Nga: Blerim Valla
“Pen Qendra e Kosovës”në kuadër të takimeve të rregullta me shkrimtarët e ndryshëm kosovar, ka ndaluar në Gjakovë, ku në ambientet e Bibliotekës “Ibrahim Rugova”, ka organizuar aktivitetin “Ora e Shkrimtarit” kushtuar shkrimtarit, gazetarit, publicistit dhe bibliotekistit Engjëll I. Berisha i cili njëkohësisht e udhëheq këtë institucion bibliotekar në Gjakovë qe 24 vite!
Fillimisht kryetari i PEN – it të Kosovës shkrimtari Binak Kelmendi foli për projektin e kësaj organizate të shkrimtarëve kosovare, që po përkrahet nga MKRS e Kosovës dhe që sipas tij “si synim ka daljen në pah të shkrimtarëve elitar kosovat por edhe njohjen me ta nga publiku i gjërë anembanë Kosovës, sikurse që është rasti me shkrimtarin E. I. Berisha të cilin e kemi përzgjedhur në Gjakovë”, u shpreh Binaku.
Kurse moderatori i këtij manifestimi poeti e studiuesi Dr. Sali Bashota duke vlerësuar shkrimtarin Berisha potencoi se “nga libri i tij i parë me 1991 e deri më sot – këtë vit, kur e ka botuar librin e tij të rradhës ka arritur si gazetar, si publicist, si tregimtar, kritik dhe në veçanti si poet të krijoj identitetin e vet krijues letrar të mirëfilltë, duke arritur të sublimoj tri elementet kryesore të një poezie të mirëfilltë, që janë Mendimi, Gjuha dhe Figuracioni”, vlerësoi prof. Bashota
Në mesin e shumë të pranishmëve adhurues të fjalës së shkruar dhe të veprave letrare të shkrimtarit Berisha ishin edhe Kryetari i Komunës Ardian Gjini, pastaj shumë shkrimtar dhe zyrtar komunal. Në fjalën e tij, Kryetari Gjini u shpreh se “ Engjëll Berisha është një krijues modest dhe origjinal. E falënderoi për ftesën në këtë ngjarje e sidomos për punën e jashtëzakonshme që ka bërë deri tani në fushën e kulturës dhe letërsisë, e sidomos që ka bërë e po bën qe 24 vite si Drejtor i Bibliotekës Publike “Ibrahim Rugova”!
Ndërsa shkrimtari Engjëll Berisha pas fjalëve hyrëse të kryetarit të PQK, Binak Kelmendi e poetit e studiuesit dr. Sali Bashota, dhe mysafirëve të tjerë, pati rastin të bashkëbisedon në mënyrë interaktive me krijues e adhurues të fjalës së shkruar të pranishëm në kuadër të këtij takimi. Ai potencoi se poezia mbetet një nga pasionet më të mëdha në jetën e tij, ku përmes saj ai shpreh emocionet e bukura por edhe momentet e vështira të jetës. Ai falënderoi pjesëmarrësit në Orën e Shkrimtarit për mbështetjen dhe prezencën e tyre në këtë ngjarje të rëndësishme për të dhe karrierën e tij.
Berisha në fund lexoi një ese të përgatitur me këtë rast me titull “Pse shkruaj?” ku mes tjerash theksoi :
“S’do mend se shkrimi bëhet për të ndarë mendime me lexuesin, për t’i dhënë lexuesit. Pastaj duhet bërë përpjekje ta plasosh deri te lexuesi. Pastaj duhet menduar se sa i ke plotësuar kërkesat e lexuesit, deri te mendimi se si është pranuar. Pse shkruaj…!!! E kam nisur me poezinë në vitet kur ngacmohesha nga leximi, vjersha për fëmijë, romane përtej moshës sime. Janë virtytet e jetës, atë që marrim në fillim tonë, prej të cilave formohemi e ndërtohemi, për ta dhanë pastaj në shkrim e në përcaktim mora e human. Te poezia kërkohet kujdes më i veçantë te përdorimi i figurave stilistike që e interpretojnë kuptimin, për të qenë i kapshëm nga lexuesi, për ta ruajtur dramatiken, e që do të thotë shfaqja e veprimeve refleksive, sikur janë ndjenjat, apo efekte tjera.
Pse shkruaj…!!! Në shpjegimin metaforik fiziku është si një instrument, apo mekanizëm që i vejnë në lëvizje çastet. Tingëllon mistike, por unë do t’i quaja çastet ato që na udhëheqin, na ndikojnë e na veshin me emocione. Çasti i lumturisë, i dashurisë, i ndjeshmërisë, i dhimbjes, i dëshpërimit etj.
Nisa të shkruaj për ta ndërtuar të bukurën duke e imagjinuar, sa më të kapshme, sa më natyrale edhe për të tjerët. Kjo bëhet për t’u çliruar prej ngjizjes që ke marrë nga perceptimi i jashtëm, ku përjeton, edhe kur ngazëllehesh nga shija e mirë edhe kur vuan.
Ka dallim dhuntia me të folurit dhe me të shkruarit. Vetitë natyrore, apo aftësia natyrale e të shprehurit vjen nga përvoja, nga të ushtruarit e nga njohuritë. Ndërsa shkrimi artistik është art, që shfaq mënyrën e veçantë të të shprehurit të mendimeve, me stile të ndryshme, shfaq të bukurit me entuziazëm nga vetja, shfaq personalitetin e tij, por gjithnjë me vetëdije për ta ngazëllyer lexuesin. Gjuha e të shkruarit kërkon ti përgjigjesh mendimit me fjalët e posaçme, e ato dalin kur shkruesi është i ushqyer mirë me lexim, i akumuluar për të dhuruar.
Shkruaja me imazhet e gjalla që krijonin emocion në mua, me përshkrimin e tyre duke mësuar se si përdoren figurat për ta shprehur mendimin tim rrethanor. Në fillim më dukej meditative, por u bë shumë ritmike duke më mbajtur tejet afër, e të mbërthyer.
Lufta e fundit në Kosovë, përfshiu edhe mendimin krijues. Luftë e robërisë me lirinë. E jetës me vdekjen. E kapluar e thellë fryma e njeriut në kërkim të demokracisë, me shpirtin e rënduar për t’u çliruar, u krijua veçori e shkrimit meditativ, për të shpërthyer pastaj me ardhjen e lirisë.
Janë personazhet që ta krijojnë poezinë, narracionin, semantikën e figurën, prej të cilës e krijon veprën me çarjen e zemrës. Kam pa, se arti ndërtohet vetë, kur je përballë ngjarjes. Ky është arti natyral, pa pasur nevojë për imagjinatë. Mësova se kur shkruan, duhet të mendosh për lexuesin. Mësova se si duhet t’i shërbesh letërsisë.
Poezinë. Fillimin e poezisë e kanë dominuar tensionet e trupit e të shpirtit, ndonëse në moshë të re, balada e ndiqte frymën krijuese edhe e brezit tim. Kjo gjendje fizike që i bëhet dramë vendit, familjes, pos që e krijon konceptin masiv të shkrimit me shenjat morale e lidhur me gjenezën, dhe përcjellë me ndikimet e kujtesës sado në përballje me estetikën. E kurrsesi të lirohemi për njëzetë vjet.
Në poezinë time ka hyrë pakëz dashuri e përzier me jetën, me personin, me fenomenet që ndikojnë te krijuesi. Poezinë e krijova krejt sikur lejon moti të mbillet fara. Jo gjithnjë i mori mot i mirë asaj nirvane” përfundoi mes tjerash eseun e tij shkrimtari E. I. Berisha.
ObserverKult
Lexo edhe:
MBAHET KONCERT DEDIKUAR GRAVE GJAKOVARE TË PREKURA NGA KANCERI I GJIRIT