Ishte viti 1958, vetëm hera e tretë që mbahej Konkursi i Këngës në Eurovision. Në studion AVRO në Hilversum të Holandës, një i ri doli në skenë dhe filloi të këndonte diçka të pakuptueshme. “Volare, o oh… Cantare, o oh o oh…”. Menjëherë, publiku ngriu në vend. Domenico Modugno nuk mbante vetëm një mikrofon. Mbante fillimin e një legjende.
Kënga quhej “Nel blu, dipinto di blu.” Ishte shkruar disa muaj më parë, pothuajse rastësisht, dhe fliste për një burrë që ndihej sikur po fluturonte në qiell, në blunë e një ëndrre. Një psikedeli para kohës së saj, një melodi pop para se të ekzistonte edhe një term për ta përshkruar. Modugno u ngrit nga stoli, hapi krahët sikur po fluturonte dhe këndoi me një zë të pashoq.
Publiku brohoriti. Europa e adhuroi. Juria, megjithatë, jo aq shumë. E renditën në vendin e tretë. Franca fitoi me një këngë dashurie, “Dors, mon amour”. Kënga italiane nuk u konsiderua mjaftueshëm “serioze”, nuk i përshtatej estetikës së jurive. Një melodi pop plot qiell dhe ëndrra dukej “e lehtë” për kohën.
Por ja që njerëzit nuk e harruan. Përkundrazi, Volare u bë suksesi më i madh në historinë e festivalit. Qarkulloi në qindra versione. U bë kënga e parë që fitoi katër çmime Grammy, arriti vendin e parë në listën Billboard në Shtetet e Bashkuara – diçka e paprecedentë për një këngë italiane – dhe shiti mbi 22 milionë disqe. Kush e mban mend vendin e parë atë vit? Pothuajse askush. Megjithatë, të gjithë e kanë kënduar me zë të ulët “Volare” në një çast të caktuar.
Gjëja më ironike është se në Itali, për vite me radhë, kënga nuk dëgjohej zyrtarisht për shkak të nënkuptimeve politike për të cilat akuzohej. Megjithatë, Modugno u bë simbol i këngës moderne italiane. Kënga e tij vazhdoi të fluturonte lart, mbi politikën, juritë dhe shikueshmërinë. Nuk kishte nevojë të fitonte. Tashmë kishte shkruar histori.
Dhe ndoshta ky është nderi më i madh i një kënge: që askush nuk e kujton renditjen e saj, por që askush nuk mund ta harrojë.
Teksti në shqip
Volare (Nel Blu Dipinto Di Blu) – Domenico Modugno
Mendoj se një ëndërr si
kjo nuk do të kthehet kurrë
I lyeva duart dhe fytyrën blu
pastaj befas u rrëmbeva nga era
dhe fillova të fluturoja
në qiellin e pafund.
Fluturo oh, oh
Këndo oh, oh
Në kaltërsinë e lyer me blu
I lumtur që jam atje lart
Dhe fluturova, fluturova
i lumtur më lart se dielli
edhe më shumë ndërsa bota
ngadalë zhdukej larg atje poshtë.
Një muzikë e ëmbël luhej
vetëm për mua
Fluturo oh, oh
Këndo oh, oh
Në kaltërsinë e lyer me blu
I lumtur që jam atje lart
Por të gjitha ëndrrat e mia
zhdukeshin në agim sepse
kur perëndon hëna,
i merr ato me vete.
Por vazhdoj të ëndërroj
për sytë e tu të bukur
të cilët janë blu si qielli
i qëndisur me yje…
Fluturo oh, oh
Këndo oh, oh
në blunë e syve të tu blu
Dhe vazhdoj të fluturoj
i lumtur më lart se dielli
edhe më shumë ndërsa bota
zhduket ngadalë në sytë e tu blu
Zëri yt është muzika
e ëmbël që luan për mua
Fluturo oh, oh
Këndo oh, oh
Në kaltërsinë e syve të tu blu
I lumtur që jam këtu poshtë
Në kaltërsinë e syve të tu blu
I lumtur që jam këtu poshtë
Me ty…
Përktheu: Shpendi Shakaj
Lexo edhe:






