Juda: një udhëtim në botën e dyshimeve dhe vetmisë

Rreth romanit “Juda” të Amos Ozit.

Në letërsinë moderne, emri i një personazhi nuk është thjesht një element narrativ, por shpeshherë shndërrohet në një nyje semantike që përthith shtresime kulturore, aluzione mitike dhe ngarkesa historike që e vendosin veprën në dialog me përjetimin ekzistencial të kohës. Ai funksionon si një portë hyrëse drejt strukturës së brendshme të veprës, duke e lidhur strukturën narrative me traditën dhe me përvojën ekzistenciale që e ka formësuar. Shumë autorë të mëdhenj kanë përdorur emra të tillë për të krijuar figura që nuk mbeten thjesht konstruksione imagjinare, por bëhen bartës të dilemave morale, shpirtërore apo historike. Një nga shembujt më të spikatur të kësaj praktike është romani “Juda“ i Amos Ozit.

albana beqiri

Nga Albana Beqiri

Në këtë vepër që shquhet për thellësi të shtresimeve narrative dhe ideore, Ozi e merr figurën e Juda Iskariotit, simbolin biblik të tradhtisë dhe e rivlerëson përmes një rrëfimi të ngarkuar me ndjeshmëri njerëzore, introspeksion dhe reflektim historik. Thënë ndryshe, ai nuk rikrijon thjesht një figurë biblike, por e zhvendos atë në një plan të ri ekzistencial, si figurë e të përjashtuarit, e mendimtarit të mbetur në margjina dhe e idealistit të keqkuptuar. Përmes kësaj figure, Ozi ndërton një nga veprat më komplekse dhe më domethënëse të letërsisë izraelite bashkëkohore. Qysh në fillim të romanit, përmes një strukture të ndarë në tri linja rrëfimore që ndërthuren mes vete, autori nis të zhvillojë një kritikë të nënkuptuar ndaj mënyrës sesi historia shpesh i ngurtëson dhe i redukton figurat në vetëm një dimension.

Ngjarja zhvillohet në Tel Avivin e viteve ’50, në një dimër të ftohtë, i cili pasqyron mbylljen shpirtërore të personazheve. Romani ndjek historinë e Shmuel Ashit, një student i letërsisë dhe historisë së ideve, i cili, pas një ndarjeje të papritur dhe vdekjes së të atit, braktis gjithçka dhe punësohet si kujdestar për Gershom Waldinin. Ky i fundit është një burrë i moshuar, i mençur dhe ironik, që jeton i izoluar në një shtëpi të vjetër në Jerusalem, e cila në të vërtetë është një hapësirë e ngrirë në kohë: aty është fshehur historia e një familjeje të ndarë nga politika, feja dhe vdekja. Pikërisht në një ambient të tillë, Shmueli futet në një botë të mbyllur, ku dialogët e gjatë me Waldin hapin tema të mëdha rreth religjionit, shtetit të Izraelit, natyrës së historisë dhe të njeriut. Në këtë hapësirë gjysmë të errët e gjysmë të përhumbur jeton edhe Atalia Abrabaneli, një grua misterioze dhe sfiduese, e cila mbart në vete plagët e historisë izraelite. Në këtë trekëndësh të mbyllur, zhvillohet dialogu i heshtur i romanit me vetëdijen historike të kombit izraelit dhe me figurën e Judës si simbol.

Ozi e përdor emrin “Juda” jo vetëm si referencë biblike, por para së gjithash si provokim etik dhe historik. Përmes gojës së Gershomit dhe Atalisë, ai ngre pyetje të vështira mbi natyrën e tradhtisë, mbi themelimin e shtetit të Izraelit dhe mbi çmimin moral dhe njerëzor që kërkon ndërtimi i një të ardhmeje të përbashkët. Një nga reflektimet më të fuqishme të romanit vjen nga mendimi se Juda nuk ka qenë një tradhtar në kuptimin klasik, por një njeri që kishte shpresuar se veprimi i tij do ta shtynte Jezusin të shpaloste hyjninë e vet përmes një akti të madh. Është një këndvështrim që e zhvendos thelbin e romanit drejt humanizmit dhe relativizmit moral: “Çfarë nëse Juda nuk e tradhtoi Jezusin për 30 aspra, por e donte aq shumë sa deshi ta shtynte ta shfaqte lavdinë e tij? Çfarë nëse besonte se ai ishte Mesia dhe bëri gjithçka për ta detyruar të dëshmohej?”

Në të vërtetë Shmueli i cili është në kërkim të një teme për tezën e tij të lënë pezull, është ai që përpiqet të rizbulojë Judën jo si tradhtar, por si dishepullin më të devotshëm. Në këtë lexim “heretik”, Juda ngjan me figurën tragjike të Ivanit te “Vëllezërit Karamazov” të Dostojevskit, i cili përmes dyshimit e shtyn Aljoshën të përballet me paradokset e fesë. E ashtu si Ivani, Juda nuk e mohon, por e zhvendos besimin në një sferë më të thellë dhe më të dhimbshme. Në të njëjtën frymë, Juda i Ozit i afrohet Prometeut të lidhur të Eskilit: një figurë që sfidon autoritetin për hir të një të vërtete më të madhe. Ai nuk e tradhton Krishtin, por e beson deri në flijim. “Juda nuk e tradhtoi Krishtin; ai e besoi më shumë se kushdo tjetër,” thotë Shmueli, duke e kthyer kështu tradhëtinë në aktin më radikal të besnikërisë.

Kjo perspektivë radikale, e cila e zhvendos tradhtinë në një akt besimi të çmendur, në të vërtetë është thelbi i qasjes së Ozit ndaj historisë dhe natyrës njerëzore: askush nuk është vetëm ajo që historia thotë për të. Kështu, Juda shndërrohet në metaforë të atyre që guxojnë të mendojnë ndryshe, që flijohen nga sistemi, nga shoqëria, madje edhe nga ata që duan më shumë.

Në thelb, kjo qasje e re mbi një figurë të fiksuar në imagjinatën e krishterë si simboli i të keqes, është një akt i thellë i “shkrimit ndryshe” të historisë, që e bën romanin “Juda” një vepër të jashtëzakonshme jo vetëm letrare, por edhe morale.

Në planin narrativ, romani është ndërtuar me kujdes mjeshtëror. Rrëfimi zhvillohet në disa shtresa të ndërlidhura: përveç vijës së jashtme që ndjek jetën dhe dilemat e Shmuelit, ndërtohet paralelisht një rrëfim filozofik, i artikuluar përmes dialogëve me Gershomin, si dhe një shtresë më e thellë reflektimesh historike, e cila mbart një thirrje sokratike për të vënë gjithçka në dyshim. Struktura e romanit ta kujton atë të Zarathustrës së Niçes, me një protagonist që lë qytetin, në kërkim të një mënyre të re të të menduarit, por ndryshe nga Niçja, Ozi nuk kërkon përmbysjen rrënjësore të vlerave morale dhe metafizike, por vetëm dhe rilindje të ndjeshmërisë njerëzore. Në një botë ku gjithçka është polarizuar në “ne” dhe “ata”, autori kërkon të mbrojë hapësirat e mendimit të ndërmjetëm, të përvojës së dyshimtë, ku njeriu nuk është as profet, as armik, por vetëm dëgjues i së vërtetës së tjetrit.

Veçmas, vija e tretë e rrëfimit, e përshkuar nga dialogët filozofikë, ndërthuret me një përsiatje të brendshme që e afron prozën me meditimin poetik. Gjuha e Ozit është e qartë, e ndjeshme, me një ritëm të heshtur që përcjell thellësi mendimi. Ai arrin të mbajë pezull konfliktet e mëdha ideologjike pa rënë në retorikë: diskutimi për shtetin hebre, për besimin, për drejtësinë dhe të drejtën, kthehet në një reflektim të hollë, por me peshë të thellë mbi natyrën e qenies.

Rrëfimi, ndonëse i ngadaltë në pamje të parë, është i përshkuar nga një tension i brendshëm që rritet në heshtje. Është një vepër që kërkon vëmendje dhe përkushtim, sepse çdo dialog mbart një nëntekst të thellë, të tillë ku edhe heshtja ngre një pyetje të pathënë. Emri “Juda” shndërrohet në një udhë hyrëse drejt mendësisë së autorit, në shpirtin e një kombi dhe në thellësitë e asaj çka do të thotë të jesh njeri.

Nëpërmjet figurës së Judës, Amos Ozi rikthehet tek pyetjet themelore që prekin jo vetëm identitetin hebraik dhe të drejtën e Izraelit për të ekzistuar si shtet, por edhe vendin që zënë të përjashtuarit, ata që historia i ka damkosur si tradhtarë, por edhe ata që zgjedhin vetë të mos bëhen pjesë e narrativës kolektive. Pikërisht këtë përvojë të margjinalizimit e mishëron Gershom Waldi, një nga personazhet kyçe të romanit, kur thotë: “Dikur, kur njerëzit nuk ishin dakord me mua, përpiqeshin të më bindnin. Sot, kur nuk janë dakord, më urrejnë.” Kjo thënie nuk është thjesht shprehje e zhgënjimit personal, por e reflekton thellë krizën e dialogut në një shoqëri që po radikalizohet, ku hapësira për mendimin ndryshe ngushtohet deri në përjashtim. Është një paralajmërim që rezonon me idetë e Albert Kamys te “Njeriu i revoltuar”, ku ai flet për momentin kur dialogu shuhet dhe bindja fanatike zë vendin e arsyes së përbashkët.

Personazhet janë ndërtuar me një ndjeshmëri të thellë etike dhe psikologjike. Shmueli shfaqet fillimisht si një figurë e përulur dhe e padukshme, por përmes vetmisë dhe përkushtimit ndaj dëgjimit të tjetrit, arrin një lloj pastrimi dhe ripërtëritjeje të brendshme. Waldi, me mprehtësinë e tij të lodhur nga rrjedha e kohës, përfaqëson inteligjencën që, megjithëse tërhiqet nga qendra e vëmendjes publike, ruan një thellësi reflektimi që vjen nga përvoja jetësore. Ndërkaq, Atalia, figura më enigmatike e rrëfimit, është si një Penelopë moderne, e cila nuk pret kthimin e askujt, por ruan heshtjen si një formë fuqie të qëndrueshme dhe të vetëdijshme.

Amos Ozi e përdor mikrokozmosin e krijuar prej tij në roman si një pasqyrë të ndarjeve të thella brenda shoqërisë hebraike: ndarje mes brezash, gjinive, ideve dhe idealeve. Një nga arritjet më të mëdha të veprës është aftësia për të shndërruar një bisedë të zakonshme në një duel të heshtur mes botëkuptimesh, ku çdo fjalë mbart peshën e një reflektimi të thellë.

Romanin “Juda” të Amos Ozit mund ta lexojmë si një përsiatje të thellë mbi tradhtinë, besimin dhe vetminë jo vetëm në aspektin historik e fetar, por edhe në përmasat më të ndërlikuara të shpirtit njerëzor. Ai nuk është thjesht një roman mbi historinë apo fenë; është një reflektim i thelluar mbi nevojën për dhembshuri, për një dëgjim të kujdesshëm që kap edhe zërat e zbehur nga periferia e diskursit shoqëror. Vepra mund të lexohet Gjithashtu edhe si një ftesë për të njohur format e qenësishme të ekzistencës që zhvillohen jashtë qendrës së pushtetit dhe larg narrativave dominante. Ajo shtrihet me një intensitet të heshtur, duke e zhvendosur theksin nga dinamika e rrëfimit te tensioni i mendimit, tension ky që nuk shpërthen, por vepron në thellësi, duke e sfiduar lexuesin jo përmes ngjarjes, por përmes reflektimit. Amos Ozi nuk ofron përgjigje të prera, por ngre pyetje dhe nxit dyshimin reflektues. Pikërisht ky dyshim njerëzor, i përulur dhe i përqendruar në kërkimin e paqes së brendshme, e bën “Juda”-n një roman me vlera universale dhe me një rezonancë që tejkalon kohën.

Romani “Juda” është botim i Skanderbeg books.

ObserverKult


Lexo edhe:

ALBANA BEQIRI: GRUAJA SI SUBJEKT MITIK DHE POETIKA E EROTIZMIT