Nesër fillon Edicioni i 28-të i Festivalit “Ditët e Naimit”

ditët e

Prej 17-19 tetor 2024, në Tetovë do të mbahet Edicioni i 28-të i Festivalit Ndërkombëtar të Poezisë “Ditët e Naimit”. Atë do ta karakterizoj një program letrar, artistik dhe kulturor. Do të mbahen disa lexime poetike, do të bëhet një përurim libri, do të ndahen çmime të ndryshme letrare, si dhe do të bëhen vizita në monumentet kulturore, historike dhe fetare në qytetin e Tetovës. Kjo u bë e ditur, në një konferencë shtypi të mbajtur në Tetovë, nga drejtori dhe anëtarët tjerë të FNP “Ditët e Naimit”, Shaip Emërllahu, Xhelal Zejneli dhe Bujar Plloshtani.

Emërllahu, në mes tjerash se, në këtë edicion do të marrin pjesë poetë nga vende të ndryshme të botës dhe poetë nga e gjithë hapësira shqiptarë, si: Jennifer Maloney (SHBA), Gale Berns (Britania e Madhe), Lina Buividavičiūtė (Lituani), Kristina Stoltz (Danimarkë), Francoise Roy (Kanada), Hasan Erkek (TurqI), Stefania Romito (Itali), Maja Panajatova (Bullgari), Maria Mistrioti (Greqi), Hristo Petreski (Maqedonia e Veriut), Olimbi Velaj (Shqipëri), Vanja Shteriova (Maqedonia e Veriut), Ndue Ukaj (Kosovë), Daim Ilazi (Maqedonia e Veriut), Juliana Veliçkovska (Maqedonia e Veriut), Remzi Salihu (Maqedonia e Veriut), Zhaneta Barxhaj (Shqipëri) Bujar Plloshtani (Maqedonia e Veriut) dhe Arjan Kallço (Shqipëri),

Hapja e ceremonisë së Edicionit të XXVIII të Festivalit Ndërkombëtar të Poezisë “Ditët e Naimit” do të bëhet nesër (e enjte) në orën 19.30, përmes një performance fishekzjarresh para Qendrës së Kulturës, në Tetovë. Drejtori i Festivalit, laureatja rumune Magda Carneci dhe një delegacion nga Komuniteti Bektashian do të vendosin buqetë lulesh para shtatores së poetit të madh Naim Frashëri. Në hyrje të Qendrës së Kulturës, publikut edhe në këtë hapje do t’iu dhurohet Antologjia me poezi të poetëve pjesëmarrës, si dhe libra të tjerë të botuar nga shtëpia botuese e Festivalit.

Më pas, në Sallën e Madhe do të bëhet hapja zyrtare e Programit të Edicionit të 28-të FNP “Ditët e Naimit”, nga z. Emërllahu.

Në hapje të këtij Edicioni, aktori Arsim Kaleci do të recitoj poezinë “Fjalët e Qiririt” të Naim Frashërit, ndërsa nga një pikë muzikore me piano dhe në violë do të ekzekutojnë virtuoz të muzikës klasike.

Në orën e madhe letrare ‘Globi poetik’, përveç leximit të poetëve, do t’i jepet edhe çmimi i madh letrar “Naim Frashëri” laureates Magda Carneci, të cilës juria e Festivalit e perbere nga Fiona Sampson (kryetare), Olimbi Velaj (anëtare) dhe Ndue Ukaj (anëtar), ja ndanë kohë më parë. Gjithashtu, laureates do ti ndahet edhe titulli i lartë “Anëtar Nderi” i Festivalit.

Në ditën e dytë të Programit, në orën 10.30 në sallën e hotelit “Lirak”, do të bëhet përurimi librit me poezi “Shpella e Dantes”, i poetes angleze, Fiona Sampson. Më pas, poetët do t’i vizitojnë monumetet kulturore dhe historike të qytetit të Tetovës dhe në Teqenë Arabati Baba, në orën 14.00, do ta mbajnë orën letrare “Poetë dhe vargje”.

Ndërkaq, në orën 20.00, në Qendrën për Kulturë dhe Art “Shift Center” do ta mbahet ora letrare “Meridiane poetike”, ku krijimet e tyre do t’i lexojnë poetët pjesëmarrës, si dhe do të ndahen çmimet letrare “Ditët e Naimit”, “Menada”, “Oeneumi”, Qiriu i Naimit” dhe “Silke/Liria”.

Festivalin e mbështeti në mënyrë simbolike Ministria e Kulturës. Sponzorë të Festivalit janë restorantët “Kurtishi” dhe “Parajsa e Sharrit”.

D. Hadri

ObserverKult

kliko edhe:

Halil Matoshit i jepet Çmimi për karrierë letrare në Festivalin Ndërkombëtar “Ditët e Naimit”