Nga Rafif Almuhanna
Nëse e keni të vështirë ta doni dikë dhe ta pranoni siç është, i kërkoni t’ju flasë për fëmijërinë e tij. Do ta shihni që opinioni juaj për të do të ndryshojë dhe do të krijoni një përshtypje krejt tjetër që mund të arrijë deri në dhembshuri dhe dashuri.
Në fytyrën e atij që fillon të flasë për fëmijërinë e tij, fillojnë e ndodhin ndryshime të njëpasnjëshme. Fillimisht, fillon e merr një frymëmarrje të thellë, sikur i duhet një sasi e madhe oksigjeni, e barabartë me peshën e materialit që ka përgatitur për ta verbalizuar.
Kjo pasohet nga një periudhë heshtjeje ku mendon kujtimet me të cilat duhet t’ia nisë.
Zakonisht, janë kujtimet e dhimbshme ato që turren të parat, por shumë shpejt i kapërcen dhe fjalët e para i nxjerr të përziera me një buzëqeshje apo të qeshur, e cila shkund muret e fytyrës së tij të lodhur. Mund të jetë dhe një pikë loti që njom lëkurën e faqeve të tij, një pikë loti që lehtëson heqjen e maskës nga dhimbja.
Sa më shumë që flet, aq më shumë fillon e fiton ekuilibër me veten, i përmirësohet toni i zërit dhe i shtohet besimi tek vetja. E ka më të lehtë të flasë për të shkuarën, duket sikur është jashtë kohës ose sikur e ka nën zotërim kohën. E kaplon një gaz i freskët brenda shpirti, sikur po del rishtazi në dritë, sikur po lind tani. Edhe nëse duket i trembur dhe i vetmuar përballë zbulimit të territoreve të reja brenda vetes, ai e ka të pamundur ta pengojë gëzimin që i vërshon nga brenda për tu shfaqur dhe për ta vënë re, gjë e cila na bën pjesëmarrës në këtë gëzim.
Ajo çfarë e shpëtoi nga hallet dhe pesha e të shkuarës, na shpëton dhe ne, duket sikur varka e tij e shpëtimit – kur e shprehu fëmijërinë e vet – i ka bërë llogaritë për të shpëtuar dhe të rrezikuar të tjerë. Të tilla janë varkat e fëmijërisë, kur u kthehemi shpëtojnë shumë jetë.
Pas kësaj, ai të mirëpret në shtëpinë e tij të bukur, të merr për dore, me respekt e dashuri dhe të shpie në qoshe të tjera të shtëpisë, te shëmtuara dhe të errëta, sikur të thotë: ”Ky jam unë… I tillë jam… Nuk e dua mendimin tënd, por dua prezencën tënde.”
Të flasësh mbi fëmijërinë hap porta që të çojnë drejt shpirtit, është diçka e ngjashme me vrima ajrosjeje shpirtërore të një trupi të mbyllur, është ndriçimi i një pusi të braktisur brenda shpirtit. Të flasësh për fëmijërinë është e ngjashme me një bahçe të gjallë pas një shtëpie të rrethuar me ankth dhe frikë nga vetja dhe tjetri.
Kur bëhesh fëmijë, nuk ke frikë nga frika jote, ky është dhe sekreti i nurit në fytyrë. Prandaj, fol për fëmijërinë, ma trego si ishte… që të te dua ty dhe të dua veten time.
Përktheu: Elmaz Fida
ObserverKult
Lexo edhe:
KUR KISHIM PAK, POR ISHIM TË LUMTUR… SI ISHTE FËMIJËRIA DIKUR?