Filloi edicioni i dhjetë i Polipit

Një karvan veturash mbrëmjen e së premtes është nisur nga Biblioteka Kombëtare e Kosovës drejt teatrit “Oda”. Jo si dasmorë me zhurmat e borive e me flamuj, por si lajmëtarë të hapjes së përbashkët të festivaleve “Polip” dhe “HAPU”, që sivjet ka ardhur me emrin “Hapudemia”.

Që të dyja eventet u janë përshtatur rrethanave me virusin. I menduar si solidarizim i përbashkët, organizatorët kanë zgjedhur që të pranishmit në vetura në frekuencë të njëjtë radioje të dëgjonin dhjetëra poetë që lexonin vargjet e tyre, transmeton KOHA.

Vargjet poetike në 106.8 Mhz kanë qenë si intro e “Hapudemisë” drejt hapjes së “Polipit”. Masazhi është përtej një aktiviteti letrar e pushtimi hapësire me art. Vjen edhe si solidarizim dy festivalesh, si shtyrje kufijsh e aktivizëm në kohë të zorshme

Në kundërpërgjigje ndaj pandemisë, “Polipi” organizuar nga qendra “Multimedia”, megjithatë ka bërë tok shkrimtarë, në hapjen e edicionit jubilar, të dhjetit, të këtij festivali ndërkombëtar të letërsisë.

Me anë të një lidhjeje të drejtpërdrejtë nga Münsteri i Gjermanisë, shkrimtarja kroate Alida Bremer ka përshëndetur pjesëmarrësit e edicionit jubilar.

Teksa ka shprehur keqardhje për pamundësinë për të marrë pjesë fizikisht në festival, ajo ka përgëzuar organizatorët që kanë përfillur masat e sigurisë kundrejt pandemisë COVID-19.

“Për mua ky festival është për gjuhën dhe e di që për shumë vjet me radhë ‘Polipi’ ka ndryshuar gjuhën e komunikimit të ndërsjellë në Evropën Juglindore”, ka thënë Bremer, e cila është një nga përkthyeset më të njohura të kulturës kroate në botën gjermanishtfolëse.

Shkrimtarja 61-vjeçare ka vlerësuar se letërsia është vendi më i mirë për empati e mirëkuptim.

“Ndonjëherë bën edhe të kundërtën, por kjo nuk duhet të na dekurajojë”, ka shtuar Bremer.

Dramaturgu Jeton Neziraj ka thënë se festa e sivjetme letrare bëhet për herë të parë pa praninë e publikut. Por, sipas tij, forma digjitale ka mundësuar që organizatorët të realizojnë të dhjetin edicion me radhë.

“Publiku do ta dojë ashtu siç e ka dashur në nëntë edicionet e kaluara, ku kanë marrë pjesë rreth 300 shkrimtarë, poetë e njerëz të kulturës”, ka thënë Neziraj për “Polipin”, i cili nga sivjet do të organizohet në mjediset e teatrit “Oda”./koha