Pse vuajmë në dashuri? Tregon Marsel Proust

Nga Marcel Proust

…Vuajtja në dashuri ndalon hera-herës për t’u shfaqur në një formë tjetër. Ne vajtojmë pse ajo që duam nuk na përgjigjet me të njëjtën zjarr, me ato vrundujt dashurorë të fillimit, vuajmë edhe më shumë, kur pasi i janë shuar ndaj nesh, i janë ngjallur për të tjerë; pastaj, një e keqe më e rëndë na heq mendjen nga ajo vuajtje, dyshimi se mos na ka gënjyer për festën e mbrëmshme, ose se mos na ka tradhtuar;

edhe ky dyshim davaritet, dashamirësia e mikës tonë na qetëson, por befas një djalë i harruar na shfaqet në mendje; na kanë fryrë në vesh që ajo është e zjarrtë në shtrat, por ne na është dukur e përmbajtur; rrekemi të përfytyrojmë se si harbonte me të tjerë, ndiejmë se sa pak vlejmë për të, nuhasim një si bezdi, lektisje, trishtim kur flet me ne, na vrasin sytë fustanet e rëndomta që vesh në praninë tonë, duke ruajtur për të tjerët ata me të cilët na miklonte dikur.

Nëse, përkundrazi, ajo na shfaq dashuri, fluturojmë nga gëzimi për një çast, por kur shohim gjuhën e vogël që lëpin buzët si për të grishur dikë, mendja na shkon tek ato që ajo grishte, mbase dhe në praninë tonë, ndonëse Albertina mund të mos kishte atë qëllim, pasi lëpirja e buzëve i është bërë, për shkak të zakonit, një gjest mekanik.

Pastaj mendimi se e bezdisim na rikthehet. Por kjo vuajtje kthehet në çikërrimë kur mendojmë për të panjohurin e mallkuar në jetën e saj, për vendet ku ajo ka qenë dhe që s’do mund t’i zbulojmë kurrë, ku akoma më keq, mbase shkon ende në kohën kur nuk jemi me të, ku mbase mendon të qëndrojë përgjithnjë, në vendet ku e ndiejmë të largët, ku nuk na përket, ku ndihet më e lumtur se me ne. Të tilla janë zjarret e pashuara të xhelozisë.

(Fragment i shkëputur nga libri i Marcel Proust ‘Robinja’)

ObserverKult


marcel proust
Valentin Louis Georges Eugène Marcel Proust (10 qershor 1871 – 18 nëntor 1922)

Lexo edhe:

PËR MARCEL PROUST-IN KA GJITHNJË PËR TË THËNË

Nga: Dashnor Kokonozi – Francë

Një zbulim i ditëve të fundit nuk do të lërë indiferent lexuesit e M. Proust-it. Se prej kohësh vërehej një paradoks në lidhje me të. Një “madeleine e Proust-it” që në origjinë është një lloj petulle e ëmbël, por që mund të jetë edhe një gjësendi e çfarëdoshme e jetës së përditëshme, që na zhyt e kthen pas në kujtimet e viteve të shkuara, pra një gjë e tillë (që Marselit ia gatuante teto Leonia), njihet fort më mirë se sa Charles Swann, një personazh qendror i ciklit romanesk “Në kërkim të kohës së humbur.”

Tekstin e plotë mund ta lexoni KËTU:

ObserverKult