
Poeti i njohur Xhevahir Spahiu festoi më 1 mars 80-vjetorin e lindjes. Me këtë rast Akademia e Shkencave nderoi dje poetin me anë të një veprimtarie shkencore jubilare. Të pranishëm në këtë aktivitet përveç vet poetit ishin kritikë letrar dhe dashamirës, mes tyre edhe djali i tij.
“Një njeri që guxoi të sfidonte kohën me vargjet e tij, duke u bërë simbol i shpirtit të lirë dhe modern të poezisë shqiptare. Për ne ai është dhe mbetet njeriu i thjeshtë me një shpirt të madh me njëmendje të ndritur dhe zemër të pastër,” tha djali i poetit, Orges Spahiu.
Po kush është Xhevahir Spahiu?
Xhevahir Spahiu lindi më 1 mars të vitit 1945 në Malind të Skraparit. Kreu studimet e larta në degën e gjuhës shqipe e të letërsisë në UT (1967). Spahiu është anëtar i Akademisë së Shkencave të Shqipërisë që nga viti 2008. Njihet si mjeshtër i fjalës dhe metaforave.
Ai ka spikatur edhe në gjini të tjera letrare-artistike. Gjatë jetës së tij ka botuar mbi 50 vepra poetike, monografi e studime estetike, mes të cilave sbhuhen vëllimet poetike; “Vdekje perëndive” (1977), “Zgjimi i thellësive” (1979), “Nesër jam aty” (1987), “Kohë e krisur” (1991), “Ferrparajsa” (1994), ‘Pezull” (1996), “Rreziku” (2001) etj.
Poezia e Xhevahir Spahiut është përfaqësuar gjerësisht në të gjitha antologjitë e poezisë shqipe të botuara gjatë 20 viteve të fundit në Shqipëri dhe në gjuhë të huaja.
Ka fituar dhjetëra çmime kombëtare e ndërkombëtare në krijimtari letrare, publicistikë, tekste muzikore dhe skenarë filmash.
Është dekoruar me urdhra të lartë dhe medalje:
-Udhri “Mjeshtër i madh” dhënë nga Presidenti i Republikës, Tiranë 2005;
-Medalja “Naim Frashëri”, 1972;
-Medalja e Punës, 1974;
-Urdhri “Naim Frashëri” ,kl.II, 1982.
ObserverKult



Lexo edhe:
A E DINI CILAT ISHIN QEVERITË SHQIPTARE NGA ISMAIL QEMALI DERI TE QEVERIA KOMUNISTE E ENVER HOXHËS?






