Maksym Kryvtsov (22 janar 1990 – 7 janar 2024) shkroi poezi qëkur ishte adoleshent, të cilat fillimisht u botuan në përmbledhje – bashkë me autorë të tjerë. Më pas doli me vëllime më vete, që tërhoqën vëmendjen e publikut.
Një nga librat e tij të fundit u cilësua si përmbledhja më e mirë poetikë nga PEN Ukraina.
Poezi të tijat u vunë në muzikë nga grupe të ndryshme muzikore të atdheut të tij.
Më 2014 Kryvtsov ka marrë pjesë në Revolucionin e Dinjitetit, ndërsa kur fillon invadimi rus i bashkohet Forcave të Armatosura të Ukrainës. U vra gjatë luftimeve me forcat ruse.
Maces së tij (që vritet bashkë me të) ia kishte kushtuar një poezi që po e sjell me poshtë. (Interesant, poetët kanë patur gjithnjë tërheqje të veçantë për macet! “Viens, mon beau chat sur mon cœur amoureux” – “Eja macja ime e bukur, mbi zemrën time të dashuruar”, shkruante Baudelaire.)
***
MACJA IME E KUQËRREMTË*
Kur e zë gjumi
shtrin ngadalë këmbët e përparme
ëndërron verën
ëndërron një shtëpi me tulla të padëmtuara
sheh ëndrra me pula
duke vrapuar nëpër oborr
ëndërron fëmijët
të cilët i japin byrek me mish
helmeta më rrëshqet e bie në baltë,
macja zgjohet e sheh vëmendshëm rrotull
njeh të vetët dhe bie sërish në gjumë.
(fragment sipas përkthimit në anglisht nga Christine Chraibi)
Përgatiti: Dashnor Kokonozi
ObserverKult
Lexo edhe: