“Ditët e Alfabetit”, Arkivat ekspozojnë “Dorëshkrimet e Kadaresë” në Shkup

Në kuadër të kremtimit të Ditëve të Alfabetit, Drejtoria e Përgjithshme e Arkivave e Shqipërisë (DPA) në bashkëpunim me Institutin e Trashëgimisë Shpirtërore dhe Kulturore të Shqiptarëve në Shkup (ITSHKSH), ka prezantuar ekspozitën me dorëshkrimet e “gjeneralit” të pavdekshëm të letrave shqipe, Ismail Kadaresë.

Në këtë aktivitet të zhvilluar në sallën “Kongresi i Drejtshkrimit”, ishin të pranishëm zëvendësministrja e Transportit në Maqedoninë e Veriut, Kaltrina Zekolli Shaqiri, drejtori i përgjitshëm i Arkivave të Shqipërisë, Ardit Bido, drejtuesi i ITSHKSH-së, Skënder Asani, ambasadori i Republikës së Shqipërisë në Maqedoninë e Veriut, Denion Meidani, shkrimtarë dhe dashamirës të shumtë të veprës së Kadaresë.

Në fjalën përshëndetëse, Asani u shpreh se kjo ekspozitë është produkt i një angazhimi ndërinstitucional, që ka për qëllim nxjerrjen në pah të veprimtarisë së Kadaresë, në këtë përvjetor me rëndësi për kombin.

Drejtori i përgjithshëm i DPA-së, nënvizoi se përmes penës së Kadaresë shpaloset një portret i identitetit kombëtar, që sikurse u dëshmua në Kongresin e Manstirit, është i pajtueshëm me vlerat europiane.

Mes dokumenteve të ekspozuara, gjenden fragmente nga romani i parë i pabotuar i Kadaresë, “Tri shokët”, shkruar në moshën 11-vjeçare, si edhe gjurmët e vokacionit të tij për letërsinë ndikuar nga vepra shekspiriane, nëpërmjet dorëshkrimit të sprovës letrare “Hamleti, princi i vështirë”. Pjesë e ekspozitës janë po ashtu:

Dorëshkrimi i romanit të parë “Gjenerali i ushtrisë së vdekur”, i cili pati jehonë ndërkombëtare të pafrerë;

Dorëshkrimet e romaneve më të lakuara dhe polemike, “Dimri i vetmisë së madhe”, “Nëpunësi i Pallatit të Ëndrrave” dhe “Përbindëshi”;

Dorëshkrimet e dramës “Stinë e mërzitshme në Olimp” dhe të sprovës letrare “Dantë i pashmangshëm”, ku narrativa përcillet mes mitit dhe bashkëkohësisë;

Dorëshkrimet e romaneve “Prilli i thyer” dhe “Kush e solli Doruntinën”, që portretizojnë Shqipërinë zakonore;

Dorëshkrimet e romaneve “Piramida” dhe “Qorrfermani”, që paraqesin alegorinë e një sistemi totalitar; dorëshkrimi i librit “Ra ky mort e u pamë”, shkruar në formën e një ditari mbi Kosovën; dorëshkrimet e romanit “Lulet e ftohta të marsit” dhe të sprovës letrare “Mosmarrëveshja”, të cilat ravijëzojnë Shqipërinë përballë vetes.

Në këtë korpus materialesh, nuk mungojnë vlerësimet me çmimet dhe titujt “Komandant i Legjionit të Nderit”, “Oficer i Madh i Legjionit të Nderit”, “Princi i Asturias”, “Çmimi i karrierës” dhënë nga Akademia e Shkencave e Shqipërisë, si edhe dekreti për dhënien e nënshtetësisë së Republikës së Kosovës. /atsh/

ObserverKult


Lexo edhe:

KUR FOLI GJERGJ FISHTA NË KONGRESIN E MANASTIRIT MYSLIMANË E KRISHTERË S’MUNDËN T’I NDALNIN LOTËT