Vlora Kosumi-Ismaili dhe Mjellma Goranci-Firzi ekspozuan veprat e tyre në “Maison de l’Albanie” në Paris (Foto)

Në “Maison de l’Albanie” në Paris, dy profesoreshat e Fakultetit të Arteve të Prishtinës Vlora Kosumi-Ismaili dhe Mjellma Goranci-Firzi, prezantuan veprat e tyre të fundit.

Nga Luan Rama

Dy individualitete artistike të veçanta me vepra të punuara me shije dhe elegancë, modernitet dhe vepra të jetës urbane, ilustrime ajrore, krijuar pastër. Tema e gruas e parë në këndvështrime të ndryshme: në jetën bashkëkohore e qytetare dhe nëpërmjet portretit.

Por tek Mjellma Goranci-Firzi është pothuaj i njëjti portret i vështruar në optika të ndryshme, çka duket se disa portrete përbëjnë një, por që ti i shikon me një kënaqësi të veçantë. Për mua nuk ishin thjesht portrete që vështrojnë në jetën tonë bashkëkohore. Të stilizuara me mjeshtëri, ato thonë diçka më shumë, kanë tjetër frymë, atmosferë, që më çonin në një kohë të largët, atë të Rilindjes italiane të shekujve XV-XVI.

I shikoja me rradhë pikturuara veçse me pak ngjyra, kafe, oker, e kuqe, e bardhë apo blu, disi kontrastuese, dhe kujtesa ime pikturale nuk di pse më çonte në disa personazhe të piktorëve si Pisanello, Mosaccio, Masolino, Ghirlandaio me tablonë e tij Lindja e Virgjëreshës apo Fran Angelico me tabonë Thébaide, aq i dashur për Jean Cocteau.

Portrete statike, me hire të përmbajtura që të kundrojnë paqësisht, ku heshtja ka peshë dhe piktura mjeshtëri. Me siguri Mjellma do të habitet me vështrimin tim mbi këto portrete dhe do të thotë se s’kanë të bëjë me Rilindjen italiane, por dhe unë nuk e di pse këto portrete më çuan tek mjeshtrit e mëdhenj. Moderniteti nuk është vetëm në kohën tonë. Mjeshtrit e Renesancës ishin modernë në kohën e tyre dhe mbetën gjithnjë modernë.

ObserverKult


Lexo edhe:

LUAN RAMA: MË MERR FRYMËN KY MALL…