Ministrja e Arsimit Ogerta Manastriliu ishte sot e pranishme në paraqitjen e “Fjalorit të Madh të Gjuhës Shqipe” të cilin e cilësoi frut të një pune të gjatë, të kujdesshme dhe të palodhur nga studiues, leksikografë dhe gjuhëtarë shqiptarë, te drejtuar nga Akademia e Shkencave.
Në fjalën e mbajtur në ditën e e dytë të punimeve të Kuvendit Kombëtar për Gjuhën Shqipe, që u zhvillua në Tiranë, Manastirliu tha se “Dita e Alfabetit të Gjuhës Shqipe, është një ditë e rëndësishme historike dhe kulturore.
“Sot, në datën 22 nëntor, kujtojmë një prej momenteve më domethënëse të historisë sonë kombëtare, “Kongresin e Manastirit*, ngjarjen që vendosi alfabetin e gjuhës sonë amtare dhe hodhi themelet e një bashkimi kulturor e kombëtar.
Kongresi i Manastirit, mbajtur më 1908, ishte një akt vizionar i Rilindjes Kombëtare, një shprehje e qartë e vullnetit të shqiptarëve për të ruajtur identitetin dhe për të forcuar lidhjet mes nesh si komb.
Sot, 116 vite më pas, ne vijojmë të përmbushim atë mision përmes veprave të tilla si ky Fjalori i Madh i Shqipes që po prezantojmë sot, një monument gjuhësor, shkencor dhe kulturor që i shton një faqe të re historisë sonë gjuhësore”, tha ministrja.
“Ai është më shumë se një thesar fjalësh. Është një inventar i kulturës sonë shprehimore dhe një dëshmi e rrugëtimit të gjuhës shqipe në kohë dhe hapësirë.
Me mbi 120 mijë fjalë, ky fjalor përfaqëson një arkiv të gjallë të trashëgimisë sonë gjuhësore dhe një mjet të fuqishëm për studiuesit, nxënësit dhe çdo përdorues të gjuhës shqipe”, tha ajo.
Sipas saj, në një kohë kur globalizimi dhe digjitalizimi ndikojnë thellësisht në kulturat dhe gjuhët e botës, ky fjalor është një mburojë për ruajtjen e pastërtisë dhe pasurisë së gjuhës shqipe.
“Fjalori i Madh i Gjuhës Shqipe është një gur themeli i kësaj përpjekjeje të pandërprerë.
Ai ruan dhe zhvillon atë që Rilindasit e quajtën “fjala e lirë shqiptare,” një mision që sot ka marrë përmasa të reja në shërbim të brezave që do të vijnë.
Krijimi i këtij fjalori është rezultat i dekadash pune nga një ekip i përkushtuar studiuesish që kanë përmbledhur jo vetëm leksikun e përditshëm të shqipes, por edhe forma të rralla, dialekte dhe nuanca historike të saj.
Ky fjalor nuk është vetëm një mjet për komunikim, por edhe një burim për hulumtime të mëtejshme shkencore, një udhërrëfyes për mësimdhënien dhe një ndihmës për ruajtjen e identitetit tonë në kohë sfidash”, deklaroi ministrja.
Ajo tha se, ky kuvend dhe ky fjalor janë një dëshmi se si gjuhëtarët, studiuesit dhe institucioni ynë akademik mund të bashkohen për të krijuar diçka që do të lërë gjurmë në brezat e ardhshëm.
Fjalori i Madh i Gjuhës Shqipe është një monument i së shkuarës, një udhërrëfyes për të tashmen dhe një shpresë për të ardhmen.
“Së bashku me botimet e “Historisë së shqiptarëve”dhe “Enciklopedinë Shqiptare”, qe po vijojnë të punohen është një nga tre veprat dhe punët e jashtëzakonshme, që kanë bërë bashkë me qindra gjuhëtarë, historianë, studiues nga të gjitha trojet shqiptare, për të dëshmuar rrugëtimin historik dhe kulturor të shqiptarëve në shekuj”, u shpreh ministrja.
ObserverKult
lexo edhe:
Kur foli Gjergj Fishta në Kongresin e Manastirit myslimanë e krishterë s’mundën t’i ndalnin lotët