Vjollcë Osmani- Leyla: Festivali është një ndër sfidat dhe ndjenjat më të bukura që mund t’i japi një artisti!

Këngëtarja, Vjollcë Osmani -Leyla, e cila përmes zërit të saj të veçantë ka krijuar deri tani disa këngë të bukura, që dëgjohen me ëndje, thotë se nuk e ka ndërmend të ndalet. Kjo sidomos, kur sipas saj, edhe pas disa vitesh në skenë këndon këngët së bashku me publikun dhe dëgjon e sheh komente tepër frymëzuese nga ata.

– Si lindi dashuria për muzikën?

-Muzika ka jetuar me mua qysh si fëmijë… Sa herë dëgjoja melodi të ndryshme, emocionet e mia si fëmijë ishin gjithmonë pozitive dhe të hareshme. Muzika është gjithçka, andaj unë kisha fatin të rritesha me të, dhe tani dashurinë që kam për muziken e shpreh duke krijuar këngë.

– Me cilën këngë u shfaqët për herë të parë?

-Në moshen 7-vjeçare, u shfaqa me këngën “Përralla në internet” e cila ishte këngë për fëmijë. Kurse tani me emrin tim të ri artistik, Leyla, depërtova me këngën “Malli”

– A keni shkruar tekst të ndonjë kënge deri më tash…ndoshta ndonjë ngjarje apo histori e juaj që ju ka pëlqyer dhe e keni ‘shkrirë’ në këngë?

-Këngët të cilat janë të publikuara deri më tani janë të gjitha të shkruara nga unë, ka edhe shumë këngë të tjera (rreth 50 këngë) të cilat akoma nuk janë publikuar. Janë me motive të ndryshme, sepse ndonjëherë motivin e gjej në ndonjë histori dashurie, në ndonjë thënie, apo edhe ndonje ngjarje të vërtetë jetësore.

– Keni qenë pjesëmarrëse në disa Festivale, a mund të na tregoni pak për këtë përvojë dhe a keni marrë çmime?

-Siç e ceka më lart, që në moshën 7-vjeçare arrita të prekja skenën muzikore, dhe që atëherë kam marrë pjesë në shumë festivale ku edhe jam kurorëzuar me çmime të ndryshme. Festivali është një ndër sfidat dhe ndjenjat më të bukura që mund t’i japi një artisti.

– Po Kosovën a e keni përfaqësuar në ndonjë Festival ndërkombëtar?

– Kosovën dhe Shqipërinë e kam përfaqesuar dy herë në festivale ndërkombëtare. Një herë në Slloveni e një herë në Maltë, në vitin 2017. Një ndër eksperiencat e mia më të bukura dhe më sfiduese, isha në mes 60 konkurrentëve nga e mbarë bota, dhe arrita që të zgjedhesha në të dyja festivalet në top 4 më të mirë.

– Ju u pati përzgjedhur si kantautore, për të qenë pjesë e Fondacionit Sunny Hill, e organizuar nga Dukagjin dhe Dua Lipa, çka mund të na tregoni për këtë?

-Viti 2024 për mua ka qenë shumë i mbarë, kam punuar fort për të shfaqur dhe për t’i dhënë publikut atë që unë di më së miri të bëj. Fondacioni i Sunny Hill i organizuar nga Dukagjin dhe Dua Lipa, zgjodhën 9 artistë të rinj, në mesin e të cilëve isha edhe unë. Kemi mbaruar një trajnim 1 javor në Suedi, krijuam këngë të cilat së shpejti do të degjohen, dhe punuam fort që të japim më të mirën e mundshme atje.

Tashmë në tregun muzikor në Shqipëri e Kosovë është duke u bërë ‘luftë’ se kush po lanson këngë më shpesh dhe me videoklipe. Si qëndroni ju në këtë aspekt?

– Është një “luftë” e cila ka kohë që ka filluar, ideja për të krijuar shpesh këngë dhe videoklipe është interesante, por kërkon shumë punë, energji dhe motiv. Unë po mundohem që të jem e pranishme çdo herë pranë publikut me projekte të mia dhe besoj se së shpejti do të arrijë edhe unë në atë “luftë”.

Po cila është kënga juaj që ka kaluar pritshmëritë, pse?

-Të gjitha këngët e mia janë pritur shumë mirë nga ana e publikut, mirëpo ajo këngë e cila kaloi pritshmëritë ka qenë kënga “Malli” e cila ishte këngë ime e parë me emrin artistik, Leyla. Ajo u prit shumë mirë edhe pse une isha tashmë një figurë e re për publikun dhe një “vibe” komplet tjetër nga ajo se ç’janë mësuar të më shohin.

– Të jetosh me këngën. Si është kjo lloj jete?

-Kënga me jep jetë! Është jetë e cila nuk dua të mbaroj kurrë, dhe do e rijetoja përherë. Këngë është formë e vetëshprehjes dhe krijimtarisë. Jeta e mbushur me këngë dhe muzikë është ajo që dua, dhe për të cilën jetoj e frymoj.

Çka ju pengon juve në tregun muzikor, diçka që mendoni se po e shkatërron muzikën e mirëfilltë dhe kush kishte me qenë ‘shpëtimi’?

-Tregu muzikor është shumë i vështirë. Për t’u bërë pjesë e saj, nuk është lehtë. Dhe po u bëre pjesë e saj duhet të dish të mbash një qëndrim të denjë. Nuk ka dicka që më pengon, por mendoj se artistët aktual duhet të kenë më shumë bashkëpunime me artistët e rinj, që të ketë një ‘thyerje të monotonise muzikore’.

Sot investohet apo shpenzojnë shumë në dukje, veshje të shtrenjta për një paraqitje në klipe ndërsa dikur me pak gjëra por me një këngë të mirë, rezultati ka dalë super i mirë. Çka po ndodhë me muzikën sot?  

-Muzika përveç pjesës që dëgjohet, duhet edhe të kuptohet. Ndonjëherë një videoklip i mirë spjegon shumë për atë së çka nuk mund të thuhet me fjalë. Investimet janë nga më të ndryshmet, por që çdo herë për të mirë. Çdo kush është i lirë të tregoj një stil unik, si në veshje si në ide. Gjithashtu mendoj se është diçka që edhe kërkohet nga publiku, sepse i pëlqen kjo lloj forme e të shprehurit në botën e muzikës.

Cilat janë disa nga mësimet më të vlefshme që keni nxjerrë nga sukseset dhe sfidat në karrierën tuaj artistike?

– Mësime kam marrë dhe marrë akoma. Muzika është det, çdo herë ka diçka më shumë për të bërë.

 -Ju ka mbetur peng për ndonjë profesion tjetër përveç muzikës…?

– Muzika është gjithçka e imja, kjo më pëlqen dhe këtë po bëj. Peng nuk kam, mirëpo nëse do të kisha zgjedhur ndonjë tjetër profesion, do të ishte sërish diçka në lidhje me artin, në këtë rast aktrimi.

-Si do të vazhdoj rrugëtimi juaj artistik, në Kosovë apo jashtë vendit? Keni ndonjë plan a projekt tash afër?

-Rrugëtimi im sapo ka filluar, do te jem prezente gjithmonë me projekte të reja dhe bashkëpunime. Nderkohë, do të kryej dhe një trajnim jashtë vendit në Suedi, me të cilin do të zhvillohem akoma më mirë në pjesen e të shkruarit dhe të krijuarit melodi.

Një mesazh i juaji për artistët e rinj, që duan të merren me muzikë?

– Edhe 1% talent të keni, punoni fort nëqoftëse dashuroni muzikën. Puna dhe dashuria janë gjithçka që duhet të keni në çdo gjë që doni të bëni.

ObserverKult


Lexo edhe:

ARISTOTELI: ORIGJINA DHE ZHVILLIMI I POEZISË