Ndahet nga jeta gazetari i njohur, Zijadin Gashi

Pas një sëmundje të shkurtër u nda nga jeta gazetari, Zijadin Gashi.

Lajmin e kanë bërë të ditur familjarët e tij.

“Të dashur familjarë e miq, Me dhimbje të thellë ju njoftojmë që sot me datë 3.12.2024 ndërroi jetë më i dashuri jonë, Zijadin Gashi. Varrimi do të bëhet sot në varrezat e qytetit të Prishtinës në kohën e Ikindisë, ora 14:00”, thuhet në njoftimin e familjarëve të tij.

Zijadin Gashi, kishte pasur një ndërhyrje kirurgjike në tru para disa javësh.

Gashi e ka ushtruar profesionin e gazetarit prej vitit 1997, duke mbuluar aktualitetin politik në Kosovë.

Më herët gjatë vitit, Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës, i ka ndarë mirënjohje për kontributin e dhënë në gazetari, para dhe gjatë luftës në Kosovë, në periudhën 1998-99.

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, e ka ngushëlluar familjen dhe komunitetin e gazetarëve për vdekjen e Gashit, duke e përshkruar si gazetar të përkushtuar, i cili tërë jetën ia kushtoi punës në media.

“Karriera e gjatë dhe kontributi i tij në median e shkruar, elektronike dhe televizive u karakterizuan nga integriteti dhe angazhimi i palëkundur për informim të publikut, saktë dhe në mënyrë profesionale”, është thënë në deklaratën e lëshuar nga Presidenca.

Zijadin Gashi e ka përfunduar shkollimin e mesëm në gjimnazin “Sami Frashëri” në Prishtinë, për t’i vazhduar studimet në Universitetin e Prishtinës.

Ai ka lënë mbrapa vetes gruan dhe tre fëmijë, si dhe një trashëgimi të vlefshme në gazetari.

ObserverKult


Lexo edhe:

“VAJE”, POEZIA E ÇAJUPIT KUSHTUAR GRUAS SË NDJERË