Doli nga shtypi antologjia poetike “Takohemi në Jug” (Let’s meet in the South)- Edicioni II


Në kuadër të Festivalit Poetik Ndërkombëtar “Takohemi në Jug” 2024, doli edhe antologjia poetike, organ i Klubit të Poetëve të Jugut, me qendër Sarandë.

Kjo antologji është përgatitur nga poeti Dashamir Malo dhe është botuar nga shtëpia botuese “Neraida” në Tiranë. Në të janë përfshirë 36 poetë nga 13 vende të ndryshme të Evropës dhe më gjerë, duke përfshirë Shqipërinë, Kosovën, Maqedoninë e Veriut, Italinë, Greqinë, SHBA-në, Zvicrën, Rumaninë, Turqinë, Slloveninë, Tunizinë, Bullgarinë dhe Kanadanë. Poetët janë renditur alfabetikisht sipas mbiemrit, dhe secili prezantohet me të paktën tre poezi.

Në këtë përmbledhje spikatin emra të shquar të poezisë bashkëkohore shqiptare, duke e bërë botimin një thesar për lexuesit e apasionuar pas poezisë.

Një pjesë e veçantë e antologjisë është përkthimi i poezive nga poetët e huaj në gjuhën shqipe. Ky proces është realizuar nga një grup përkthyesish të talentuar: Merita Paparisto, Griselda Doka, Vangjel Zafirati, Nurie Emrullai, Teodor Lisimaku dhe Dashamir Malo.

Klubi i Poetëve të Jugut falënderon sinqerisht të gjithë poetët pjesëmarrës për bashkëpunimin dhe mbështetjen e tyre për të qenë pjesë e këtij projekti artistik. Kontributi i organizatorëve dhe përkthyesve ndër vite ka qenë një akt i çmuar, i bazuar vetëm në pasion, pa asnjë shpërblim financiar.

Antologjia “Takohemi në Jug” mbetet një përpjekje e vyer për të ndërtuar ura të reja kulturore dhe për të bashkuar zëra poetikë nga anë të ndryshme të botës në një festival që frymon art dhe miqësi.

ObserverKult


Lexo edhe:

DASHAMIR MALO: SHUMË BURRA KALUAN PREJ SHTRATIT TË PENELOPËS