurime te personaliteteve të mëdha të historisë sonë që nga Lasgush Poradeci, Rauf Fico dhe kështu me radhë. Dokumente, të cilat përndryshe do ishin të strukura në sëndukë që ruhen me më shumë dashuri sesa këtu, por që ruhen me më pak profesionalizëm sesa këtu.” tha drejtori i Arkivave, Ardit Bido.
Mes materialeve të dorëzuara të shkrimtarit Ismail Kadare, bëjnë pjesë dorëshkrimet e veprave: “Spiritus”, “Darka e gabuar”, “Ra ky mort e u pamë”, “Jeta, loja dhe vdekja e Lul Mazrekut”, “Koha e parasë”, “Historia e Lidhjes së Shkrimtarëve”, “Stinë e mërzitshme në Olimp”, “Hamleti”, “Hijet”, “Përbindëshi” dhe “Mosmarrëveshja”.
Po ashtu, janë dorëzuar edhe shtypshkrimet e veprave “Sorkadhet e trembura”, “Aksidenti”, “Ftesë në studio”, “Ëndërrimet” dhe “Mëngjese në Kafe Rostand”. Krahas tyre, gjenden edhe blloqet me shënime të hedhura prej Kadaresë gjatë krijimtarisë, albume me foto të tij familjare, albume nga aktivitete të shumta kulturore, si edhe dekreti i shtetësisë së Republikës së Kosovës./shqiptarja.com
ObserverKult
Lexo edhe:
EDI RAMA: VEPRAT DHE DORËSHKRIMET E KADARESË DO TË RUHEN NË ARKIVIN E SHTETIT