Vuante nga Parkinsoni/ Met Bega, aktori i njohur që “u harrua” nga të gjithë…

Met Bega është një nga ikonat e humorit të estradës së qytetit të Tiranës. Lindi më 7 gusht të vitit 1946 në Tiranë. Arti i tij ishte befasues nga shfaqja në shfaqje. Veprimtaria e tij artistike ishte e çmuar me personazhe, tematika, e batuta që vetëm Meti dinte t’i përcillte aq bukur për publikun.

Rolet e tij ishin të shumtë në filma të tillë si: Dy herë mat në vitin 1986, Tela për violinë në vitin 1987, Stolat në park në vitin 1988, Edhe ashtu edhe kështu në vitin 1989 etj. Batutat e thëna nga ai ende sot e kësaj dite i përdorim të gjithë ku më e famshmja ishte “Goca xhaxhit” apo “Kërkoj nuse nga gazeta” (skeçi me Mariana Kondin e Rita Latin) tek programet e humorit që organizoheshin për natën e ndërrimit të viteve.

Ai u bë pjesë e disa telekomedive ku së bashku me Marjana Kondin përcillnin humor të pastër e pa banalitete me origjinalitetin që i karakterizonte ato.

Por më 21 prill të vitit 2015 ai u nda nga jeta për shkak të sëmundjes së Parkinsonit. Të gjithë e donin figurën e Met Begës në televizion, pasi ishte i veçantë, por ky xhevahir i artit që tashmë fatkeqësisht nuk është më në jetë, nuk u vlerësua ashtu siç i kishte hije.

Shkëlqimi i dhjetra roleve të tij, i emocioneve, i një jete të gjatë e impenjative artistike ra menjëherë pas vdekjes së tij. Pas fjalëve “ngushëlluese e lotëve të krokodilit” në ditën e varrimit të tij, askush nuk u kujtua më për Met Begën.

Asnjë çmim nuk u dha pas vdekjes së tij, madje e lanë në harresë totale, në errësirën e varrit ku prehet trupi i tij i pa jetë prej 9 vitesh.

Të gjithë artistët u vlerësuan me çmime e dekorata si gjatë jetës ashtu dhe pas vdekjes, por këtë artist të madh e lanë në harresë./tirana1.com

ObserverKult


Lexo edhe:

SAMI FRASHËRI: KEMI DISA DIALEKTE, POR KËTO SHTOJNË BEGATINË E GJUHËS, S’KEMI NEVOJË PËR FJALË TË HUAJA