Teodor Keko ishte poet, tregimtar dhe gazetar i njohur.
Shquhet për antikonformizmin e tij, mjeshtrinë dhe thjeshtësinë në rrëfim.
Ndër romanet e tij më të njohura është “Shënimet e një gruaje”. Në këtë roman mund ta gjej veten mbase çdo grua, sepse në to flitet për dashurinë dhe për pjesën më të sinqertë njerëzore.
Ky roman i Teodor Kekos është botuar fillimisht në vitin 1995 dhe një fragment nga “Shënimet e një gruaje” mund ta lexoni në vazhdim:
Pas dy ditësh unë ia ndjeva hapat që në korridorin e shkallëve dhe e trokitura e saj më kapi kur vrapova t’ia hapja derën. Ishte po ajo e para, pa asnjë ndryshim, si ato portretet e përjetshme të të vdekurve në maskën e allçiut të hedhur fill pasi i ikuri i ka lënë shëndenë kësaj bote. Flaku çantën në tavolinën e vogël, pastaj u lëshua si thes, në kolltuk. Nuk gjeje as gëzim, as dëshpërim tek ajo, as lodhje, as prehje. I hodhi një sy tavolinës së madhe ashtu siç ishte, e shtrirë sa gjerë gjatë shkujdesshëm në kolltuk dhe vuri buzën në gaz.
-Do ta festojmë?
-Fol!-i thashë.-Na plase!
Po rrija zemërngrirë, si kallëp akulli ishte bërë, e përcaktoi më pas ajo pamjen e ankthshme që kisha marrë.
U ngrit e u rregullua në kolltuk. U bë serioze.
-Kardiolog!-tha. -Në spitalin e Tiranës, simpatik, më i zgjuar se unë. Mund të shtoj gjithashtu: Figurë e njohur aq, sa pacientët ia kanë hequr të drejtën të paguajë në lokale. Profesionist në zanat. E shihte qetësisht kamarieren kur i thoshte:
“doktor, janë të paguara!”. Hante dhe s’fliste. Sa për dijeni, dinte të hante!
Tip kompjuteri, i serviri të dhënat me një rregull indiferent.
-Nuk tallesh?
-Për kokën tënde!
-Kot u drejtova te dashuria!-thashë me pikëllim paksa komik.-Sakrifica të kota! Mëshihu rrënzave me një të puthur në xhep…
Ajo u ngrit dhe më puthi. Por ose qe tepër e lodhur, ose nuk ishte e lumtur. Po beja tre vjet me të në një apartament dhe nuk e ndjeva njëherë të këndonte, kurse zërin e kishte të ngrohtë dhe vetë më tha diku në një bisedë se në moshë të njomë shihte ëndrra se do të bëhej këngëtare me nam. Por u ftoh me ëndrrën e saj, apo i hyri tmerri nga torturat që pësoi në një Dekadë Maji, ku ajo do këndonte me grupin e Pallatit të Pionerëve. E mbajtën tetë orë qiri me këmbë në prapaskenë. Dhe nuk shkeli më në Pallatin e Pionierëve. Atë natë u betova se do ta bëja të këndonte. Zbulova se ruaja të paprekur një dell kllouni brenda vetes dhe kulmi i euforisë sime arriti kur deklarova:
-I duruari, i fituari!
Qeshi më në fund tamam, me gjithë shpirt, siç e lëshonte zërin rrallë herë. Atë natë e cyta parreshtur të pinte verë, derisa u turbullua diçka. Atëherë më tha duke futur gishtërinjtë e saj të gjatë nëpër ricat e flokëve: -Gëzohem vetëm që do të bëhem nënë! Do lind një vajzë dhe një djalë! Jo, nuk dua! Në asnjë mënyrë!…Nuk besoj të më prishet trupi, ëë?…Djalin do ta vesh me rrobe të bardha, le të bëhet pis!…Do ta bëj si veten, më të bukur, ke për të parë! Do mbaj gjatë barrës mollë të mëdha përpara! Del fëmija i bukur, thonë…
Nuk duroja dot më! Më hynin fjalitë në kokë si freza e dentistit drejt e në nervin e pangordhur të dhembit.
-Mos ma prish,-iu luta,-këndo një këngë!
-Ehu , i kam harruar!- tha.
-Një për mua e mban mend!-këmbëngula.
Më pa njëherë, duket iu prish mendja, se filloi të mendohej me ç’këngë të ma plotësonte tekën, pastaj papritur i gurgulloi zëri: “Ti, moj vajzë, që rri te porta,mos dëgjo se ç’thonë bota!… “ E këndoi me gjithë shpirt deri në fund.
Dhe unë u pendova në çast për kokëshkrepjen ta bëja të këndonte ! Ajo e mbaroi këngën dhe tha gjithashtu edhe mendimin që po më rrotullohej mua në kokë. Tha pikërisht:
-Kjo këngë sikur është bërë për mua!
S’bëhej dot lojë fjalësh. Nga pozita e vështirë të nxjerr faqebardhë filozofia.
-Sepse jeton problemi, jeton dhe kënga, -ia nisa unë. –Sot këndohet gjithmonë e më pak, si duket fenomeni po reduktohet…A nuk të tingëllon edhe ty si diçka arkaike?
-Jo! –ma ktheu shkurt.
Unë thashë me vete: si duket është koha kur filozofia nuk pi ujë! Tani t’i lutem mëmës natyrë mos prishet darka, të paktën!
*Fragment i shkëputur nga romani i “Shënimet e një gruaje”
Përgatiti: A.S.- ObserverKult
——————–