Yjet nuk vriten me plumba
Recensë e romanit “Velloja e Kryqëzuar” e autorit, Prend Ndoja
Nga: Dr. Migena Arllati
Kosova, me historitë e shumta të dala nga rruga e stërmundimshme drejt lirisë, vazhdon të gjallërojë pandalshëm kreatura të shumta artistike të cilat jo thjesht faktojnë, por edhe rindërtojnë dimensionin e dhimbjes.
Për shqiptarët e Kosovës, lufta e vitit 1999 është një plagë e pambyllur, një vuajtje që qëndron në popull brenda vetes si një lëkurë e dytë. Vuajtja është në ne. Dhe sado që tani lufta është 25 vjet larg, një e vetmja fjalë e rrëfyer për atë kohë, na prek dhe bën të na dhemb sërish po aq shumë sa ato muaj e vite kur kishte gjak, gjak, shumë gjak… deri në theqafjen e pushtuesve në fund të shekullit që shkoi.
Rrëfimet e panumërta të njerëzve në Kosovë, lidhur me ngjarjet tragjike të luftës dhe zhvillimet para saj, vazhdojnë edhe pas gati tre dekadave të shkaktojnë efekt tronditës. Plagët dhe dhembjet e popullatës, jo vetëm nuk janë mbyllur, por në vazhdimësi vëmë re se faktet e shumta që detajizojnë ato kohëra kanë nisur të ndërrojnë trajtë, dhe nga rrëfime personale apo kolektive, gjithmonë e më shumë po kthehen në lëndë artistike, si: në trajtën e subjekteve letrare, pjesëve teatrore, përmbajtjeve muzikore, paraqitjeve figurative etj.
Autori Prend Ndoja, me titullin “Velloja e kryqëzuar”, na sjell një roman të shkëlqyer për qëndresën, luftën, ankthin, dhimbjen, dhe për lirinë e çmimin e lartë me të cilin u pagua ajo.
Me një realizëm rrëqethës, autori pasqyron përpjekjen sublime të njerëzve të pafajshëm për të jetuar të lirë, e në kuadër të kësaj jete, të synojnë dashurinë dhe të mirat e saj. Në të gjithë romanin, lexuesi sheh, dëgjon, përjeton me fuqinë e të gjitha shqisave, gjithçkanë e zhvilluar. Estetika me të cilën është ndërtuar me mjeshtri ngjarja e fragmentarizuar në pjesëza, të detyron të përjetosh subjektin në tërësi si një bukuri të dhimbjes, si një lojë epike ndërtuar mbi fatin tragjik të individëve që përfaqësojnë fatin e gjithë hapësirës së Kosovës.
Është ky tregimi për ne, shqiptarët e Kosovës, për përplasjet dramatike në vitet ’90-të, në gradacion rritës dhe shpërthyes në dy vitet e fundit të dekadës ku gjithçkaja mori formë tragjike. Një tregim ku nga njëra anë, dashuria lind, ushqehet, përkëdhelet dhe çmohet me gjithë fuqinë e shpirtit, e nga ana tjetër, shkelet, dëmtohet, gjakoset e vritet me gjithë potencialin dhunues e shtazarak që mund të përmbajë një shpirt (i ashtuquajtur) njerëzor.
***
Autori nga Kosova, Prend Ndoja, na sjell një rrëfim krejt të veçantë për peripecitë, ankthin dhe dhunën nëpër të cilat kaloi Kosova dhe njerëzit e saj para dhe gjatë luftës së fundit. Përmes fatit të dy të rinjve të njohur mes tyre që kur ishin fëmijë, të përfshirë në vorbullën e pamëshirshme të përndjekjeve dhe të luftës, shpërfaqen dimensionet e tmerrshme të gjithë asaj katrahure me të cilën u përballën shqiptarët e Kosovës: egërsia e pushtuesit serb, terrori ndaj popullatës vendase, përkushtimi i veprimtarëve të shumtë, vendosmëria e luftëtarëve për të mbrojtur vendin me armë, heroizmi i paskajshëm i burrave e grave, dhe vetëmohimi sidomos i grave në përballje me ruajtjen e nderit personal dhe të familjes përballë barbarëve të policisë dhe ushtrisë së etur për të vrarë, djegur e dhunuar gjithçka.
Djali (Lisi) dhe vajza (Era) duhen me një idealizëm të qashtër e përkushtim të thellë, ndërkohë që Kosovës i afrohet gjithnjë e më shumë ora e saj më e ligë. Me gjithë ëndrrat dhe dëshirën e pakufishme të dy heronjve për mbijetesë, gjaksorët janë të tillë që shkretojnë kudo ku vënë këmbën. Vello e brishtësisë dhe pafajsisë së dy të rinjve të dashuruar, në nisje është një synim përtej romancës. Ajo mbetet deri në fund një vello e bardhë duke i dhënë dashurisë vlerë hyjnore, edhe përtej jetës. Pavarësisht se të gjitha rrethanat e krijuara më vonë nuk lënë vend për asnjë shenjë nusërimi dhe realizimi të jetës së tyre çiftore, kulmon qartë porosia e mbrojtjes së nderit me të njëjtën fuqi si për mbrojtjen e identitetit. Që të dyja këto, nderi dhe identiteti, duhen mbrojtur me jetë!
Vala e shkrimit romanor zgjerohet në veprime e në hapësirë. Lisi, i detyruar të largohet nga Kosova për shkak se ka rënë në sy të policisë serbe e cila së shpejti do t’i kanoset me arrest dhe burgim, merr me vete gjithë dashurinë e vajzës së ëndrrave të tij jetësore, Erës. Nga ana tjetër, zemra e Erës është aq e dlirë sa s’ka regjim e pushtet ta ndajë nga gjysma e zemrës së saj, që tashmë detyrohet të largohet përtej oqeanit. Sa më e madhe largësia, aq më e fuqishme dashuria. Dy qeniet tashmë kanë vetëm një zemër për të cilën janë në gjendje edhe të vdesin.
Paralelisht me gjithë trajtimin e rrëfimit, autori shfaq me mjeshtëri një lëndë prozaike të organizuar qartë. Dy të dashuruarit do të kujdesen deri në detaje për finalizimin e lidhjes së tyre. Pasi i japin besën njëri-tjetrit, pasi marrin bekimin e familjeve, ata shkojnë të porosisin vellon e cila këtu nuk simbolizon thjesht ditën e martesës, as vetëm nusen e veshur me ta bardha, por pastërtinë dhe dlirësinë e gjithçkaje në veten e tyre, përfshirë këtu edhe kodin moral shqiptar të besës dhe pastërtisë ndjesore, fizike e morale. Pikërisht kjo dlirësi i bën të jenë heronj të ditë-netëve më tragjike që përjetoi populli i pafajshëm.
Situatat e njëpasnjëshme, të vendosura në sup të njëra-tjetrën, i referohen ndodhive ngado vendit, sidomos gjatë viteve të paharrueshme 1998 – 1999, në 18 muajt më dramatikë të historisë së Kosovës. Të tilla janë ngjarjet për familjarët e Lisit dhe Erës, vdekja me akt të dhunshëm e babait të Lisit, vrasja e nënës mbi varrin e tij, djegia e shtëpisë… të tilla veprime, pra krime të ushtrisë serbe, ndodhnin në çdo cep të Kosovës, ndaj autori nuk ka se si t’i shmangë personazhet e tij nga ajo llavë e dhunshme që kaploi tërë vendin që lufta e bëri shkrumb e hi, ndërkohë që fushave e maleve iknin mijëra njerëz që Serbia i dëbonte nga vendbanimet, ku nuk kishte të ndalur plaçkitja dhe djegia e shtëpive, e gjësë së gjallë dhe gjithçkaje që kishin, ku njerëzit dhunoheshin e vriteshin para syve të më të dashurve, e të gjitha këto tmerre ishin të planifikuara si “procedura” poshtrimi të papërshkrueshëm me të cilin i detyronin për të lënë votrën e tokën e tyre. E vetmja gjë e mbetur te të shkretët njerëz ishte shpirti.
Pikërisht, me shpirtin plot ëndrra dhe dëshira, me të mbaruar lufta, Lisi vjen në Kosovë. Ai ka lënë aty gjithçka: fëmijërinë, prindërit, shtëpinë, e mbi të gjitha dashurinë e jetës, Erën, me të cilën ndjehet i lidhur deri në përjetësi. Kthimi do ta përballë me më të paimagjinueshmen dhe më të padëshirueshmen. Tre varret e njerëzve më të dashur të jetës pllakosin në të ndjenja të forta dëshpërimi. Lotët dhe vaji i burrit kulmon mbi varrin e Erës me çjerrjen e faqeve dhe nxirjen e tyre me dhé. Ato janë e vetmja mënyrë për të nxjerrë jashtë mllefin i cili e ka kapluar në këtë gjendje nga ku tashmë është i pafuqishëm të ndërrojë diçka.
Gjatë gjithë kohës në Amerikë ai ka jetuar me ankthin e përditshëm për fatin e Erës, prindërve dhe të tjerëve që përpëliteshin në zjarrin e luftës, gjë e cila u bë edhe më e vështirë kur linjat telefonike dolën jashtë funksionit. Tashmë që ka ardhur momenti i lirisë, në vend që të përqafohet me ëndrrimet e pafundme për lumturinë e jetës, djaloshit i duhet të kuptojë se ç’pasoja la mungesa e çdo ndjesie njerëzore e organeve të pushtetit gjakatar ndaj njerëzve të pambrojtur e të tmerruar. Gjuha autoriale sjell me një qartësi të hatashme rrëfimin rrënqethës për dramën tronditëse shpirtërore të personazhit.
Libri është shkruar mjeshtrisht. Në mes të rrëfimit që të çon zemrën peshë dhe, në momentin kur lexuesi kredhet në pellgun e trishtimit, autori përmes detajeve e nxjerr atë në breg të shpresës: shtëpia është djegur tërësisht por aty ka mbetur një shtyllë ku ai (Lisi) vuri fillimisht krahun e mandej mbështeti tërë trupin… Gjë që nënkupton se ajo ngrehinë do të ringritet një ditë dhe do të mbushet patjetër me njerëz e me jetë.
Nuk është detaj por element i fuqishëm “ardhja” e Erës në përgjumjen e Lisit me veprime të realta, një simbolikë e fuqishme e komunikimit shpirtëror. Paralelizmi metafizik i ndërfutur disa herë nga autori, e bëjnë Erën të jetë sërish e gjallë dhe krah të dashurit të saj. Ajo nuk lejoi që dora dhunuese t’ia shëmtojë trupin dhe t’ia nxijë nderin, ndaj i ka të gjitha të drejtat morale të quhet Heroinë e dashurisë dhe Heroinë e Lirisë. Kjo e bën atë një protagoniste të fuqishme. Ndaj, rapsodi do të ndërtojë vargje e do të këndojë krenueshëm si për një shqiponjë të Dardanisë. Fustani i saj i nusërisë mbetet përjetësisht një ëndërr e bardhë, gjë të cilën ajo e paralajmëron në letrën e fundit: “…Besën time nuk do ta tresë dheu. Edhe nga bota tjetër do ta gjej mënyrën të të tregoj praninë time, dashurinë time që nuk fiket kurrë…” Forca e mbrojtjes së moralitetit nga ana e vajzës deri në vetëmohim rindërton legjendën e re të besës së dhënë ku dashuria merr vlerë hyjnore.
Në shtjellimin e ngjarjeve dalin edhe personazhe të tjerë, si: familjarë, bashkëfshatarë, mësues, ushtarë dhe prijës të UÇK-së, secili nga ta të përballur në mënyra të ndryshme me demonin vrasës dhe traumat kolektive të një robërie të gjatë.
***
Meqë edhe vetë isha dëshmitare e atyre kohëve të flakëta, unë edhe sot e kësaj dite, pavarësisht kalimit të viteve, nuk mundem kurrë të mos iu jap vëmendjen time të plotë këtyre rrëfimeve, herë dramatike e herë tragjike. Kam lexuar plot libra për luftën në Kosovë, por ky është një libër krejt i veçantë në aspektin e emocioneve tronditëse që të ngjall.
Romani “Velloja e kryqëzuar” mund të quhet histori e një epoke të dhimbshme, dhe si i tillë kthehet në ndriçues për udhën e vështirë dhe të përgjakur të popullit tonë të shumëvuajtur në synimet drejt lirisë. Sot, harta e vendit është e mbushur me histori dëshmorësh dhe viktimash civile të luftës. Rrugët dikur të përgjakura, shtëpitë e djegura, njerëzit e vrarë a të djegur së gjalli, kufomat e kidnapuara, dhunimet e përdhunimet, janë copëza të një tërësie që as e tret dheu dhe as e harron koha. Dhembja, trishtimi tashmë janë pjesë e pandarë e çdo rrëfimi nga ajo kohë, qoftë në prizmin real, qoftë në atë artistik.
Punën e realizuar në këtë vepër nga autori Prend Ndoja e konsideroj një dokumentim artistik të vuajtjeve të një populli të rrezikuar seriozisht. Ky subjekt e bën librin që bashkërisht me të gjitha historitë e shkruara deri tani, një ditë t’i rreket procesit të sintetizimit të veprave me temë nga përpjekjet për mbijetesë prej barbarëve serbë, të një populli të shumëvuajtur, siç janë shqiptarët e Kosovës.
Fuqisë së të drejtës së shqiptarëve për të jetuar të lirë në trojet e tyre, gjithmonë e më fuqishëm po i bashkohet fuqia e artit dhe e kulturës për t’i dëshmuar botërisht të vërtetat e hidhura që ka përjetuar ky popull. Vepra të tilla duhet patjetër të përkthehen për t’i folur njerëzimit për të vërtetat e hidhura të ndodhura në kohërat moderne, në mënyrë që historia të mos përsëritet.
Gjakovë, 7.7.2024
ObserverKult
Lexo edhe: