Pas Shkupit, ekspozita me dorëshkrimet e shkrimtarit të madh shqiptarë, Ismail Kadare, u shfaq në mjediset e Bibliotekës Kombëtare “Pjetër Bogdani”, në Prishtinë.
Në çeljen e kësaj ekspozite të përgatitur nga Drejtoria e Përgjithshme e Arkivave (DPA) në bashkëpunim me Institutin e Trashëgimisë Shpirtërore dhe Kulturore të Shqiptarëve në Shkup (ITSHKSH) dhe Agjencinë Shtetërore e Arkivave të Kosovës (ASHAK), ishin të pranishëm Drejtori i Përgjithshëm i Arkivave, Ardit Bido, kreu i ASHAK-ut dhe njëherësh Sekretar i Përgjithshëm i Ministrisë së Kulturës, Rinisë dhe Sporteve , Bislim Bislimi, drejtoresha e Bibliotekës Kombëtare të Kosovës, Blerina Rugova Gaxha, shkrimtarë dhe qytetarë të interesuar.
Në fjalën e tij përshëndetëse, Bislimi theksoi rolin dhe angazhimin e Kadaresë në drejtim të pavarësisë së Kosovës.
“Pak më shumë se 4 muaj prej ndarjes së tij nga jeta, prezantojmë dorëshkrimet e shkrimtarit më të madh të kombit, Ismail Kadaresë. Falenderojmë DPA-në që në kaq pak kohë arriti të kurojë një ekspozitë gjithëpërfshirëse të veprës së Kadaresë. Është rasti që të theksojmë se na la pas një arsenal veprash që flasin mbi identitetin tonë kombëtar, historik dhe kulturor. Ky shkrimtar ishte padyshim një nga mbrojtësit e lirisë dhe të pavarësisë së Kosovës”, – tha Bislimi.
Në fjalën e tij, Bido u shpreh se nëpërmjet dorëshkrimeve të ekspozuara, depërtojmë në rrymën e nëndheshme të veprës Kadarenë, identitetin tonë kombëtar.
“Është nder dhe kënaqësi që në këtë vit, ndër shumë pëvjetore që kombi ynë ka, Drejtoria e Përgjithshme e Arkivave festoi 75-vjetorin e themelimit. Sërish një jubile me rëndësi, pasi në këtë arkiv frymon shqiptaria, e pakufizuar në kohë dhe në hapësirë, duke zotëruar më shumë dokumente para vitit 1945 mbi shqiptarët e Kosovës, të Maqedonisë së Veriut, të Malit të Zi dhe të Çamërisë, më shumë se në arkivat përkatëse.
Një dhuratë për këtë 75-vjetor, ishte telefonata që mora nga mikesha dhe botuesje Alda Bardhyli, e cila më dha sihariqin se familja Kadare dëshironte të dhuronte dorëshkrimet e shkrimtarit në DPA. Më shumë se një akt bujarie, është një amanet i pashprehur nga Kadare, i cili donte që dorëshkrimet e tij të strehoheshin në vendin, ku shkroi dhe u rrit si letrar. Mbi 44 mijë faqe dorëshkrime, hapin një punë shumë të madhe për studiuesit e Kadaresë sepse përvijojnë fillin e krijimit të shkrimtarit të madh, deri në procesin e botimit. Kadareja do të mbahet mend pas 100 vjetësh, si një shkrimtar i madh, që ka si nënshtresë të veprës së tij identitetin shqiptar. Do mbahet mend ndikimi drejtpërdrejtë politik në elitat politike franceze të kohës, që vendosën të rreshtoheshin krah aleatëve të NATO-s në mbrojtje të shqiptarisë”, – përfundoi Bido.
Ndërsa, në fjalën e saj, Gaxha vlerësoi perspektivën që ekspozita ofron, duke i ftuar studiuesit për t’u njohur me varientet fillestare të veprave të Kadaresë. “Është shumë me rëndësi që ta mirëpresim sot ekspozitën mbi një prej shkrimtarëve më të njohur të letërsisë shqipe, Ismail Kadare. Për të gjithë ne si lexues, kjo ekspozitë jep një perspektivë tjetër të veprës së Kadaresë, të një ane të dorëshkrimeve që sot është pothuaj në zhdukje. Shoh pjesë nga romani ‘Gjenerali i ushtrisë së vdekur’, romani i parë modern në letërisnë shqipe. Vepra ‘Frymëzime djaloshare’, që ka sjellë një frymë të re në poezinë shqiptare. Ndaj, kjo perspektivë mbi veprën e Kadaresë është e mirëseardhur dhe e rëndësishme, që të kemi një pasqyrë për t’iu kthyer Kadaresë edhe nëpërmjet shkrimit intim, versioneve të para të veprave të tij”, tha Gaxha.
Mes dokumenteve të ekspozuara, gjenden fragmente nga romani i parë i pabotuar i Kadaresë, “Tri shokët”, shkruar në moshën 11-vjeçare, si edhe gjurmët e vokacionit të tij për letërsinë ndikuar nga vepra shekspiriane, nëpërmjet dorëshkrimit të sprovës letrare “Hamleti, princi i vështirë”. Në këtë korpus materialesh, nuk mungojnë fragmente nga ditari për Luftën e Kosovës, “Ra ky mort e u pamë”, si edhe vlerësimet me çmimet dhe titujt “Komandant i Legjionit të Nderit”, “Oficer i Madh i Legjionit të Nderit”, “Princi i Asturias”, “Çmimi i karrierës” dhënë nga Akademia e Shkencave e Shqipërisë, si edhe dekreti për dhënien e nënshtetësisë së Republikës së Kosovës.
Ekspozita “Dorëshkrimet e Kadaresë” e pati premierën më 14 nëntor 2024 në mjediset e Bibliotekës së Kryeministrisë. Dokumentet nga krijimtaria e ngjeshur e shkrimtarit, u dorëzuan pranë DPA-së në shtator të këtij viti, në kuadër të një marrëveshjeje me familjen Kadare.
ObserverKult