U nda nga jeta, kantautori i njohur shqiptar, Gjergji Peleshi

Gjergj Peleshi

Ndahet nga jeta kantautori i njohur korçar Gjergji Peleshi, në moshën 88-vjeçare.

Peleshi ishte një nga këngëtarët më të njohur të serenatës korçare, madje për shumë vite ka qenë pjesë e Korit “Lira” të këtij qyteti.

Gjergji Peleshi është rritur në një familje, ku serenata korçare është kënduar që në fillesat e saj, këngë të cilat me se shumti i ka kënduar me vëllain e tij, Ilkë Peleshin.

Deri në momentet e fundit të jetës së tij e ka kënduar me shume dashuri serenatën korçare.

Niko Peleshi me mesazh prekës

Kreu i grupit parlamentar të Partisë Socialiste, Niko Peleshi e kishte xhaxha, Gjergj Peleshin, që dje u nda nga jeta.

Niko ka postuar një mesazh prekës në rrjetet sociale, ku thotë se Gjergj Peleshi ishte i fundit që u nda nga jeta nga katër vëllezërit.

Ai shkruan se vdiq një brez që la pas shumë kujtime, vargje, melodi, këshilla dhe vlera njerëzore.

“Gjergji Peleshi ishte një njeri i bukur, i jashtëzakonshëm në të zakonshmen e tij. Edhe kur fjalët iu mbaruan, fliste me këngë, edhe kur zëri iu venit ai këndonte me shpirt.

Serenatat ishin të fundit që mbante mend, si për të na lënë amanetin që serenatat nuk janë për t’u harruar, por për t’u trashëguar brez pas brezi si mesazhe të palcës sonë identitare”, shkruan ai ndër të tjera, teksa ka ndarë një video ku shihet xhaxhai i tij duke kënduar.

Postimi i plotë:

Dhimbjen për humbjen e një njeriu shumë të dashur për mua, xhaxhait tim Gjergji Peleshi, dua ta ndaj sot me të gjithë ata që e njohën dhe ata që dëgjuan këngën e tij. Ishte i fundit që u nda nga jeta nga katër vëllezër, njëri prej të cilëve ishte im atë. Ishte nga të fundit serenatistë të papërsëritshëm të qytetit tonë.

Një gjeneratë që shuhet për të lënë pas kaq shumë kujtime, vargje, melodi, këshilla e vlera njerëzore.

Gjergji Peleshi ishte një njeri i bukur, i jashtëzakonshëm në të zakonshmen e tij. Edhe kur fjalët iu mbaruan, fliste me këngë, edhe kur zëri iu venit ai këndonte me shpirt.

Serenatat ishin të fundit që mbante mend, si për të na lënë amanetin që serenatat nuk janë për t’u harruar, por për t’u trashëguar brez pas brezi si mesazhe të palcës sonë identitare.

Shpirti i bukur i këtij brezi djemsh të Korçës e ka mbushur ajrin e këtij qyteti me aromë dashurie për të bukurën, që nuk shter. Ky shpirt zgjohet sapo prek telat e kitarës që e gjen në çdo shtëpi korçare.

Ndaj, Gjergji Peleshi dhe dhjetra serenatistë të Korçës do të këndojnë gjithmonë me ne, për Korçën, për lulet në dritare, për trëndafilin, për prillin që hyn e qershinë që lulëzon, për natën që Korçën e mbulon, për vajzën që dritaren çeli ngadalë, për diellin kur merr rrugën për në perëndim, për perëndeshën e bukurisë, për syçkat që nuk gjenden në dynja, dhe në fund do të na thonë natën e mirë nga aty lart, ku çlodhen në paqe, të çliruar nga gërmëret tokësore që ndonjëherë ua prishën këngën.

ObserverKult


Lexo edhe:

LËRMËNI TË QETË, MËSOHUNI ME MUNGESËN TIME…POEZI NGA PABLO NERUDA