Ciniket sfidonin vlerat tradicionale dhe teprimet e shoqërisë. Filozofët cinikë shihnin qentë si modele për t’u ndjekur, pasi këto kafshë jetojnë të lira, pa u shqetësuar për opinionet e të tjerëve. Ndryshe nga kuptimi bashkëkohor i termit “cinik” – shpesh i lidhur me përbuzje, tallje, mospërfillje – cinizmi i lashtë ishte një filozofi që promovonte jetën e thjeshtë dhe refuzimin e luksit.
Origjina dhe kuptimi i cinizmit
Fjala “cinik” vjen nga greqishtja “kynikós,” që do të thotë “qenor,” e cila rrjedh nga “kynós” (qen). Kjo lidhje nuk ishte vetëm simbolike; cinikët ndiqnin të jetuarit e qenve: jetonin pa turp, të pavarur nga normat shoqërore dhe duke përmbushur nevojat bazë të tyre.
Kjo filozofi lindi në Greqinë e lashtë me Antistenin, dishepull i Sokratit, dhe u zhvillua më tej nga Diogjeni i Sinopës. Të dy këta mendimtarë sollën një perspektivë radikale, duke promovuar lirinë nga materializmi dhe kthimin tek natyra.
Filozofia e cinizmit: Një udhërrëfyes për jetën
Cinizmi lindi në kohën e ndryshimeve shoqërore dhe politike, kur Greqia po humbiste demokracinë e saj të lashtë, nën sundimin e Aleksandrit të Madh. Me përmbysjen e vlerave tradicionale, filozofia u përqendrua në individin dhe jetën e tij personale, duke e ndarë etikën nga politika.
Cinikët sfidonin çdo normë shoqërore dhe përçmonin njerëzit që ndjekin luksin apo jetojnë në tepri. Ata besonin se:
Lumturia është thjeshtësi: Një jetë e lirë nga pasuritë materiale dhe lidhjet e panevojshme sjell lirinë e vërtetë.
Liria vjen nga natyra: Bindja ndaj ligjeve të natyrës, jo ndaj konventave shoqërore, është çelësi për një jetë të lirë.
Vetëmjaftueshmëria është virtyt: Të kënaqesh me pak dhe të jesh i pavarur nga gjërat e jashtme është e rëndësishme për të patur një karakter të fortë.
Karakteristikat
Askesa: Cinikët praktikonin një formë të përditshme të vetëpërmbajtjes, duke e mësuar veten të përballonin vuajtjet dhe vështirësitë.
Apatia: Ata promovonin një qëndrim të pandikuar nga emocionet ose pasionet, për të mos u tunduar nga dëshirat për gjëra të panevojshme.
Autarkia: Jetesa e pavarur, pa mbështetje te të tjerët apo në tepricat materiale, ishte një nga idealet e tyre.
Skllavëria e luksit: Cinikët e konsideronin luksin dhe kënaqësinë si burime skllavërimi për njeriun.
Kritika ndaj shoqërisë: Përmes veprimeve dhe fjalëve të tyre provokuese, cinikët përpiqeshin të zgjonin ndërgjegjen shoqërore.
Përfaqësuesit kryesorë
Antisteni (445-365 p.e.s.): Themeluesi i filozofisë cinike, i frymëzuar nga Sokrati, e konsideronte virtytin si qëllimin më të lartë të jetës. Ai predikonte thjeshtësinë dhe vetë-mjaftueshmërinë.
Diogjeni i Sinopës (400-323 p.e.s.): Figura më e njohur e cinizmit. Ai jetonte në një fuçi dhe refuzonte çdo normë shoqërore, duke u bërë simbol i jetës së thjeshtë dhe të lirë. Me ironinë dhe veprimet e tij provokuese, ai sfidonte moralin e kohës së tij.
Kratesi i Tebës (365-285 p.e.s.): Edhe pse vinte nga një familje e pasur, ai hoqi dorë nga të gjitha pasuritë për t’iu përkushtuar filozofisë cinike, duke promovuar një jetë të bazuar në virtyt dhe thjeshtësi.
Hiparkia e Maroneas (350-280 p.e.s.): Një nga filozofet e para gra, ajo përqafoi filozofinë cinike dhe jetoi një jetë të pavarur, duke sfiduar rolet tradicionale gjinore të kohës.
Cinizmi në botën e sotme
Në ditët e sotme, termi “cinik” ka marrë një kuptim negativ, duke iu referuar shpesh qëndrimeve mosbesuese, ironike dhe të pamëshirshme ndaj vlerave të të tjerëve. Cinikët modernë shpesh kritikojnë normat shoqërore me një dozë të lartë sarkazme dhe provokimi.
Megjithatë, disa aspekte të cinizmit filozofik kanë një rezonancë të fortë edhe sot. Kritikimi i luksit, vetë-mjaftueshmëria dhe thirrja për të jetuar në harmoni me natyrën janë tema aktuale në një botë të mbushur me konsumizëm dhe ndotje.
Cinizmi filozofik ishte një shkollë mendimi që sfidonte status quo-në, duke inkurajuar një jetë të lirë nga materializmi dhe normat shoqërore. / bota.al
ObserverKult
kliko edhe:
Charlie Chaplin: Lakmia e ka helmuar shpirtin e njeriut… mendojmë shumë dhe nuk ndiejmë…