“Portret i pambaruar”, tregim nga Sami Milloshi

Nga Sami Milloshi

Ka kohë që dua t’i bëj një portret të plotë atij njeriu. Dhe prandaj, për ditë të tëra me radhë më është dashur të zë këtë qoshen e oxhakut te “Panera bread” në Stoughton. Këtu kam mundësi ta shoh këtë burrë të heshtur për dy orë rrjesht.

Ai rri aty si një copë shkëmbi, vë duart pëllëmbë mbi pëllëmbë dhe ngul shikimin diku, përtej xhamave të kafenesë, pa e lëvizur kokën as edhe një milimetër.

Mbi tryezë ka një kapuç të leshtë, dorezat dimërore, një kuti të metaltë me mbishkrimin: “Merry Christmas”, kupën e kafes, dhe kaq.

Hera-herës ai e përkul kokën dhe thith një gllënkë kafeje, që më siguri është ftohur e bërë akull. Pastaj prapë, shtang, me vështrim diku…

Hedh sytë poshtë në dysheme dhe sheh se paska harruar të lidhë këpucët. Përkulet dhe lidh këpucët.
Pastaj përseri përqendrohet diku duarlidhur. Nuk do t’ia dijë për asnjë zhurmë, për asked që hyn e del nga kafeneja…

Hap kutinë e metaltë dhe merr një biskotë oreo. E kafshon ngadalë dhe gjysmën e saj e vë përseri në kuti. E mbyll kutinë dhe ve duart pëllëmbë mbi pëllëmbë. Përsëri e ngul shikimin diku.

Asnjë muskul i fytyrës nuk i lëviz. Jam me fat t’i bëj një portret pa qenë nevoja t’i lutem: “Rri ashtu, mos lëviz”. Ai është lindur si një skulpturë e gjallë antike, ose ndoshta edhe unë jam lindur për të qenë përballë tij pa e marrë vesh se çfarë ka në kokë ai kur e ngul shikimin diku…

Unë përditë vuaj t’ia bëj një portret ta ruaj si dëshmi të kohës që kaluam bashkë këtu tek “Panera bread” në Stoughton. Por, përditë ka diçka që më sfilit. Kur vjen çasti për t’i vënë firmën portretit, ai ngrihet nga karrikja. Ve kapuçin dimëror mbi krye, vesh dorezat dhe, pasi sheh edhe një herë në atë pikën ku i kishte ngulur sytë për dy orë të tëra, pa e këmbyer as edhe një fjalë të vetme me askënd, fut kutinë e ëmbëlsirave nën sqetull dhe i drejtohet portës të dalë jashtë kafenesë…

Ah, ofshaj unë, edhe sot nuk ia mbarova portretin, më la shëndenë dhe iku…

ObserverKult


Lexo edhe:

“NJË MËNYRË PËR T’U BËRË HERO”, TREGIM NGA SAMI MILLOSHI