Puthja (“The Kiss”) është një nga kryeveprat e simbolistit austriak, Gustav Klimt. Tabloja është realizuar me bojra vaji, veshur me fletë argjendi dhe floriri. Realizimi i saj daton në periudhën ndërvitase 1907 – 1908, kohë krijuese që përkon me “Periudhë e Artë” të Klimtit.
Piktura shfaq një çift të përfshirë në një përqafim që kredh tërësoren e tyre mish e shpirt.
Trupat e tyre i mbështjell një veshje solemne e stolisur përmes një stili modern, të ndërlikuar dhe të sofistikuar. Kjo vepër, nga një shqyrtim i gjithëpranuar konsiderohet si kryevepra e periudhës së hershme moderne.
“The Kiss” është emblemë e Gustav Klimt. Një dashuri në ekstazë, të cilës i hidhet mbi lakuriqësi të epshme një mantel i florinjtë, stolisur me një gjuhe mistike përmes një larmie simbolesh, thellësisht erotike. Thua se ka rrëmuar të gjitha kulturat dhe ka nxjerr së andejmi mëtimet abstrakte të simbolizmit që kumtojnë pasionin e zanafillës, elementin bazë të krijimit, seksin.
Trupat përthyen në densitetin e përqafimit. Burri në ngulmin për të dominuar, e ka vënë parfundi objektin e joshjes së tij të epërme. Femra është përthyer në gjunjë, duke ngasur afrinë dhe gatishmërinë për tu dhënë. Shkrehja e saj lexohet në portretin që është fikur në zjarrin e brendisë ku ajo po tretet.
Gjithçka te “Puthja” të është një lojë zjarri ngjyrash dhe grishje përpirëse. Klimt në këtë tablo ka treguar gjithë çfarë përfaqëson vetë postulati i tij, sipas të cilit, “I gjithë arti është erotik”.
Sfida e tij erotike është një përleshje me kohën dhe vetveten si vullnesë çliruese. Gustav Klimt shfaqë çiftin e hudhur në një përqafim intim kundër një sfondi ari, të sheshtë. Të dy figurat janë të vendosura në buzë të një pjese të livadhit me lule që përfundon nën këmbët e ekspozuara të gruas.
Burri vesh një mantel të zbukuruar me modele gjeometrike dhe grafika të tjera delikate. Ai mban një kurorë të hardhisë ndërsa gruaja mban një kurorë me lule dhe edhe me në një fustan rrjedhshëm të lulëzuar.
Fytyra e burrit, qëllimisht nuk i është shfaqur audiencës dhe në vend të kësaj, fytyra e tij është e tendosur poshtë për të ofruar një puthje në fytyrën e gruas dhe duart e tij po ashtu mbështjellin fytyrën e gruas. Sytë e saj të mbyllura në një fytyrë të praruar, shprehin një ëmbëlsi grishëse joshjeje dhe epshi. Një krah i saj i rrethvjen qafës së partnerit si shenjë pranimi dhe dorëzanie. Dora tjetër i jepet një pushimi të butë dhe një gatitje për të marrë çdo rreze të këtij diellimi shkrirës e kësaj epje pasionante.
Albert Vataj
“Puthja” nga Gustav Klimt: Arketipi i ëmbëlsisë dhe pasionit
Piktura “Puthja” e Gustav Klimt është arketipi i ëmbëlsisë dhe pasionit. Kjo skenë drithëruese, shumëngjyrëshe dhe dashurie e dy fytyrave dhe trupave që përqafojnë njëri-tjetrin, ruhet në Muzeun Belvedere në Vjenë, Austri. Megjithëse, qartësisht ekstravagante, kanaca e larë në gjethe të arta nuk e kompromenton rëndësinë e thellë përtej kësaj vepre arti. Ju ftojmë të zhyteni në këtë vepër arti erotike, ambigue dhe mitike për të zbuluar kuptimin magjepsës pas kësaj pikture.
Konteksti
Gustav Klimt e pikturoi ‘Puthjen’ në një çast kritik të karrierës së tij: në mes të një paniku artistik. Ai sapo kishte marrë kritika të ashpra për pikturën e tavanit të Universitetit të Vjenës, ‘Filozofia’, ‘Mjekësia’ dhe ‘Jurisprudenca’. Pikturat u përshkruan si pornografike dhe Klimt kishte rezervat e tij lidhur me vet punën e tij dhe me reputacionin e tij të prishur. Për më tepër, ai sapo ishte larguar nga Suksesioni Vjenez, pavarësisht se kishte qenë ai që e themeloi dhe ku shërbeu si Presidenti i parë i lëvizjes.
Ky grup synonte shkëputjen nga Akademia e Arteve të Bukura dhe të vlerave të tij konservatore. Suksesionistët Vjenez pikturonin “atë që nuk duhej të pikturohej”, duke refuzuar heqjen e elementëve seksual nga veprat e tyre të artit. Ata eksploruan fuqinë e një prekje delikate, të një përqafimi, të një puthjeje, të një lëvizje dhune apo të një skene erotike. Megjithëse, Klimt u largua nga lëvizja për shkak të mosmarrëveshjeve, ai mbeti përfaqësuesi i saj kryesor së bashku me Egon Schiele.
Për më tepër, pas shkëputjes nga Suksesioni, Klimt organizoi ekspozitën ‘Kunstschau’ ku ai prezantoi ‘Puthjen’ për herë të parë në publik. Kjo ngjarje u prit me kriticizëm të fortë dhe përfundoi në një shkatërrim financiar. Megjithatë, pavarësisht kësaj, ekspozita ishte, në fakt, fillimi i suksesit astronomik të ‘Puthjes’. Qeveria Vjeneze e bleu veprën madje përpara se ekspozita të përfundonte, dukje qenë se, u pa si diçka me interes kombëtar.
Zbukurimet
Vepra paraqet një çift të përqafuar, të fshehur pas një manteli të madh të artë. Këto zbukurime të rënda mbrojnë dhe pasurojnë çiftin, duke përsëritur pavdekshmërinë e dashurisë së tyre. Dy pjesë të dallueshme përbëjnë këtë imazh”, pjesa e parë që paraqet një burrë me motive gjeometrike në të zezë dhe të bardhë, që simbolizon fuqinë, virilitetin dhe mashkullorësinë. Ndërkohë që, pjesa e dytë portretizon gruan, ku Klimt përdor lule dhe rrathë për të reflektuar imazhet e feminilitetit dhe të mëmësisë.
Çifti
Burri dhe gruaja janë të vetmet figura në këtë vepër arti, të cilët shfaqen të dorëzuar ndaj dëshirave të tyre, tërësisht të paprekur nga koha apo realiteti. Fillimisht, burri duket sikur dominon për shkak të madhësisë së tij, por këmba e gruas e ekpozuar nën këto zbukurime, sugjeron gjunjëzimin e saj. Rrjedhimisht, nëse ajo do të qëndronte në këmbë, në fakt, ajo do të ishte më e madhe sesa kompozimi i burrit në pikturë, dhe do ta dominonte ajo burrin dhe jo e kundërta.
Ky përqafim mund të shikohet si një autoportret, ku të dashuruarit janë simboli i artistit dhe partneres së tij afagjatë, Emilie Flöge. Megjithatë, figura femërore mund të jetë gjithashtu një nga shumë muzat apo ‘pushtimet’ e tjera romantike të Klimt-it. Duke qenë se, Klimt punonte me shumë intensitet, ai i dashuronte edhe gratë gjithashtu me shumë intensitet dhe gjatë jetës së tij ka pasur shumë të dashura.
Përqafimi
Si shumë vepra arti të Klimt-it që paraqesin përqafimin, ‘Puthja’ fsheh fytyrën e burrit dhe në vend të kësaj fokusohet tek gruaja. Në këtë vepër arti, shprehja e fytyrës së gruas së re dhe sytë e mbyllur evokojnë njëherësh ndjenjat e braktisjes, të ekstazisë dhe të kënaqësisë. Megjithëse, pozicioni i burrit që po e përqafon atë mund të duket si e futur, mënyra se si duart e tij mbajnë me ëmbëlsi fytyrën e gruas, evokon ndjenja ëmbëlsie dhe ngrohtësie. Të dashuruarit shfaqen në një përqafim të pathyeshëm, pavarësisht faktit që ata janë të gërshetuar në një shtrat lulesh, ata janë gjithahtu në tehun e një humnere, duke kërcënuar për t’u zhdukur përgjithmonë.
Faza e artë
Piktura ‘Puthja’ përbën kulmin e fazës së artë të Gustav Klimt, ku zanati i babait të tij si një arpunues nxitën tek Klimt, shijen e tij për këtë element. I mirënjohur me këtë zanat, Klimt e përdori veshjen me ar tek ‘Puthja’, ku sfondi drithërues verpon si një mbështjellëse e artë e të dashuruarve. Qoftë për shkak të përdorimit të arit, apo të subjektit të guximshëm, ‘Puthja’ është një vepër arti ngërthyese dhe shokuese për të gjithë ata që kanë privilegjin për ta parë atë me sytë e tyre.
Përktheu: Enkeleda Suti
ObserverKult
Bledar Kurti: “Puthja” e Klimt
Romeo – Si një besnik i urtë, bëj një faj,
Po buzën e kam gati si fetar,
Me puthje të ëmbla, mëkatin të ta laj …
Mëkat nga buza ime? Ç’fjalë e çmuar!
Ma jep prapë, të laj mëkatin e formuar.
Zhuljeta – Puthke mbas librit, si i mësuar!
Puthja e ka shoqëruar njerëzimin në çdo hap, simbol, kulturë, letërsi, pasion, tradhti si e ajo e Judës, e padyshim në art. E kryejmë këtë akt njerëzor çdo ditë, por kur ndalemi e mendojmë apo flasim për të, menjëherë përfytyrojmë veprën Puthja (1908), nga Gustav Klimt (1862-1918).
Kjo tablo, në formën e një katrori barazbrinjës prej 1.8 metra, e ndodhur në muzeun Belvedere të Vienës, është ndër më të njohurat në mbarë botën, dhe e bëri Klimt-in tejet të njohur pas mesit të shekullit të njëzetë. Ashtu si kjo pikturë edhe vetë krijuesi i saj ishte tejet i veçantë.
Në Vienën aristokrate, në vendin e saloneve të arta, e të atmosferës perandorake, Klimt vishej me sandale, mbulohej me një rrobë murgjish ngjyrë blu, të varë gjer tek këmbët, nuk mbathte të brendshme, dhe kishte një mjekër të trashë dhe me flokët tullë në majë të kokës. Por kjo ekstravagancë nuk ishte vetëm në paraqitje. Ai kishte një oreks të egër seksual dhe një magnetizëm fizik si edhe një “ndjesi të fortë kafshërore” dhe i përdorte femrat dhe modelet e tij si t’ia kishte ënda.
Klimt njihet si një ndër etërit e modernizmit vjenez dhe një shembull motivues për artistët e rinj në revoltën kundër vlerave të brezit të vjetër. Si një anëtar i Lëvizjes Separatiste në Austri, dhe pionier i simbolizmit, një zhanrë europian artistik i karakterizuar nga motive mistike, me një qasje personale ndaj arteve pamore dhe një estetikë e ngjashme me lëvizjet e artit të ri, të njohur si Art Nouveau, Gustav Klimt shpalosi një qasje avangarde ndaj pikturës. Stili i tij veçantë është i dukshëm në veprën Puthja, e cila u pikturua gjatë periudhës së tij të shkëlqyer e njohur si “Periudha e Artë”.
Vepra Puthja përban dy figura, një mashkull dhe një femër, të mbështjellë në një përqafim të artë. Të dyja figurat janë të ndërthurura simbolikisht teksa përballen me humnerën e përsosmërisë. Figura mashkullore e dominon këtë tablo. Me plot forcë e pasion, mashkulli e shtrëngon me egërsi femrën, ndaj edhe figurat nuk janë në qendër të tablosë por janë të anuara në të djathtë të pamjes duke ilustruar dhunën pasionante të epshit dinamik të mashkullimit. Si një çift që bën dashuri plot pasion në cep të shtratit e jo të shtrirë ftohtësisht në qendër. Këmbët e femrës janë të varura tek skaji i greminës ndërsa dora e saj e djathtë mbahet tek qafa e mashkullit, i cili me ngjyrë të errët të lëkurës dhe flokëve e puth me egërsi.
Femra duket e dorëzuar. Ajo ka lëkurë të bardhë dhe buzë e mollëza kuqaloshe. Me pozën e saj erotike, me dorën e majtë që ledhaton dorën e mashkullit, dhe linjat trupore joshëse, ajo paraqitet si një pre seksuale. Asnjë vepër tjetër e mëparshme nuk mbart kaq shumë epsh. Asnjëherë më parë arti nuk e kishte shpalosur fytyrën e tij erotike si në këtë tablo. Kjo vepër e ilustron më së miri fjalën dëshirë, e cila vjen nga latinishtja desidera, që do të thotë, mungesa e yjeve. Pasi marinarët humbnin drejtimin në mes të detit kur netët ishin pa yje, ata endeshin kuturu pa asnjë orientim. Ai moment ishte desidera, pra përhumbje. Edhe kjo tablo është pa orientim yjesh, por një deklaratë e gjallë e pasionit, i cili të ysht edhe pse gjendesh në skaj të greminës. Ndaj edhe Klimt e titulloi këtë vepër Dashnorët dhe jo Puthja, pavarësisht se ne e njohim kështu.
Forca dominuese e mashkullit dallohet edhe nga mbulesa e fuqishme me blloqe drejtkëndore të zeza dhe gri, të cilat janë shenja falike mashkullore, që zbuten nga rrathët shumëngjyrëshe të veshjes së femrës, të cilat, ndryshe nga blloqet mashkullore shpalosen me forma rrethore motivesh të luleve të ndezura që shkrihen me linja që rrjedhin për nga lart. Veshja e femrës është e ngushtë, për t’u dalluar më mirë linja e trupit të saj. Nga rrobat e krijuara artistikisht rrjedh një shi i artë që bekon tokën pjellore poshtë tyre, me bar jeshil e lule shumëngjyrëse. Puthja është dashuri, na shpreh Klimt përmes kësaj vepre, dashuria është vetë natyra, ndaj edhe erosi është mëse i natyrshëm.
Për shkak të eroticizmit të dukshëm në këtë vepër, shoqëria post-viktoriane në Britani, e më gjerë, nisi ta konisderonte atë si pornografi, edhe pse figurat janë plotësisht të mbuluara. Por, pavarësisht kësaj tabloje epshore, qeveria austriake e bleu atë që përpara se të përfundonte, duke paguar një çmim prej 25,000 korona ($240,000 në ditët e sotme), ndërkohë që një vepër tjetër e Klimt, Portreti i Adele Bloch-Bauer I u shit në vitin 2006 me vlerën 135 milionë dollarë.
Vijmë tek sfondi i artë i tablosë. Jo vetëm mbulesa e përqafimit por edhe sfondi është prej ari. Në vitin 1903, Klimt udhëtoi dy herë në Ravena, Itali, ku pa mozaikët e San Vitale, të cilat me elementët e tyre bizantin ndikuan në krijimtarinë e artistit, në atë që njihet si “Periudha e Artë.” Por frymëzimi nga veprat bizantine të rrethuara me ar vinte edhe nga e shkuara e vetë Klimt, i cili vinte nga një familje me baba dhe vëlla argjendarë. Interesimi i Klimt në periudhën bizantine simbolizonte gjithashtu edhe një lëvizje drejt një stabiliteti më të madh, përmes formave statike dhe jo organike: në kërkim të një strehe të eksplorimit artistik të fuqisë instinktive të Greqisë së lashtë arkaike.
Klimt tërhiqej shumë prej miteve dhe simboleve të Greqisë primitive, të cilat përfaqësonin jetën e instinktit dhe dëshirat përpara arsyes, ende të pakufizuara nga klasicizmi. Ndaj, sfondi i artë, duke mos treguar një kohë dhe një vend, simbolizon hapësirën dhe heqjen e kufijve të kohës midis primitives dhe modernes, duke unifikuar kështu instinktin bazë të njeriut, pa arsyen, thjeshtë dëshirat bazike dhe epshore të pacensuruara.
Parë në kontekst më të gjerë, Klimt jetoi në Vjenën e Sigmund Freud dhe nën ndikimin e tij përmes librit të botuar në vitin 1899, Interpretimi i Ëndrave, dhe me teoritë e tij të seksualitetit dhe psikoanalizës. Klimt duhet të jetë ndikuar edhe nga vepra e Nietzsche, Lindja e Tragjedisë. Këto ndikime të mendimtarëve të shquar të kohës vërehen tek veprat e Klimt-it në aspektin e shpalosjes iracionale të fytyrës së njerëzimit dhe përdorimit të formave seksuale si motive artistike.
Me të përfunduar vepra Puthja, Vjena kishte tashmë një princ të ri në art. Kjo tablo, ndryshe nga veprat e tjera të Klimt, që shkaktonin gjithmonë skandale, u prit me entuziazëm të madh dhe u shndërrua në simbolin e kryeqytetit austriak. Por, Puthja, prej dekadash të tëra, shkaktoi debate mbi qëllimin e artistit. A ishte ai në të? A është mashkulli në tablo përshkrim i autorit, dhe a është femra në atë pikturë dashnorja e tij e përhershme Emilie Flöge? Apo mos ndoshta Klimt e pikturoi këtë vepër si një alegori, një tablo univesale pasioni që shpalos instinktin njerëzor bazik?
Pas shumë spekullimesh, gjatë kohëve të fundit u botuan shënimet e një ish modeleje në salonin Flöge. Sipas saj Emile shihte tek piktura veten e saj dhe Klimt-in. Dhe gjithashtu doli në dritë një bllok vizatimesh e vitit 1917 në të cilin gjendet një skicë e dy dashnorëve të përqafuar, dhe anash ka emrin “Emilie” të shkruar me gërma të mëdha.
Emilie, një stiliste veshjes, ishte dashnorja e artistit për njëzetë e shtatë vjet, por ata nuk u martuan kurrë. Gjatë të gjithë jetës së tij, Klimt mbeti një beqar plot pasion për femrat. Ai pati shumë lidhje me femra, zakonisht modele, dhe ishte baba i tre fëmijëve të cilët i mbështeste financiarisht. Pas vdekjes së tij, katërmbëdhjetë femra pretendonin se kishin fëmijë me të.
Në të gjitha tablotë e tij, Klimt i shpalos femrat me një natyrë tjetër nga ç’ishin përshkruar më parë. Dhe, kjo vinte edhe si rezultat i marrëdhënieve që ai kishte me to. Për shkak se nga njëra anë ai jetonte si beqar i vetëm me nënën dhe motrën, dhe nga ana tjetër si joshës pasionant ndaj femrave, figurat femërore në artin e tij përbajnë elemente mëmësie por nga ana tjetër përdorimin e tyre si objekt seksual.
Klimt i pikturoi femrat si femme fatale, krijesa joshëse dhe misterioze, me magjinë e të cilave zënë në kurth dashnorët e tyre, shpeshherë duke i drejtuar ata për nga situata të rrezikshme dhe vdekatare, ashtu siç vërehet edhe tek Puthja, në të cilën çifti është në buzë të greminës.
Gjatë jetës së tij, Klimt la 2,000 vizatime dhe skica, kryesisht nudo. Pasionet e tij të errëta shpalosen nga vizatimet e pozicioneve gjenitale frontale, lezbismi, orgjia, etj, që gjenden në to, duke na treguar tematikën pasionante të artistit në ndjekje të lumturisë erotike. Në të gjitha veprat e tij, femra paraqitet si objekt seksual, në dispozicion të mashkullit. Por, parë nga këndvështrimi feminist, shumë studiues e interpretojnë këtë liri dhe ekspozim të ekzagjeruar të trupit femëror si liri e atyre femrave dhe çlirim nga vargonjtë e moralit borgjez.
Pra, Puthja, është një instinkt primitiv pasioni midis artistit dhe të dashurës së tij, por nuk duhet harruar se nuk mund të arrijmë të gjejmë një ngjashmëri të Emilie në figurën e femrës, dhe aspak ngjashmëri të vetë Klimt-it në figurën e mashkullit, kësisoj kjo vepër mund të merret si një tablo alegorike, një simbol i pasionit të mbarë racës njerëzore. Vetë Klimt, u shpreh kështu:
Nuk ka asnjë autoportret timin. Nuk jam i interesuar në veten time si ‘material për pikturë,’ përkundrazi jam i interesuar te të tjerët, sidomos femrat, e madje më shumë edhe në fenomenet e tjera. Jam i bindur se si person nuk jam aspak interesant. Nuk ka asgjë të veçantë për t’u parë në mua. Unë jam piktor, dikush që pikturon çdo ditë nga mëngjesi deri në mbrëmje.
Ndaj vepra Puthja duhet parë universalisht. Edhe ne sot, mund të gjejmë veten sipas gjinisë në këtë tablo, dhe ndoshta ky ka qenë qëllimi i Klimt-it, duke pikturuar një pasion të zjarrtë të dy figurave pa fytyra të qarta, pasi ato fytyra mund të jenë tonat. Ndaj, i dashur lexues tani që e mbarove së lexuari këtë shkrim dhe shko e dhuroi një puthje të dashurës apo të dashurit tënd, dhe nëse të kërkohet shpjegim se nga të erdhi ky hov i papritur, jepi këtë përgjigje: Puthja e Gustav Klimt, ajo e ka fajin./exlibris
ObserverKult