Në rubrikën EXPO në ObserverKult, kemi zgjedhur për ta prezentuar me fotografitë e tij artistike, fotografin Ernest Baba.
Ernest Baba lindi në Tiranë më 3 prill 1953. Në vitin 1978 përfundoi shkollën e mesme artistike “Jordan Misja”, dega pikturë, ndërsa nga viti 1987, filloi punën si fotograf pranë Agjencisë Telegrafike Shqiptare (ATSH) në laboratorin e fotografisë.
Ka punuar si specialist për disa vite edhe në laboratorin e optikës të Ministrisë së Mbrojtjes të Shqipërisë.
Ernest Baba ka një eksperiencë të gjatë pune në ATSH në fushën e fotografisë si njohës shumë i mirë dhe i aparaturave dhe teknologjisë së fotografisë, manuale dhe digjitale, në printimin analog të fotografisë bardhë e zi dhe me ngjyra me përmasa me bazë deri 105cm, në përpunimin e filmit negativ bardhë e zi me ngjyra dhe diapozitiv, fotoreporter dhe fotografime në studio, në riprodhimet fotografike si dhe përpunues i fotografisë digjitale me fotoshop.
Ai është njohës i historisë së fotografisë, i laboratorit dhe stampimit në dhomën e errët. Ka bashkëpunuar ngushtë me fizikantin e njohur të Universitetit të Tiranës, prof. Kostandin Leka. Ky ishte i shquar për zotërimin dhe përhapjen në Shqipëri të proceseve të reja teknologjike në fushën e fotografisë.
Ernest Baba ka dhënë një kontribut të gjatë edhe në Arkivën e fotove të ATSH-së. Veçanti e punës ishte edhe prodhimi i fotografive për ekspozita të ndryshme në Laboratorin e ATSH-së. Një nga këto ekspozita më e veçanta që ka printuar me formatin 50x60cm ishin fotot e fotoreporterit të Kosovës, Ilaz Bylykbashi, me ngjarje nga lufta e viteve 1998-1999 në këtë vend. Kjo ekspozitë u çel në Kosovë dhe në Gjermani në vitin 2002.
Ka trajnuar pranë laboratorit të ATSH-së edhe studentë të Fakultetit të Inxhinierisë së Ndërtimit për fotografinë. Baba ka qenë i ftuar në një sërë seminaresh dhe aktivitetesh për fotografinë në Romë dhe Milano.
Ekspozitat në të cilat ka marrë pjesë:
Në ekspozita të ndryshme të organizuara nga ATSH-ja, para dhe pas viteve ’90-të.
2011 Ekspozita më e rëndësishme është ajo mes Agjencisë Telegrafike Shqiptare ATSH-së dhe Agjencisë franceze të Lajmeve AFP, të çelur në Galerinë Kombëtare të Arteve në Tiranë.
2017 Ekspozita ndërkombëtare “Ditët e fotografisë Pogradec”.
2017 Konkursi ndërkombëtar i fotografisë “Fokus Award” në Fier.
2018 Konkursi ndërkombëtar i fotografisë “Fokus Award” në Fier.
2018 Ekspozita ndërkombëtare “Gjon Mili-Photography Days”, Korçë.
2019 Ekspozita ndërkombëtare “Gjon Mili-Photography Days”, Korçë.
2019 Konkursi ndërkombëtar i fotografisë “Fokus Award” në Fier.
2020 Konkursi ndërkombëtar i fotografisë “Fokus Award” në Fier.
2022 Festivali ndërkombëtar i fotografisë “Punctum” në “Galerinë Kult” Gostivar, Maqedonia e Veriut.
2023 Festivali ndërkombëtar i fotografisë “Punctum” në “Galerinë Kult” Gostivar, Maqedonia e Veriut.
2024 Festivali ndërkombëtar i fotografisë “Punctum” në “Galerinë Kult” Gostivar, Maqedonia e Veriut.
2024 Fitues i konkursit ndërkombëtar të fotografisë “Fokus Award” në Fier.
Në prill të vitit 2018, me rastin e daljes në pension Agjencia Telegrafike Shqiptare ATSH, i organizoi në mjediset e COD, pranë Kryeministrisë së Shqipërisë ekspozitën retrospektive me fotot më të zgjedhura nga krijimtaria e tij me titull “Fokus”. Në këtë ceremoni morën pjesë fotografët e mirënjohur Petrit Kumi, Gani Xhengo, Leon Çika, Akile Dhimitri, Agim Dobi, studiuesi i fotografisë, fotografi dhe publicisti Qerim Vrioni, miq dhe dashamirës te artit të fotografisë etj. Ekspozita u ndoq me kureshtje nga publiku dhe media. Kjo u shoqërua edhe me një ceremoni të veçantë për nder të punës së tij pranë institucionit. Dalja në pension nuk e shkëputi lidhjen e tij me fotografinë, dhe ai vazhdon të fotografojë.
ObserverKult
Lexo edhe:
EKSPOZITË NË OBSERVERKULT: LAURA SINER BRAHIMI, PIKTORE (FOTO)