Në nëntor do të hapet ekspozita e çmimit “Artistët e së nesërmes” 2024

Foto ilustrim

Stacion – Qendra për Art Bashkëkohor në Prishtinë më 1 nëntor hap ekspozitën e Çmimit “Artistët e së nesërmes” 2024 me artistët Mimoza Sahiti, Luiza Thaqi dhe Dion Zeqiri.

Tre finalistët e Çmimit Artistët e së nesërmes 2024 Mimoza Sahiti, Luiza Thaqi dhe Dion Zeqiri në punën e tyre ofrojnë “provokime të guximshme dhe të nevojshme që flasin për kompleksitetin tonë të përbashkët”.

Çmimi Artistët e së nesërmes është një shpërblim dhe njohje prestigjioze e krijuar për artistët pamor nën moshën 35 vjeç. Çmimi u ofron atyre mundësinë për të krijuar vepra të reja përmes një procesi të përkushtuar prodhimi dhe zhvillimi, me punën e tyre duke u vlerësuar nga një juri e pavarur.

Juria e Çmimit Artistët e së nesërmes 2024 ka në përbërje Julieta Aranda, artiste, bashkëthemeluese dhe redaktore e e-flux, Berlin, Miljana Dunđerin, artiste, drejtoreshë e qendrës private kulturore “Akvarijus”, Mitrovicë Veriore, Dr Vjollca Krasniqi, sociologe, profesore e asociuar në Fakultetin Filozofik të Universitetit të Prishtinës, Alper Turan, kurator dhe shkrimtar, me seli në Nju-Jork dhe Stamboll, dhe Lulzim Zeqiri, artist, që punon dhe vepron ndërmjet Kosovës dhe Austrisë.

Tre artistët e nominuar bashkëpunojnë ngushtë me ekipin kuratorial në Stacion – Qendra për Art Bashkëkohor në Prishtinë dhe marrin pjesë në ekspozitën vjetore që prezanton finalistët e çmimit Artistët e së nesërmes. Për më tepër, ata do të kenë mundësinë të udhëtojnë në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, ku do të përjetojnë skenën e artit në Nju-Jork gjatë një qëndrimi artistik dy mujor.

Çmimi Artistët e së nesërmes është një çmim i spikatur, i pavarur, i organizuar në bashkëpunim me Residency Unlimited në Nju Jork dhe i mbështetur nga The Trust for Mutual Understanding në Nju-Jork.

ObserverKult


Lexo edhe:

MARTIN CAMAJ, BASHKËPUNËTOR I ISH-SIGURIMIT? AUTORITETI I DOSJEVE: FIRMA E MANIPULUAR, S’NGJAN ME TË SHKRIMTARIT NË DOKUMENTE TË TJERA