Sot është Dita e Alfabetit Shqip, tashmë e shpallur festë zyrtare e Shqipërisë. 22 nëntori ka simbolikë të veçantë dhe specifikon momentin më të madh unifikues të shqiptarëve, në përkujtim të Kongresit të Manastirit, i zhvilluar mes datave 14 deri në 22 nëntor të vitit 1908.
Në Kongresin e Manastirit morën pjesë 50 delegatë nga 26 qytete të ndryshme, klube dhe shoqata. Në këtë Kongres u miratua vendimi që të pranohet alfabeti latin me disa ndryshime të shkronjave duke i përshtatur ato për gjuhën shqipe.
Në Manastir morën pjesë intelektualë shqiptarë nga të gjitha trojet. Në këtë kongres ishin të pranishëm 150 delegatë, të ardhur nga të gjitha anët e Shqipërisë, si dhe nga komunitetet shqiptare në Rumani, Itali, Greqi, Turqi, Egjipt, Amerikë, etj. Kryetar i Kongresit u zgjodh Mid’hat Frashëri, i biri i Abdyl Frashërit. Mid’hat Frashëri ishte në atë kohë redaktor i dy revistave që botoheshin në Selanik: Liria dhe Dituria.Sekretare e komisionit u zgjodh Parashqevi Qiriazi, mësuese e shkollës së Vashave në Korçë. Nënkryetar u zgjodh Grigori Cilka, nga Korça si dhe 11 anëtarë të tjerë.
Kongresi u mbajt prej shoqërisë “Bashkimi” në shtëpinë e Fehim Zavalanit, ku ishte edhe selia e shoqërisë.
Në këtë Kongres merrnin pjesë shqiptarë të të gjitha komuniteteve fetare. Si, myslimanë, katolike, ortodoksë, protestantë, njerëz të ditur, të bashkuar për një qëllim të madh kombëtar.
Kumtesa e mbajtur nga prifti katolik Gjergj Fishta, preku të gjithë pjesëmarrësit sa një hoxhë rendi ta përqafonte para të gjithëve.
Kërkesa e kombëtaristëve shqiptarë ishte që gjuha shqipe të mos shkruhej as me shkronja arabe, as me shkronja greke, por me alfabetin latin. Kongresi vendosi me votë unanime për të lenë mënjanë alfabetin e Stambollit dhe të shkruanin gjuhën shqipe vetëm me alfabetin latin me 36 shkronja, alfabet që përdoret në ditët tona.
Gjithashtu, u vendos që pas dy vjetësh të mbahej një Kongres i dytë, në Janinë për të shqyrtuar problemet drejtshkrimore e letrare, si dhe për të bërë përpjekje për shkrirjen e dialekteve gegë dhe toskë në një gjuhë të njehsuar shqipe.
Kongresi vendosi ngritjen e Shtypshkronjës Shqipe në Manastir nën drejtimin e Gjergj Qiriazit, e cila u bë shpejt e njohur anembanë vendit si shpërndarëse e librave dhe gazetave shqipe.
ObserverKult
lexo edhe:
Kur foli Gjergj Fishta në Kongresin e Manastirit myslimanë e krishterë s’mundën t’i ndalnin…