Ora e shkrimtarit/ Gëzim Aliu foli për gjuhën, njeriun dhe imagjinatën në letërsi

ora e shkrimtarit gëzim aliu

Organizuar nga PEN Qendra e Kosovës, sot në ambientet e Institutit Albanologjik të Prishtinës u mbajt takimi Ora e Shkrimtarit me Gëzim Aliun.

“Ora e shkrimtarit e ka për ide kthimin e vëmendjes te autori, ashtu që ai vet ta prezentoj veten dhe veprën e tij. Kjo qasje nuk ia kufizon hapësirën kritikës e as lexuesit që ta ndërtojnë rrëfimin e tyre për universin imagjinar, por ia mundëson autorit të rrëfejë të vërtetat e tij mbi to”, tha ndër tjera në hapje të takimit, profesori Milazim Krasniqi, i cili moderoi debatin.

Shkrimtari dhe studiuesi Gëzim Aliu duke folur për procesin e shkrimit, u ndal në tri aspekte thelbësore të të shkruarit të romanit, te Njeriu, Gjuha dhe Imagjinata duke theksuar rëndësinë fundamentale të tyre.

“Lexuesi e kërkon njeriun në prozën narrative, në filma, në poema epike, madje edhe në vizatime, piktura e lirikë. Pra, lexuesi a shikuesi e kërkon veten, jo veten personale, e kërkon veten njerëzore, me të gjitha nuancat e ndërlikimet që ekzistojnë edhe në jetë, por ‘të paketuar artistikisht’. Një vepër, po nuk pati njerëz që ‘ai a ajo i njeh’, do të jetë jo-in­teresante për të. Lexuesi i kërkon njerëzit, jo artificet, sado që personazhet brenda botës së rrëfyer në fakt janë artifice”, tha Aliu.

Aftësia e autorit, sipas Aliut, është arritja e krijimit të përngjasimit të njerëzve brenda romanit, me njerëzit e vërtetë, ata që lexuesi i njeh, në mënyrë që lexuesi të përfshihet emocionalisht dhe mendërisht me veprën.

Tutje, në rrëfimin e tij për procesin e shkrimit të romanit, Aliu u ndal te gjuha, duke mos e konsideruar thjesht mjet për të ndërtuar botë të reja ku veprojnë e jetojnë personazhet.

“Gjuha është thelbi i romanit. Edhe në fjalitë më të thjeshta artistike ndodh rrotullimi i kuptimeve të para në fushën e pafund të shumëkuptimësisë. Një shkrimtar që synon të krijojë botë të rrëfyer, duhet të ketë shumë kujdes në përdorimin e gjuhës. Gjuha është Hyjneshë që të rrëzon përtokë po nuk e respektove duke e sunduar”, tha Aliu.

Imagjinatën letrare, në anën tjetër, Aliu e konsideron si kulmin e aftësisë njerëzore për të shpikur e trilluar, ndërsa romanin shembullin më të mirë dhe më të madh të përdorimit të imagjinatës në të rrëfyerit e historive.

“Por, shkrimtari gjithashtu duhet t’i njohë botën, jetën, njeriun hollësisht e të jetë kureshtar vazhdimisht. Dhe, t’i shikojë e analizojë botën, jetën, njeriun, me mençuri, me urtësi, të jetë vëzhgues e pjesëmarrës njëkohësisht në gjithçka. Imagjinata pa dije e mençuri mund të jetë thjesht fantazim i pafrytshëm”, tha Aliu, duke u ndalur në vazhdim të takimit në pyetjen e pashmangshme për çdo autor, që prej se ekziston letërsia: ”Pse shkruaj?”

“Në disa periudha të jetës sime, kjo pyetje vjen sikur mjegull, jo e drejtpërdrejtë, nuk e lejoj të ma pengojë shikimin, pamjen, vizionin, përndryshe do të duhej ta lija të shkruarit. Kur e bëjnë të tjerët këtë pyetje, sikur kërkojnë përgjigje të saktë për diçka të qartë, të dukshme, të përdorshme, funksionale. Të shkruarit letrar, artistik, nuk është sikur të prodhuarit e një makine shërbyese, këtë besoj e di çdokush. Çfarë i shtynte njerëzit parahistorikë të vizatonin në shpella, të vendosnin shuplakat e tyre në shkëmb e të hidhnin ngjyrë?! Është dëshira, therja e brendshme për të treguar praninë në jetë, therja e dëshira për të komunikuar me të tjerët edhe kur nuk i njeh. Por, nuk është vetëm kjo therje, kjo dëshirë, është edhe përpjekja për ta ndërtuar veten, për ta zgjatur veten, për të qenë emri dhe mbiemri që mbase do të lexohet edhe në të ardhmen”, theksoi Aliu .

“Për të nisur diçka më të madhe, është shumë e rëndësishme ideja. Ideja e ka një zanafillë, që do ta quaja shkëndijë. Nuk dua të mistifikoj këtu, por shkëndija krijimtare, që e quajnë edhe frymëzim, shpesh nuk dihet nga vjen, nga mendja, si nga qielli i kthjellët, nga dhembja që ndien për diçka, nga të dëgjuarit e një ngjarjeje, nga një ngjarje që sheh, nga leximi i diçkaje interesante, nga emocionet që shkakton diçka, nga qëllimet e vetëdijshme e nganjëherë të pavetëdijshme, nga bindjet, nga luhatjet e bindjeve, nga ndryshueshmëria e vazhdueshme njerëzore, që e quajmë përvojë, nga meditimi, nga të menduarit. Gjithçka mund të ndezë një shkëndijë dhe kjo shkëndijë mund të ndriçojë një ide, dhe këtë ide e shkruaj, gjithsesi duhet ta shkruaj, sepse mund të zhduket në errësirën e asgjësë shumë shpejt”, tha ndër tjerash Aliu.

Takimi vazhdoi me pyetje e diskutime mes të pranishmëve dhe shkrimtarit.

ObserverKult

Kliko edhe:


(Video) Diskutim me shkrimtarin Gëzim Aliu/ Festivali Poetik i Prishtinës 2

Tregim nga Gëzim Aliu: Mona Liza

Gëzim Aliu: Kokrra e zezë

Tregim nga Gëzim Aliu: Pluhur