
(Tinka Kurti: “Më quaj Izmir”)
Nga Fatbardhë Hasi
Libri i parë me poezi i Tinka Kurti Më quaj Izmir, është një përmbledhje poetike e cila sjell një frymë të re dhe më të pazakontë në letrat shqipe. Ai është libër i cili nis nga ndjesia e fajit, rrugëton nëpër pjekjen intelektuale të autores, futet skutave të dyshimit, reflektimit dhe dashurisë, për t’u kurorëzuar me ngritje zëri, akuzë dhe revoltë.
Ndërtim i librit si tërësi ka një strukturë të lirë dhe nuk ka një skemë që i përmbahet. Poezia po ashtu është e krijuar në varg të lirë. Si përmbajtje, libri është i koncentruar në disa tema por që esencë e saj është jeta dhe ballafaqimi i përditshëm me të. Poezia e Tinka Kurtit ka edhe një lloj misioni apo është një poezi e revoltës madje fryma feministe është e shprehur dukshëm në poezi.
Titulli i librit është refleksiv, Më quaj Izmir, është një lloj thirrje me të cilën autorja donë të identifikoj subjektin e saj lirik. Poezia e parë mban titullin Izmir, e cila lidhet me fëmijërinë e autores. Kjo poezi edhe pse është poezi me motivacion nga fëmijëria dhe sjell dromca nga retrospektiva e fëmijës së autores, del edhe si poezi më mision ku qëllimi i saj është të sulmoj racizmin i cili ishte dhe është i shprehur shumë në shoqërinë tonë por edhe globalisht. Madje autorja në promovimin e librit të saj ka rrëfyer historinë e saj të fëmijërisë që e lidhë me Izmirin. Ajo ndër të tjera ka shprehur ndjesinë e fajit që e ka përcjell gjithë jetën, për fjalinë fyese që i kishte thënë Izmirit, shokut të saj të fëmijërisë, kur ai i kishte ofruar të pijë ujë nga duart e tij. Marrë nga ana psikologjike një fëmijë pesë – gjashtë vjeçar nuk e ka të qartë se çka në të vërtetë donë të thotë të jesh ndryshe nga shumica, të jesh rom, i zi, apo çfarëdo nacionaliteti tjetër pakicë që të bën të dallueshëm nga të tjerët. Një fëmije në ata moshë, i është rezervuar një mendim dhe një shprehje e tillë racizmi a bulizmi nga të rriturit. Pra, nuk është që ajo (autorja), personalisht, ka ndjerë atë lloj antipatie ndaj Izmirit. Megjithatë, si rezultat pendesa e ka përcjellë gjithë jetën dhe poezia vije si lloj shpagimi ndaj shokut të fëmijërisë e për më tepër është një spastrim shpirtëror i autores.
Quhem Izmir
Jam fëmija imagjinar i nënës sime
emrin e mora prej një romi
dashnor i saj, kur ishin gjashtë vjeç…
quhem Izmir
dhe emri është një shpagim i historisë…
quhem Izmir
s’ka rëndësi sa vjeç
para meje ishte një Izmir tjetër…
quhem Izmir
nëna ime nuk bëri asnjë hap
për të flaku tutje asnjë emocion
nga dashuri për Izmirin…
quhem Izmir
jam pendesa e nënës sime… (Kurti, 2025)
Kurti e ka krijuar një fëmijë imagjinar të cilit ia ka veshur të gjitha atributet e një fëmije për të cilin ndjen dashuri dhe mëshirë. Emri i tij është pagëzim nga dashnori i fëmijërisë, më të cilin subjekti don që të bëjë pastrimin e historisë për fajin nga e kaluara. Izmiri imagjinar nuk ka një moshë të caktuar, madje ai është i vetëdijshëm për rolin e tij dhe di që është vetëm krijim imagjinatë në mendjen e autores sepse ai pohon: para meje ishte një Izmir tjetër. Për më tepër ai e di që është vetëm pendesë në mendjen e krijueses së tij për fajin e pa faj të bërë në fëmijëri.
Poezia e Kurtit përbëhet edhe nga dromca të realitetit nga jeta e saj, madje ka edhe poezi autobiografike të cilat paraqesin një pjese të jetës e cila lidhet ngushtë me autoren, si poezitë për fëmijët, mandej poezia për nënën (Aty ku punon nëna), për Prishtinën etj.
Poezia, 13 muaj e gjysmë, është një lloj elegjia për të birin në atë moshë i cili po përjeton qaste të vështira, e që subjekti e ka të pamundur dhe nuk ka forcë që të ia lehtësoj birit të saj ato qaste, qofshin ato dhimbje fizike apo probleme të tjera që përcjellin fëmijën në një moshë të tillë. Poezia është e mbushur me dhimbje e faj. Subjekti lirik e sheh dashurinë e fëmijës më të madhe dhe që arrin ta mund dashurin e saj për të: se dashuria jote është më e madhe se e imja. Brenda poezisë paraqitet një lloj lufte e pabarabartë dhe e cila e mundon shpirtërisht autoren. Ajo akuzon vetën vazhdimisht për mungesat e saj kundrejt të birit: ti s’më dhurove asnjë natë aq të idhët sa unë ty.
Është kjo një lloj thirrje në të cilën nënat e reja e gjejnë vetën në një moment të caktuar, ku mungesa e tyre kundrejt fëmijëve të tyre në shumë momente të rëndësishme, për shkak të jetës dinamike, është një ndjenjë faji e vazhdueshme që i përcjell nënat vazhdimisht.
Dilemat e një nënë e rritur në mesin e një bote e rrethuar vetëm nga gjinia femërore është shprehur te poezia Djali i parë. Subjekti lirik bije në një gjendje habie dhe pasigurie para përgjigjes se gjinekologes se fetusi në barkun e saj ishte djalë. Ajo e rrethuar në një bote femërore ku i vetmi mashkull në jetën e saj ishte babai, ndodhet përballë frikës dhe dyshimit nëse do të dijë të rris një djalë, duke pohuar se më parë kishte rritur katër motra, dhe se bota e saj ishte e ngjizur në mesin e fustaneve, shnollave dhe përrallave për vajza, gjëra këto të cilat nuk i interesojnë një djali.
Poezia e Kurtit shoqërohet nga një tis i theksuar feminizmi i cili vërehet në disa poezi, por që më i theksuar është të poezia Ne. Kjo poezi mund të shikohet nga dy kënde. E para është një revoltë që shprehet për mungesën e vëmendjes që kanë gratë në shoqërinë tonë: ecim kilometra me takat e ngrëna, që thembrat na janë çarë nga peshat e rënda të injorimit….
Përemri Ne, është përzgjedhur për të paraqitur zërin e shumë grave si një zë i vetëm, fati i të cilave është pak a shumë i njëjtë. E gjithë poezi është ndërtuar nga një varg pakënaqësish që shumë gra i përjetojnë dhe që janë të detyruara në një formë t’i jetojnë, kujtojmë (ne që flokët na mbajnë erë darke pa mish). Edhe pse një zë i pakënaqur dhe shpeshherë i revoltuar, në fund të ditës, ai zë, është i panënshtruar dhe i padorëzuar sepse pavarësisht sfidave, di të dhuroj lule, e di të ëndërroj muzgun dhe agimin edhe kur e prekin fundin. Kurse këndvështrimi tjetër është ajo se, si arrin që rutina e jetës së shpejtë dhe rrjetet sociale e blogeret të shkaktojnë një lloj presioni ku dukja fizike bëhet e nevojë dhe domosdoshmëri në një botë ku dukja e mund inteligjencën, kujtojmë (Ne që lexojmë lajme se thonjtë i kemi lyer me kozmetikën kancerogjene e mendonim të fshihnim gjurmët e lëndimeve shpirtërore…).
Një gjë që është shumë e veçantë dhe që del paksa kontradiktore me frymën feministe është shprehur te poezitë Rivalia I – II. Aty autorja e ka një luftë të hapur me gruan të cilën e sheh si frymëzimin e vetëm që ta nxis gruan tjetër për tu rregulluar e për tu dukur. Kurse këtë nxitje ajo e lidhë pashkëputshëm me konceptin e burrit.
si nuk e pata një rivale
krejt jetën time
dreqi ta hajë
njëherë
të shtyhesha me një vajzë
për një djalë
a ka më femërore se kaq?
dihet botërisht
vajzat nuk mbahen
nuk vishen për t’i tërhequr djemtë
por t’i plasin të tjerat. (Kurti, 2025)
Sipas autores, nëse dy femra luftojnë për të njëjtin burrë ato rregullohen dhe vishen që ta sfidojnë njëra – tjetrën dhe që hipotetikisht ndikon edhe të poenat e fituara për burrin që po synojnë të përvetësojnë. Kjo dëshirë për pushtet dhe dominim ndaj një rivaleje tjetër vetëm e vetëm për një burrë i jep një drejtim tjetër feminizmit në poezitë e Kurtit e cila ankohet që nuk kishte pasur njërivale të denjë gjithë jeten. Megjithëse qasja feministe që aplikon autorja nuk e përjashton burrin tërësisht nga sfera e jetës siç bëjnë disa rryma feministe që po aplikohen sot në botë. Kurti, frymën feministe e ka vetëm si kërkesë për barazi gjinore dhe jo për dominim.
Janë dy varjante të një poezie të cilat paraqesin një realitet të autores, e cila braktis qytetin e saj të dashur dhe vendos të jetoj në një vend tjetër. Mirëpo ka një ndjenjë faji për këtë largim që po e bën. Prishtinë dhe Prishtinë 2.0, janë poezi dedikuar qytetit nga i cili po shkëputet autorja. Prishtina në sytë e saj është vendi ku ka kaluar shumë sfida të jetës. Aty paraqiten mangësitë dhe parregullsitë e qytetit. Autorja, Prishtinës, i drejtohet në formë pyetëse duke e funkisonalizuar atë si person real. I kërkon arsye për shumë çështje të pa përfunduara, e për shumë lëshime të bëra në kryeqytet si: pse nuk i nderon njerëzit e tu sa janë gjallë; pse nuk i pranon qetë divorcet; edhe te ti u vranë gratë për cilën qave më shumë?; një lulishte të lutem Prishtinë; pse flenë kaq shumë Prishtinë; pse i fsheh aq mirë njerëzit që lexojnë, këto dhe pyetje të tjera janë një refleksion mbi shumë dukuri që ndodhin në qytet. Është kjo një lloj lamtumire që autorja i bën qytetit të saj, sepse më gjithë mangësitë dhe kundërshtitë që ka ajo më qytetin, prapë dashuria dominon mbi të gjitha:
ti nuk ishe qyteti im i parë, as i dytë dhe as i fundit
pse duhet të kthehem bash te ti
krejt e plakur
por do të vij
nëse oborri i shtëpisë sime do të ketë ende
trëndafila vjeshtës dhe jo një banesë
unë ende të duam edhe pse më le të shkoj pa
ndalesa në rrugën time të shkëputjes. (Kurti, 2025)
Poezia e Kurtit është edhe poezi dedikues ndaj miqve, poezi me tendence politike, poezi me ndjeshmëri personale e cila jo rrallë tejkalon pritjet e lexuesit duke e befasuar jo pak atë.
Si e tillë në poezitë e Tinkës secili lexues e gjen veten në një formë apo tjetrën.
ObserverKult
Lexo edhe:






