“Të shpëtohet afresku i Shpatarakut”, libri më i ri i Qerim Vrionit

Këto ditë doli në qarkullim në Tiranë përmbledhja e re publicistike “Të shpëtohet afresku i Shpatarakut” i studiuesit të fotografisë, publicistit dhe fotografit Qerim Vrioni. Në të paraqiten shkrime të autorit të botuara gjatë njëzet viteve të fundit në shtypin shqip brenda dhe jashtë vendit.

Botimi ndahet në pesë pjesë, kreu i parë titullohet “Çështje shoqërore”, ku përfshihet edhe shkrimi që i ka dhënë titullin librit. Në këtë shkrim bëhet fjalë për gjendjen e tanishme jo të mirë të afreskut “Apokalipsi” të Kostandin Shpatarakut në Kishën e “Shën Marenës” në Llëngë të Pogradecit. Afresku ose piktura murore (130 cm x 240 cm), është pikturuar në një faqe muri  brenda kishës nga Shpataraku në vitin 1754, pra rreth 270 vite më parë. Ka shumë të ngjarë që kjo vepër të jetë edhe më e vjetra e llojit në trojet shqiptare.

Kreu i dytë merret me “Shënime për libra dhe ekspozita fotografije”, të botuara së pari posaçërisht për raste të caktuara. “Figura të shquara”, emërtohet kreu i tretë, ku shkruhet për personalitete të tilla të njohura në kulturën kombëtare si Ramadan Sokoli (muzikë), Piro Naçe (fotografi), Vangjush Mio (pikturë), Sadri Ahmeti (poezi dhe pikturë), Pano Taçi (poezi), Bajram Sefaj (letërsi dhe publicistikë), Fatos Baxhaku (publicistikë), Luan Mulliqi (skulpturë) etj. dhe për kontributet e tyre të dalluara në fusha të ndryshme

Kreu i katërt titullohet “Nga Fotografia Botërore”, brenda tij trajtohen pjesë nga krijimtaria më e spikatur e fotografëve të njohur Jousuf Karsh (kanadez), Arnold Newman (amerikan), Ara Guler (turk) dhe Hyppolyte Bayard (francez). Këta futen në ajkën e  historisë botërore të fotografisë.

Në pjesën e fundit, janë paraqituar dy intervista të autorit rreth veprimtarisë së tij krijuese në vite. E para e transmetuar drejtëpërdrejtë në seksionin shqip të radios britanike BBC me gazetarin Ilir Kadia, më 9 qershor 2009, ndërsa e dyta e botuar në faqet e gazetës kulturore “ExLibris” me publicistin nga Prishtina, Bajram Sefaj, më 27 gusht 2022.

Ky është libri i tetë i autorit dhe i dyti në fushën e publicistikës.

ObserverKult


Lexo edhe:

QERIM VRIONI: KINEASTI DHE FOTOGRAFI I NJOHUR, AFRIM SPAHIU