
Nëse ashtu siç thotë shkrimtarja britanike Jeanette Winterson “trupi është po aq poezi sa edhe shpirti, veçse ai flet me një tjetër alfabet”, Donika Dabishevci i ka bërë bashkë trupin dhe shpirtin të cilët në poezitë e saj flasin me alfabetin e një gjuhe të vetme: atë të dashurisë së përbotshme.

Nga Albana Beqiri
Të mbledhura brenda vëllimit poetik “Kam me ardhë si deka” poezitë e Dabishevcit janë zëra të mishëruar si dhe frymë të munguara mes dy trupave që nuk e kanë harruar njëri- tjetrin edhe pse koha mund të ketë shkuar, janë poezi të kakaterizuara nga guximi si në përdorimin e gjuhës, ashtu edhe në figuracion apo edhe në ndjesinë e një zëri poetik që kërkon të përvëlojë. Prandaj edhe ky vëllim poetik duhet të lexohet si një akt përflakjeje ekzistenciale, si poezi e shqisave dhe e shpirtit, zë që ngjizet e ngjitet nga thellësitë e gruas si ndjenjë dhe si fuqi kozmike. Me titullin goditës “Kam me ardhë si deka”, krejt vëllimi përhapet si një zjarr simbolik e sensual, në të cilin ndërtohet një kozmos i egër e intim, ku dashuria, vdekja, epshi dhe rilindja nuk janë më përvoja të ndara, por aspekte të të njëjtit shpërthim femëror.
Ajo që si lexues të bie së pari në sy gjatë leximit të poezive të librit, është fakti se poetja në nderim të thellë të gjinisë së saj e trajton gruan si qenie mitike, të cilën e përcjell përndritja dhe përvëlimi, në secilin varg, në secilën poezi.
Subjekti lirik i këtij vëllimi nuk shpërfaqet i ndrojtur e as konvencional, por është i zjarrtë, i gjallë dhe flakëron si entitet mitik.
E në poezinë që i jep titullin librit, gruaja vjen si një figurë e frikshme dhe magjepsëse njëkohësisht, një lloj fataliteti që e kaplon tjetërsinë përmes trupit, mendjes dhe shpirtit. “Kam me t’pre n’besë/ n’mue ke me u shtri/ epshin ma t’egër/me ma përplasë n’gji”(fq 91)…”Si deka kam me t’ardhë/ ngeshëm, hap’randë/egër me t’miklue”(po aty). Ndërsa në poezinë “Mos u tkurr”, (fq 13-14) vjen si forca që përpin dhe shpëton: “Ti ke me u kthye n’moçal,/ unë n’llavë vullkani…” Ajo është një fuqi kozmike, njëherazi shkatërruese dhe e mbushur jetë. Ky dualizëm është zemra e poetikës së Dabishevcit: gruaja është njëkohësisht shpërthim, mallkim, shpëtim dhe shkatërrim. Ajo dashuron dhe njëkohësisht “dënon”, flet me zjarrin e dashurisë dhe “tmerrin” e mallkimit dhe përjeton dëshirën si shpërthim vullkani. “Kam me t’ba me dashtë jetën,/ kam me t’ba me pa dekën” (“N’besë”, fq. 21) apo “Kan’ me kërcitë/ tanë damart prej mllefi,/ ka me u përskuqë lkura/ ftyra me u përflakë qefi/ dashninë kem me e ba luftë/ e luftën dashni”. (“Me ty” fq.47)
Nuk i lutet jetës, por e urdhëron ndjenjën me gjuhë imperative që e shndërron poezinë në akt ritual: “Shndritma zemrën,/ përflakma trupin./ Dhe po: Buzën!”(“Mos u tkurr”)
E gjithë kjo, sepse gruaja nuk është objekt shikimi, por subjekt dëshire, vullneti dhe akti. Në poezinë “Buzën!” (Fq. 17), ajo shfaqet si “diellore”, si një qenie kozmike që e ndriçon, e djeg dhe e shkatërron tjetrin nëse ky nuk pranon shpërthimin e saj. Kjo figurë femërore është shpesh një perëndi që kërkon, sfidon, josh dhe dënon, një Venus me rrënjë në mitologjitë lindore dhe ballkanike.
Ajo që e bën të veçantë dhe paksa jokonvencional këtë vëllim poetik është erotika, e cila shpërthen brenda materialit poetik si gjuhë shpirtërore.
Prandaj në vëllimin “Kam me ardhë si deka”, erotika nuk është dekor, as metaforë e sofistikuar. Ajo është mënyra për të qenë. Është fryma që mban gjallë universin poetik të librit. Sepse subjekti lirik dëshiron deri në copëzim: “e me vlu / e me u shkri / me shpërthy” (“Dashnisë së një nate” fq.22). Kjo formë e dashurisë është absolute, përtej fjalës, përtej kohës. Është mënyra për të jetuar, por edhe për të vdekur: “me rrnue n’kafshim” është një nga figurat më përfaqësuese të poetikës së këtij libri. “E pamshirë për trupin e përflakun,/me pezm n’lkurën e lagun,/si venë kam me t’pi./ Për kadaldale…/kurr’ orë e bardhë mos m’paftë,/kurr’ ditë e re mos ardhtë,/du me u knaqë me ty” (“Du me t’pi” fq.39). Siç shihet, dëshira shfaqet si uragan ekzistencial, ku dhurimi trupor nuk është më vetëm përjetim sensual, por edhe rit shndërrimi: “Due me t’pas’ krejt,/t’zhveshun dej n’asht…” (fq.22) Të gjitha vargjet e cituara përshkruajnë një pikëshikim tjetër të bashkimit trupor, atë ku gruaja nuk jepet, por shndërrohet. Erotika bëhet shpirt, përtej estetikës, përtej mendjes. Trupi nuk është më kufi, por mjet për të tejkaluar qenien, një fushëbetejë ku dhembja, dëshira dhe hakmarrja janë një.
Erotika në poezitë e Dabishevcit është dëshirë e pakamufluar, njëkohësisht e ndjeshme, e përfytyruar, e drejtpërdrejtë, por edhe e mistifikuar. Poezitë si “Dashnisë së nji nate”, “Jepmu” (fq.19), “Vullkan” (fq.25), “Me rrnue n’kafshim” (fq.32) etj janë pasione të mishëruara në fjalë, një gjuhë që nuk e ndan shpirtin nga trupi. Erotizmi këtu nuk është zbukurues, por i egër, i përgjakur, i vërtetë, një ritual mes mbijetesës dhe vetëzjarrmimit, ku dëshira shumë përtej një kënaqësie të thjeshtë, është mallkim dhe shpëtim, “llavë” që përvëlon të dy palët, burrin dhe gruan.
Në poezinë e Dabishevcit dashuria dhe urrejtja shpërfaqen si dy anët e të njëjtës medalje, ato bashkëjetojnë me njëra- tjetrën në një “paqe” që trondit.
Në poezinë “N’besë” (fq.20), gruaja e jep besën si një akt absolut, por brenda saj fle një mallkim i egër që shpërthen si hakmarrje mitike. Dashuria dhe urrejtja bashkëjetojnë në të njëjtin akt poetik, duke e kthyer ndjenjën në një ritual të ndëshkimit dhe rilindjes “Kam me t’dashtë/ … Po, edhe kam me t’urrejtë.”
Ky tension i brendshëm mes dhurimit dhe dënimit e shndërron poezinë në një rrëfim të tragjedisë njerëzore. Dabishevci e ngre ndjenjën në përmasë tragjike: dashuria e saj nuk është shpëtim, por thirrje për përballje me vetveten. Megjithëse fillimi i librit është i mbushur me vrull, shtytje dhe njëfarë “luftërash erotike”, më pas tonet e poezisë fillojnë të thellohen në reflektim dhe brishrësi përjetimesh. Poezia “Edhe atëherë kur…” (fq.42), “Plot me ty” (fq.49), “Etun loje” (fq.67), “Zoti jem” (fq.48) sjellin një ndjenjë përulësie, ndalimi, përmbajtjeje para një ndjenje më të madhe, që ndoshta është dashuria e pastër, ndoshta është vetë Zoti. Këto poezi tregojnë pjekuri të zërit poetik dhe e balancojnë shpërthimin me heshtjen, dhimbjen me urtësinë.
Gjuha poetike e këtij libri nuk kërkon të zbukurojë realitetin, veçmas atë të dashurisë. Përkundrazi, ajo e zhvesh, e shkel dhe e ringjall atë. Nuk është metaforike në kuptimin klasik, por është trupore, paksa mizore, por edhe muzikale. Çdo varg ka lëng, temperaturë, tension: “me t’i shkye shtatë lkurat/ si rrangalla t’vjetra” (“N’atë t’përveçmen ditë”) apo “n’llavë ke me u zhba e kam me t’përbi/ si kulçedër zjerm kam me lshu” (“Vullkan”), figura këto që e ngarkojnë vargun me intensitet vizual e emocional. Gegnishtja e pasur dhe e përjetuar në varg jo si nostalgji, por si mjet fuqizimi dhe autenticiteti emocional e bën gjuhën mjet të përjetimit e jo të komunikimit. Ka një theks të fortë në përsëritje (buzën, zjarrin, hijen), që funksionon si mantra, si këngë e lashtë rituale për shndërrim dhe flijim. Gjuha (gegnishtja realisht) vetshndërrohet në përleshje mes instinktit dhe shpirtit. “Se t’lakmoj n’gegnishte,/ si bishë e tërbueme,/si bishë e pangishme!” (“Ninullë”). Leksiku i poezive është dramatik, i përflakur, me figura të dendura si “kam me t’damkosë me dhambë”, “kam me t’helmu me larva”, “kam me t’përbi si kulçedër”, që e lidhin zërin poetik me mitologjinë e me arketipe të egra e të lashta.
Për të mbetur te gjuha dhe figuracioni i vëllimit poetik “Kam me ardhë si deka” duhet thënë se poezitë shquhen për simbolikën dhe mitologjitë e brendshme. Kështu, “diellorja”, “lunatikja”, “kulçedra”, “Edeni”, “hanët e mllefosuna”, “dreqi”, janë figura që krijojnë një mitologji të brendshme të librit, ku çdo ndjenjë e fuqishme merr një formë arketipale. Kjo mënyrë e kodimit të përvojës i jep poezisë thellësi dhe universalitet. Nuk është më thjesht historia e një dashurie, por një cikël krijimi dhe shkatërrimi, një rit hyjnor që përjetohet përmes trupit të një gruaje të pagabueshme, por gjithashtu të përvëluar. Psh në poezinë “Edeni jem!”, gruaja shndërrohet në peizazh hyjnor: “n’kopshtin tand t’Edenit/ n’strehën e amshimit/ mos me pasë gjarpën/as dreq që m’nalë”
Ajo nuk është më vetëm dashnore, por është vetë vendi ku rikthehet bota, pa faj, pa përjashtim e pa ndëshkim. Ky është momenti i të vetmes tërheqjeje hyjnore në vëllim; një oaz shprese e paqeje në universin e trazuar poetik.
Për fund, “Kam me ardhë si deka” është një liturgji e ndjenjës në formën më ekstreme: një poezi që shpërthen nga thellësitë e gruas, që e vë gjuhën në funksion të përjetimit total, ku trupi nuk është më kufi, por mjet i shndërrimit, është një shpërthim sensualiteti dhe mendimi. Është një poezi e mishëruar, e pangopur, e përgjakur, por mbi të gjitha, e gjallë. Dhe kjo është fuqia e saj më e madhe.
Vëllimi poetik “Kam me ardhë si deka” është botim i shtëpisë botuese LITTERA
ObserverKult
————————-
lexo edhe:
Albana Beqiri: Kujtesa që nuk vdes: anatomia artistike e një tiranie
Albana Beqiri: Autopsia autobiografike e një diktature
Albana Beqiri: 2666, labirinthi i së Keqes dhe fjala si dëshmi
Albana Beqiri: Revolta poetike e Basri Çapriqit
Albana Beqiri: Brisben apo kërkimi i të paarritshmes
Albana Beqiri: Rrëfimi artistik i një shoqërie në shpërbërje
Albana Beqiri: Prishtina ose qyteti i trishtë që nuk di t’i gëzohet lirisë