Nga njohja te burgu e liria, jeta e tij me Safo Markon vjen përmes dorëshkrimeve të ruajtura. Një libër sjell të plota historinë e dashurisë së shkrimtarit të njohur, Petro Marko.
Nga njohja, te burgu e liria, jeta e tij me Safo Markon vjen përmes dorëshkrimeve të ruajtura. “Kam qenë gjithnjë pranë teje. Sytë e mejtimit dhe të zemrës të shikonin që endeshe rrugës e hutuar dhe e vetmuar. Dhe sa më nxihej dëshira e jetës. Ah sa kohë ka kaluar dhe akoma ti, po më pret, akoma të ndarë”.
Kjo është një prej letrave që Petro Marko, nga burgu, i shkruante Safos, bashkëshortes së tij. Një libër i sapobotuar, sjell letrat mes tyre në vite të vështira dhe fotot e një çifti të paharrueshëm artistësh në Tiranën komuniste. “Libri ‘Një dashuri’ është historia e dashurisë së Petro e Safo Markos. Tregon që nga njohja e deri te letrat e dashurisë dhe telegramet. Safoja i çonte edhe ushqim dhe një ditë tmerrohet sepse roja i shtyn ushqimet me shkelm dhe thotë se ushqimet nuk duhen më se disa prej tyre do të dënohen me vdekje”, theksoi botuesja Rita Petro.
Marko i shpëtoi vdekjes në burg, por burgu dhe regjimi e shenjoi përgjithnjë në mënyrë të pashlyeshme familjen e tij. Shkrimtari Petro Marko do t’i numëronte të gjitha ditët në burg, 1096 ditë, por ditën që del shkruan se kur pa Safon, ai i harroi të gjitha. “Ai ka qenë një nga shqiptarët më të bukur e më të dashuruar dhe jemi me fat që e kemi si shkrimtar në letërsinë shqipe”, deklaroi Petro.
Vepra e plotë e Petro Markos po ribotohet nga “Albas” duke risjellë të gjitha ëndrrat e trillet e luftëtarit idealiste të Spanjës.
JETA E TRAZUAR
Petro Marko u lind në fshatin Dhërmi, në Himarë, nga prindërit Marko e Zoica. I ati ishte pasuruar nëpërmjet tregtisë së qitros. Por e la të vogël sepse u sëmur gjatë internimit në ishujt e Tirrenit nga italianët. Me të kryer filloren në fshatin e lindjes në vitin 1924, shkoi nxënës në Shkollën Tregtare në Vlorë të cilën e mbaroi më 1932. Në atë shkollë pati, ndër të tjerë, si drejtor arsimtarin e studiuesin Kolë Kamsi dhe si mësues Ernest Koliqin; shkollë në të cilën jepnin mësim dhe shumë mësues italianë. Pasi kreu shkollën vjen në Tiranë dhe me ndihmën e Hilë Mosit, që asokohe ishte ministër Arsimi, caktohet mësues në Dhërmi. Më pas transferohet për në Dhrovjan të Dropullit.
Gjatë kohës së qëndrimit në këtë zonë, pati probleme dhe emigron për herë të parë në Greqi, ku qëndron fillimisht në Korfuz dhe më pas shkon në Athinë, ku kishte të vëllanë, Dhimitrin (Mimon). Atje hyn në fakultetin e letërsisë. Petro Marko kthehet në Tiranë ku Branko Merxhani dhe Ismet Toto e thërrasin me rastin e hapjes së gazetës “Koha e Re” si organ i qeverisë. Gazeta mbyllet pas pak kohe ndërsa Petro Marko shëtit nga një gazetë në tjetrën (“Illyria”, etj.), dhe në vitin 1936 boton revistën “ABC” bashkë me Branko Merxhanin, Dhimitër Godellin, Zavalanin, Migjenin, e cila u mbyll pas numrit të 2-të. Atë e internojnë në Porto Palermo (2 javë) e pastaj në Llogora, ku lirohet me interesimin te Merxhanit e I. Totos.
Bashkëpunon në “Përpjekja shqiptare” e B. Merxhanit, të cilën Brankoja kishte me nijet t’ia vinte për antipod “Hyllit të Dritës”. Por largohet pasi Merxhani shkroi artikullin Pse nuk jam marksist i detyruar nga censura e kohës. Petro Marko largohet sërish në Athinë dhe më pas merr anijen për në Marsejë dhe prej andej shkon në Albacete ku ishte qendra e Brigadave Internacionale. Bashkohet me vullnetarët e brigadës “Garibaldi” në Spanjë, shkon për në Kuintanar de la Republica. Merr pjesë në Mbledhjen e Shkrimtarëve Antifashistë në Valencia, ku ishin dhe Ernest Hemingway, Pablo Neruda, etj. Lëviz nga Estremadura, Aragona, Gondez e mandej prapë në Francë, ku herë në Paris e herë në Grenoble i financuar nga Ndihma e Kuqe Internacionale i veshur me petkun dhe karizmën e interbrigadistit u ngarkua me agjitacionin në rininë universitare të Grenoble. Shkon në Itali nga fundi i ’39. Pas 1 mijë e ca ditësh kthehet në atdhe sepse Kominterni kishte porositë t’i çonte legalisht ose jo, të gjithë komunistët në vendet e tyre. Kthehet në Dhërmi dhe mendon pajtimin hasmërive me fshatrat e Dukatit. E burgosin në Vlorë, në Tiranë (maj 1940)… mbas marsit 1942 e nisin për Itali, Palermo e Ustikë.
Pas çlirimit të Jugut të Italisë nga forcat aleate anglo-amerikane largohet së bashku me të burgosur të tjerë dhe kalon në zonat e çliruara italiane. Më 1944 arrestohet nga gjermanët nga të cilët shpëton në sajë të mësuesit të gjimnazit, E. Koliqit. dhe po atë vit kthehet në Shqipëri. Në përfundim të Luftës Antifashiste në vitin ’44 kthehet ne Shqipëri. Në fundin e 1944-ës, kur Petro Marko po linte Italinë për tu kthyer në atdheun e vet, miqtë e tij italianë e paraljamëruan që mos të kthehej duke i kujtuar se në Ballkan nuk ka paqe. Ishin miqtë e tij të gazetës “Avanti” për të cilën punonte, ku njëri prej tyre i thotë: “Pietro, dove vai?! Rimani qui come corrispondente con noi! I Balcani non hanno avuto, non hanno e non avranno mai pace!”.
“Pietro! Pse do ikësh?! Rri këtu me ne, si korrespondent i gazetës! Ballkani nuk ka pasur, nuk ka e nuk do ketë kurrë paqe!”. Por për Petro Markon përgjigjet një tjetër: “E tu, Pietro? Perché non sei rimasto a Parigi, ma sei tornato a Roma?!” E poi girandosi verso Petro Marko: “Vai, Pietro, vai! È lì la tua trincea!”. “Po ti, Pietro, pse nuk ndenje në Paris, por u ktheve këtu në Romë?!” Pastaj duke u kthyer nga Petro Marko i thotë: “Shko Pietro, shko! Është në Tiranë transheja jote!”. Por Petro Marko pavarësisht paralajmërimit, vendosi të kthehej në Tiranë.
KTHIMI NË ATDHE
Nga lufta partizane në Itali dhe puna si gazetar në gazetën “Avanti” në Romë, Petro Marko kthehet në Tiranën e porsaçliruar dhe bëhet menjëherë kryeredaktor i të parit dhe të vetmit zë të shtypit zyrtar, gazetës “Bashkimi”. Pas tre vjetësh me këtë rol në Tiranë, arrestohet dhe burgoset. E shpëton nga pushkatimi ndërhyrja e një shoku armësh. Rikthehet në jetën e Tiranës pa punë e më pas si mësues i thjeshtë. Por gjithnjë shkruan. Romanet e tij, atëherë kur dalin, bëjnë bujë dhe zhduken nga raftet e librarive brenda pak orëve. Por i bujshëm vjen pas tyre edhe rrëmeti politik. “Hasta la Vista” (1958), romani i parë, kritikohet që kur është në shtyp. Me ndërhyrje lejohet botimi, por me shumë shkurtime e ndryshime.
Romani i dytë, “Qyteti i fundit” (1960), hiqet nga shtypi. Ndërhyn numri dy i shtetit komunist shqiptar, Mehmet Shehu, me të cilin ka luftuar në Spanjë kundër armatës së Francos, që të lejohet botimi. Por nuk ribotohet më kurrë, sido që asnjë kopje nuk kish mbetur gjëkundi, dhe më pas konsiderohet si libër i ndaluar. Qarkullon nën dorë mes lexuesve. Romani që vjen pas, “Një natë dhe dy agime” (1963) për kampin fashist në Ustica, nuk i botohet kurrë derisa bie komunizmi. Romani “Ara në mal” (1970), ndodh që (viti) pëlqehet nga regjimi dhe fiton Çmimin e Republikës. Rehabilitimi është shumë jetëshkurtër. Në 1973 shkruan “Një emër në katër rrugë” që regjimi e sheh si rrezik ideologjik. Vepra e saposhtypur (në periudhën e komunizmit në Shqipëri veprat shtypeshin me tirazhe të mëdha) hidhet e gjitha për karton me urdhër nga lart, ashtu si dhe vëllimi “Poezi të zgjedhura”.
Autorin e përjashtojnë nga Lidhja e Shkrimtarëve dhe i heqin të drejtën e botimit, e heqin edhe nga tekstet shkollore dhe e shlyejnë krejt nga historia e letërsisë shqipe. Burrit më intrigues, të talentuar e të përveçëm të Tiranës së kohës, njerëzit nuk i flasin më rrugëve. Një mur heshtjeje dhe injorimi paralajmëron të keqen. Më 1975 i burgosin të birin Jamarbër 24-vjeçar për Agjitacion e Propagandë. Kish kaluar plot burgime Petro Marko, por ishte tjetër gjë burgosja e të birit; nga sistemi për të cilin Marko kish qenë gati të jepte jetën. Për familjen Marko përbërë prej katër njerëzish me talente e natyra unike – e shoqja Safo, piktore, i biri Jamarbëri poet, si edhe e bija Arianita, po ashtu piktore, ky vit shënon fundin e një ere shprese. E vuajnë të gjithë goditjen e ’75-ës.
ARRESTIMI
U arrestua dhe u internua gjatë monarkisë, kur nxori “ABC”-në në vitin 1935, u arrestua dhe u burgos në Shqipërinë fashiste në vitin 1941, u çua në burgun e Barit, po atë vit dhe më pas, u internua në ishullin e Ustikës, në kampin Frasketi deri në vitin 1943 dhe pastaj në burgun Regina Coeli në Romë, në 1944. Kur e do aq shumë lirinë siç e donte djaloshi bregdetar, mund ta pranosh edhe ta humbasësh teksa je duke luftuar për të. Por kur e burgosën në maj të vitit 1947, ishte ndryshe. E kishin dënuar ata që ai mendonte se i kishte shokë idealesh.
“Është një krim që më bëhet, se jam i pafajshëm dhe kurrën e kurrës, duke filluar qysh nga 1932, nuk i kam sjellë ndonjë dëm popullit…”, shkruante shkrimtari në një letër drejtuar Gjykatës së Lartë më 5 maj 1949. Do të kalonte edhe një vit tjetër në burg, për t’u liruar pas plot tre vitesh, në maj të vitit 1950. U arrestua se i kishin gjetur shkrime kundër vijës së partisë në redaksinë e gazetës “Bashkimi”, apo se u kishte dhënë informata anglo-amerikanëve.
“E vërteta është se unë çdo të huaji që vizitonte gazetën, gazetarë ose funksionarë të legatave dhe misioneve të huaja, u përgjigjesha pyetjeve që bënin. Doemos, kur pyesnin se sa është tirazhi i gazetës, unë si përgjigje nuk mund të thosha se nuk e di!”, ka shpjeguar vetë shkrimtari akuzën qesharake që e dënoi me tre vite burg, por, siç ndodhte zakonisht në atë kohë, dënimet ndaj tij nuk përfunduan me daljen nga burgu, por do të vazhdonin në forma të ndryshme gjatë gjithë regjimit diktatorial. Pasi i kishin vënë pranga zhgënjimi antifashistit të zjarrtë, regjimi vazhdoi t’i lidhte duart shkrimtarit dhe ndoshta këto pranga të padukshme i dhembnin edhe më shumë Petro Markos.
“U censurua e u gjymtua romani i tij i parë “Hasta la vista” (1957). Mbas botimit, iu ndalua në libraritë dhe bibliotekat romani i dytë “Qyteti i fundit” (1960). Iu ndalua realizmi i skenarit për film artistik “Bora e kuqe” (1960). Po mbas botimit, iu ndalua në libraritë dhe bibliotekat edhe romani i tretë “Stina e armëve” (1964)”.
VEPRA
Kaloi një jetë të trazuar duke provuar disa burgime por asnjëherë nuk ndaloi së shkruari/ Edhe kur e adhuronin, edhe kur miqtë e lanë vetëm nga frika e pasojave politike, Petro Marko nuk ndaloi së krijuari letërsi nga ajo që kur e prek të bëhet pjesë. Vazhdoi të shkruajë pa e braktisur veten edhe kur i hoqën të drejtën e botimit, edhe kur e ndëshkuan. Filloi të shkruajë poezi dhe proza të shkurtra qysh në kohët e shkollës në Vlorë. Ministri i Arsimit Mosi do i thoshte të shkruante vjersha. Vjersha asht shprehja ma njerëzore e mendimit dhe e zemrës. Shkruan “Një natë e dy agime”, poemat “Nase labi”, “Horizonti në kuletë”, “Parada e të uriturve”, romanet “Kodashi”, “Rrugëve të luftës”; “Nisja pa mbarim”, “Bija e kapitenit”… gjatë kohës kur ishte në Itali.
Në kulturën dhe letërsinë kombëtare Petro Marko është personalitet i përmasave të mëdha me shpirt e mendje të paluhatur para çdo stuhie. Ata që kanë njohur nga afër Petro Markon, kanë ndjerë se brenda tij rrezatonte një besim madhor ndaj njeriut dhe mirësisë. Pas çlirimit, Petro Marko shkruan romanet “Hasta la vista” (1959) dhe “Qyteti i fundit” (1960). Në vitet ’70 ai do të shkruajë romanin “Një emër në katër rrugë”, ndërsa periudhën e vështirë të jetës së tij në ishullin e Ustikës do ta përjetësojë në romanin e tij të rëndësishëm “Nata e Ustikës”. Faqet më të fuqishme të prozës së Petro Markos reflektojnë triumfin e dashurisë dhe të humanizmit njerëzor.
Pas tërë atij ferri nëpër të cilin kalon njeriu në rrëfimin e Petro Markos, ai arrin të mbetet i pamposhtur nga mizoritë e botës. Këtë bërthamë të brendshme e rrezatojnë personazhet nga romanet e tij, këtë shkëlqim biblik reflekton Petro Marko njeri dhe Petro Marko shkrimtar në tërë veprat e tij. Me romanet e tij Petro Marko hyri në personalitetet më të shquara të kulturës shqiptare që sollën risi të vërteta në traditën letrare shqiptare. Tek vepra e tij rrezaton bindja dhe besimi i lindur për dashurinë dhe humanizmin njerëzor, ndonëse sa rrojti ishte ndër personalitetet më të persekutuara dhe më të munduara./panorama
ObserverKult
lexo edhe:
Bubulina, luftëtarja arvanitase që nëpër beteja fliste vetëm shqip