Fatmir R. Gjata: Poeti është dhe filozof, historian dhe njohësi më i mirë i jetës mbi këtë tokë dhe përtej

fatmir r. gjata

Në rubrikën Personale, në ObserverKult, mysafir yni është poeti, Fatmir R. Gjata.

Si ndodhi takimi i parë me letërsinë?

-Sinqerisht nuk më kujtohet kur ndodhi takimi i parë por më kujtohet një pemë e madhe në fshatin tim të lindjes, një plak gati i verbër, me sy të bardhë që i lëviznin pa pushuar duke treguar përralla të vjetra. Quhej Raku i vogël dhe besoj që magjinë e parë të letërsisë ma ka bërë ai. Rrotullonte duart dhe me zë të çuditshëm, të thellë të fuste në një botë tjetër plot me heronj me fuqi të mbinatyrshme e vajza të bukura, dragonj me krahë të nderur e kalorës që nxirrnin shpatat mbi kuaj më të shpejtë se era. Tulateshim kur heroi ishte në vështirësi e ngazëlleheshim kur fitonte. Në fshatrat tona kishte gjithmonë një histori për t’u treguar pranë vatrës. Edhe pse tani nuk ekziston më por jeta e thjeshtë e banorëve ish e mbushur me histori të trashëguara që ndërronin në bazë të atij që i tregonte ose lëviznin në kohë. Ndoshta kjo ish arsyeja e magjepsjes sime. Të bëja pjesë tek ata që ndryshonin historinë gjë që në sytë e mi jepte pushtet dhe admirim.

Kur ratë në grackën e saj?

-Më tepër se sa rashë në grackën e saj shkova vetë me dëshirë drejt saj. Duke pasur edhe emrin e njëjtë me një nga shkrimtarët më të famshëm të kohës më dukej natyrale që duhej t’a vazhdoja atë rrugë. Dëshira për të mësuar dhe kurioziteti kanë qenë disa nga ndihmësit e mi në këtë udhëtim. Më pëlqente të vizatoja dhe të shkruaja. Përsërisja me vete vargjet e Pushkin, Bërns, Poradecit etj dhe muzikaliteti që kishin, ngjarjet e treguara më shoqëruan gjatë fëmijërisë sime.

Kur nisët të ndiheshit poet?

– Për këtë kam akoma dyshim nëse jam apo jo. Po, shkruaj, por poetët dhe shkrimtarët bëhen të tillë kur kanë një mision edhe vizion. Deri në atë moment jemi shkrues banal, këngëtarë historish apo ndjenjash. Poet bëhesh kur je udhërrëfyes, je ai që merr përdore shoqërinë për ta nxjerrë nga bataku apo nga vështirësitë. Je kapiteni i një anijeje në furtunë që përcakton rrotën dhe e fut në port. Në këtë kuptim poeti është dhe filozof, historian dhe njohësi më i mirë i jetës mbi këtë tokë dhe përtej. Ndaj druhem ta përdor fjalën poet për veten. Ne të gjithë kur shkruajmë bëjmë rrugëtimin tonë duke u përpjekur të jemi sa më të denjë por çfarë vlere ka kjo udhë shihet në fund.

A ja keni bërë vetes pyetjen; përse shkruaj?

– Fillimet e shkrimit janë impulse të ardhura nga nënkoshienca dhe është diçka që vjen natyrshëm siç vijnë pasionet e mëdha, ato që mbesin të ngjizura për tërë jetën, më origjinalet, më interesantet dhe janë kështu se mbajnë në vetvete evolucion dhe përtëritje. Askush nuk do pyeste veten përse më pëlqen ose ndoshta dikush po por sigurisht do ish një kronikan rrogëtar. Në dashuritë e mëdha askush nuk kupton përse dashuron por zbehet çdo gjë nga njohja e personit ndërsa në art sa herë që mendon se ke arritur fundin hapen dyer edhe sfida edhe më të bukura dhe çdo gjë fillon nga e para.

Çka ju bën të veçantë si poet?

-Është një pyetje së cilës mund t’i jap përgjigje më të mirë një kritik. Përgjigja ime (edhe pse nuk vlen) është forma dhe muzikaliteti. Nëse shkoni në dy restorante të ndryshëm do keni të njëjtën gjëllë, në të parin do mbushni barkun nga piatanca e pakujdesshme kurse në të dytin ju jo vetëm do hani por edhe do ndiheni në paqe me veten e botën nga mënyra se si jua servirin ushqimin. Është ajo ç’kam sjellë me vete nga këngët e ashikëve apo përrallat e fëmijërisë, nga ritmi i defit apo tupanit, violinës e fizarmonikës, pianos e violinçelit. Ajo çka krijon atë vibrim të padukshëm që prek shpirtrat deri thellë aty ku fillojnë të shpërthej bisqe lumturie.

Çka keni thënë në shkrimet tuaja?

-Dashuri, kujtesë, habi, luftë, plagë, urrejtje, mallëngjim, ringritje. Ato çka kam dëshiruar për veten në çaste të hidhura apo të gëzuara. Duket janë pak gjërat që vlejnë me të vërtetë në jetë dhe ndoshta duhet të përqëndrohemi në themelet e bazat e saj gjë që është më e rëndësishme sot më shumë se kurrë duke parë nivelin e informacionit aq të madh e të padobishëm. Popujt e vegjël kanë nevojë më shumë se kurrë për poezi dhe poetë të vërtetë për të ruajtur natyrën e tyre, atë çka e bën të veçantë nga të tjerët përkundër forcave që duan të nivelojnë e barazojnë sa më poshtë të jetë e mundur. Kemi nevojë për dashuri për njeriun, për mirësi për çka na rrethon dhe kjo ka qënë shtysa ime, drejtimi i krijimtarisë sime.

Çfarë u ka mbetur ende pa thënë?

-Gjithçka. Çka u tha para disa vitesh është për t’u rithënë sepse koha ndryshon çdo gjë edhe pse mendohet se nuk ndryshon asgjë. Më kujtohet një pllakë guri egjiptiane ku ish shkruar; Ne kemi zbuluar gjithçka, përtej nuk ka tjetër gjë. Sot na vjen të qeshim me një thënie të tillë. Poetët shkruajnë shumë herë vargje të ngjashëm me romanët e lashtë, me grekët apo sumerët por e vendosin në kohën tonë. Jemi dëshmitarë në fund të fundit…

I besoni muzës apo përvujtnisë së punës së pareshtur?

-Është një kombinim i të dyjave, gërshetim i entuziazmit pasionant dhe vuajtjes. Çdo gjë lind midis vuajtjes, nëna kur lind fëmijën, toka kur çahet për të lindur një fije bari, gonxhja kur shpërthen, shiu kur bie. Vuajtja të bën të kuptosh antitezën e saj, muza të çliron energjinë. Gati gati do thosha që vuajtja është e bukur sepse përcakton masën e gëzimit.

ObserverKult


Lexo edhe:

“LUTJE”, POEZI NGA FATMIR R. GJATA