Eqrem Çabej, gjuhëtari shqiptar më i shquar

eqrem Çabej spiuni

Me rastin e 40-vjetorit të vdekjes së Eqrem Çabejt

Nga: Xhevat Lloshi

Gjuhësia shqiptare është ndërtuar me punën e mjaft brezave të studiuesve, të cilët kanë dhënë ndihmesat e tyre të mëdha ose të vogla qofshin, sepse çdo prurje është një hap përpara në fushën e dijes. Në këtë rrjedhë, që përbën palcën e studimeve shqiptare për identitetin tonë kombëtar gjatë historisë dhe në ditët e sotme, ka zënë vendin e nderit akademiku Eqrem Çabej.

Ai kishte lindur më 7 gusht 1908 dhe vdiq më 13 gusht 1980. Në këtë përvjetor nuk besoj se lexuesit janë të interesuar t’u përsëriten titujt e veprave të tij, sepse ato janë të njohura dhe gjenden në të gjitha shkrimet kushtuar atij dhe në bibliografitë përkatëse. Pas kaq dhjetëvjeçarësh studimi i vazhdueshëm i tyre, për të parë zgjidhjet e arritura, që të shkojë përpara dituria në gjithë ato fusha, në të cilat ai ka shqiptuar fjalën e vet të autoritetshme, më duket i pamjaftueshëm. Besoj se është koha të trajtojmë edhe metodën e punës së tij si për ta pasur atë parasysh në kërkimet e mëtejshme, ashtu edhe për të konturuar shkollën shqiptare të gjuhësisë, e cila pa dyshim u përvijua me frytshmërinë e jashtëzakonshme të arritjeve të tij.

Në një periudhë prej pothuaj gjysmë shekulli kemi nga pena e tij mbi dyqind tituj punimesh për gjuhësinë dhe letërsinë shqipe, për foklorin dhe etrnografinë, për monumentet e shqipes dhe për mbishkrimet nga gjetjet arkeologjike, për prejardhjen e shqipes dhe të vetë popullit shqiptar. Gjurmimet për mijëra fjalë të veçanta erdhën deri te vepra madhore “Studime etimologjike në fushë të shqipes”. Analiza shkon kështu dorë për dore me saintezën, gjerësia me thellësinë, njohja e imtësive konkrete me teorinë e mirëfilltë të nivelit të sotëm botëror.

Nga vetë natyra e gjuhësisë si shkencë dhe nga rrethanat e veçanta të njohjes e të studimit të shqipes në qarkun e shkencës europiane, Çabej si hap të parë shihte një vështrim kritik të punës së kryer, vlerësimin objektiv për të arritur te një bilanc. Që në kohën kur ishte student në Universitetin e Vjenës, ai pati mundësinë të njihej me arritjet e indoeuropianistikës dhe të albanistikës e pastaj i ndoqi ato pa ndërprerje. (Do të shtoj në kllapa, se ai kishte qenë student i albanologut të madh, Norbert Jokl, dhe ishte shquar që në atë etapë, sa i ishte kërkuar të qëndronte pikërisht si pasues i punës së tij, por ai parapëlqeu që përfundimisht të vendosej në vendin e vet). Në vepërn e tij gjendet tabloja më e plotë e studimeve albanologjike deri sa ai qe gjallë; kjo është një pasuri e madhe për çdo specialist të kësaj fushe. Duke bërë shoshitjen e vlerësimin e tyre, ai ua hoqi këtë barrë gjithë kërkuesve të mëpastajmë e deri më sot, u la një rrugë të çelur e të shtruar. Krahas kësaj, përcaktoi shtigje të reja, duke ngulur piketat për drejtimet e hulumtimeve të ardhshme. Ishte mendimi i tij, që u hap edhe revista “Gjuha jonë”, e cila për fat të keq ka një dhjetëvjeçar, që nuk botohet më.

Hapi i dytë i domosdoshëm në ecurinë e tij metodike ishte mbledhja e materialit e në veçanti e materialit të ri faktik. Jo rastësisht në studimet etimologjike ai ka shënuar veçan edhe fjalë të panjohura, që i kishte nga qyteti i vet i lindjes. Me këtë shpjegohet dhe interesimi i tij për gjetjet e studiuesve të tjerë e në veçanti të punonjësve të rinj të Institutit (të cilët e nisnin punën me kërkime dialektologjike në terren), madje edhe për fjalë nga mësues e njerëz të tjerë të zakonshëm. Dialektologjia ishte nga fushat më të afërta për punën e tij. Në këtë suazë, u jepte rëndësi edhe të dhënave nga ajo që është diaspora historike shqiptare. Ka qenë anëtar i komisionit për hartimin e të parit fjalor të mirëfilltë shpjegues të shqipes, që u botua më 1954, domethënë kishte edhe një përfytyrim për leksikun e shqipes përgjithësisht, përpara se të niste kërkimet etimologjike për çdo fjalë. Po këtu nuk mund të mos përmenden punimet e tij për fonetikën historike të shqipes dhe përgjithësisht për historinë e shqipes, duke dëshmuar se arritjet për çështjet e veçanta nuk duhen parë në vetvete, por brenda një tabloje të përgjithshme. Për fat të keq, në periudhën e fundit nuk mbahet parasysh kjo kërkesë metodike. Natyrisht, jo çdo studiues mund të bëhet specialist për të gjitha fushat e shkencës së gjerë të gjuhësisë, por nevoja për praninë e një pamjeje të përgjithshme është e pamënjanueshme.

Etapën qendrore të punës Çabej e quante “etapën ndërtimtare”, domethënë dhënien e intepretimeve të reja, e mendimeve vetjake e ndoshta edhe të zbulimeve, që e shtyjnë përpara trajtimin shkencor, duke paraqitur zgjidhje e përfundime të reja. Për  të arritur këtu del si kërkesë metodike edhe ndërthurja e të dhënave nga degëzime të ndryshme, domethënë e disiplinave të gjuhësisë. Ndërkaq, gjuhësia nuk është e vetëmjaftueshme për disa probleme madhore. E. Çabeji e theksonte, se historia e një gjuhe është e lidhur ngushtë me historinë e popullit që e flet, rrjedhimisht, hulumtimet e saj nevojitet që të plotësohen me të dhënat e historisë e arkeologjisë, etnografisë e folklorit, letërsisë e marrëdhënieve me popujt e tjerë. Kështu është e mundur të përballohen tema kardinale, si etnogjeneza dhe autoktonia e shqiptarëve. Ky studiues i jepte rëndësi etimologjisë për historinë e gjuhës dhe të kulturës si një argument i vitalitetit të shqipes në hapësirë e në kohë, si një ndër shpjegimet për origjinalitetin dhe vetë karakterin e këtij populli të lashtë europian. Por do të shtoja këtu se si shtysa e vetme nuk mund të quhet synimi shkencor. Kësaj do t’i shtohet edhe dashuria për gjuhën shqipe, për kulturën shqiptare dhe traditat, për këtë truall dhe popullin e tij. Kjo është atdhedashuria e vërtetë, e një atdhetari të madh.

Është e natyrshme, që shkenca ecën përpara dhe vetëm kur ecën përpara është shkencë, ndërsa kërkimet dhe zhvillimet e reja nxjerrin pareshtur probleme, që shtrohen për studim. Arritjet në korpusin e gjerë të veprës së këtij shkencëtari na ndihmojnë edhe për trajtimin e dukurive të reja, edhe për diskutimet rreth tyre. Do të marr vetëm një çështje konkrete. Diskutohet sot zgjidhja drejtshkrimore për shkrimin e emrave të huaj. Çabej ka qenë anëtar i Komisionit për hartimin e drejtshkrimit përfundimtar, që u miratua në Kongresin e Drejtshkrimit. Rregullat e tij vendosën, që emrat e përveçëm të huaj të shkruhen sipas shqiptimit të shqipes. Dikush mund të ngulmojë, se një rregull e tillë është miratuar edhe nga Çabej. Nuk është plotësisht kështu. Më kishte kërkuar, që të bëja një përkthim në dorë të parë të një artikulli, që ai e kishte botuar vetëm gjermanisht. Kur e lexoi tekstin shqip, më thirri pak i çuditur, duke më thënë: “Përse emrin e albanologut të njohur Johannes Georg von Hahn e ke shkruar: fon Han?” Iu përgjigja, se kështu e kishin caktuar sipas rregullave të drejtshkrimit. Ishte e qartë, se ajo trajtë shqip e emrit të albanologut i kishte bërë vërtet përshtypje. “Epo mirë, Xhevat, – më tha, – ca gjëra edhe mund të shihen.”

Niveli teorik, pasuria e fakteve, objektiviteti i trajtimit i dhanë autoritetin e merituar veprës së profesorit Çabej. Ndërkaq, po këta faktorë i dhanë atij edhe autoritetin e merituar ndërkombëtar. Është e pamundur në këtë shkrim të paraqiten marrëdhëniet e tij me studiuesit e huaj; kjo është një temë që kërkon një punim të veçantë. Por nuk mund të mos e them kalimthi, se ishte kënaqësi ta shihje atë në konferencat ndërkombëtare, kur mbante referate dhe komunikonte e diskutonte me studiuesit e huaj, ose me çfarë nderimi e prisnin në Kosovë dhe te arbëreshët. Ai ishte një nga ballkanistët më në zë dhe nuk e di nëse ka sot të tjerë të barabartë me të.

Çabeu ishte i gjatë dhe ecte drejt, ndryshe nga disa shtatgjatë, që për këtë shkak përkulen te shpatullat. Në moshë të pjekur ishte një shtatore bronzi e gjallë. Dhe ashtu drejt, pa u përkulur ka ecur gjithë jetën qysh kur ishte student, në vitet e Pavarësisë, gjatë pushtimit fashist dhe në dhjetëvjeçarët e diktaturës ushtarake. Ishte nga Gjirokastra, ndërsa mësimet e mesme dhe të larta i ndoqi në Austri. Në rast se dikush nuk do të kishte rastin ta njihte nga afër, vështirë se do ta përfytyronte, çfarë përftohet nga një gjirokastrit i mbrujtur me kulturë gjermane. Është domethënës një rast i vogël, që rrëfehej për të. Pas shumë vjetësh, iu lejua të dilte jashtë shtetit. Në Itali deshi të blinte një këmishë, sepse të gjithë ne, në rastet e rralla kur na lejohej të dilnim përtej perdes së hekurt, gjërat kryesore që dëshironim të blinin, ishte një këmishë dhe një palë këpucë të mira (veçan për gratë). E pyeti shitësin italian sa kushtonte një këmishë dhe ai i tregoi çmimin. Profesori nxori të hollat për t’ia dhënë. Për habinë e tij, italiani kundërshtoi t’i merrte. Po përse? Sepse italiani i tha: Si do të paguani, zotëri, pa bërë një çikë pazar? Në të vërtetë shitësi i kishte thënë një çmim pothuaj sa dyfishi i vlerës së vërtetë. Ai nuk e dinte, se kishte përpara një njeri, i cili ndonëse kishte ndenjur në Austri shumë vite më përpara, në asnjë mënyrë nuk kishte lëvizur nga virtyti, që edhe në gjërat e vogla të jetës nuk mund të gjejë vend pazarllëku.

Gjatë viteve të punës në Institutin e Gjuhësisë e të Letërsisë, që u përfshi në Akademinë e Shkencave, në një orë të caktuar të paradites dilte bashkë me kolegët e vet të një moshe për të pirë kafen e zakonshme. Ne i shihnim me adhurim dhe me përpikërinë e vet na dukej si riti i një sekti, në të cilin përpikërinë e jepte pikërisht Çabeu. Ndër kolegët ishte edhe Anton Krajni, një gjuhëtar modest, emrin e të cilit me keqardhje nuk e shoh në përmendjet e gjuhëtarëve të mëparshëm. Edhe ai ishte me kulturë gjermane dhe Çabej e respektonte pavarësisht nga mungesa e titujve akademikë. Ka qenë një njeri me një jetë të denjë për një tregim. Kishte dashur një vajzë në rini, por ashtu qe fati, ajo u martua me një tjetër. Ai mbeti beqar dhe vitet e fundit të pleqërisë derisa vdiq, i kaloi në familjen pikërisht të së dashurës së tij të rinisë. Është një shembull i jashtëzakonshëm i marrëdhënieve fisnike ndërmjet njerëzve. Çabeji gjithnjë e pyeste lidhur me kuptimet dhe etimologjinë e ndonjë fjale për të marrë mendimin e tij. Po sidomos kishte kënaqësi të bisedonte me të për muzikën, për të cilën Antoni kishte njohuri që fitohen vetëm nga pasioni për të. Çabeji e thërriste Zoti Anton, madje edhe punonjëset teknike i thërriste “zonja”. Ne të rinjtë kishim droje të vërtetë për të trokitur në zyrën e tij jo sepse nuk do të gjenim përgjigje për ndonjë pyetje, që na lindte, por sepse ai na ngrihej në këmbë, diçka që nuk ndodhte me askënd tjetër. E prisnim me një farë shqetësimi mendimin e tij, kur paraqisnin një shkrim për ta botuar në revistën shkencore. Shqetësimi vinte ngaqë e dinim se do të ishim përpara gjyqit të së vërtetës shkencore dhe, ndërsa me të tjerët edhe mund të hynim në diskutim, prej tij prisnim verdiktin përfundimtar. Kur kisha paraqitur një shkrim për emrat kolektivë të shqipes, më pas e kam ndryshuar dhe e kam bërë dyfish të gjatë për të përmbushur atë, që kisha dëgjuar në vërejtjet e profesorit. Të punoje në një institut me E. Çabejin dhe kolegët e tij ishte një studimi pasuniversitar i përhershëm.

Ndonëse rreptësia është  diçka që për ne lidhet natyrshëm me idenë përe gjermanin, te Çabeji ajo buronte nga shyrtimi i thelluar e i gjthanshëm i dukurisë. Për këtë arsye rreptësia shkencore në punimet e tij nuk ishte ngurtësi. Përkundrazi, kur paraqitej një fakt tjetër, ai nuk ngurronte ta rishikonte përfundimin e vet. Ky është një tipar i çmueshëm për një studiues. Rrjedhimisht, është e kuptueshme, që ka në disa raste ndryshime ndërmjet botimit të parë të etimologjive në revistën shkencore dhe më pas në botimin e përmbledhur në vëllime.

Studimet e akademikut Çabej përbëjnë një vazhdimësi, e cila përfaqëson cilësinë më eprore të gjurmimit shkencor, si kërkim i përhershëm, si përparim i pandërprerë. Mënyra më e përshtatshme për ta përkujtuar këtë figurë më tepër se shkencore është të vazhdohet vepra e tij. Kam përshtypjen se gjatë tridhjetë vjetëve të fundit te ne nuk ka pasur ndihmesa të ndjeshme në këtë fushë. Do të propozoja një kurs universitar “Studimet etimologjike shqiptare”, në të cilin vendin kryesor do ta zinin punimet e E. Çabejit dhe grupi përkatës (pavarësisht se jo i madh në numër) i pedagogëve dhe studentëve të organizonte çdo vit një konferencë, ku të ftoheshin edhe albanologë, e të paraqiteshin arritjet e reja qoftë edhe për pak fjalë, duke dhënë mundësinë për një diskutim të mirëfilltë shkencor të rreptë dhe jo me kumtesa sa për paradë e për të marrë grada të pamerituara. Kam vënë re se ka një interesim të gjallë për etimologjitë e shqipes dhe me këtë mënyrë do të reshteshin diletantët, që po e zënë këtë fushë me fantazira argëtuese.

Vazhdimin e punës së E. Çabejit na bie për detyrë ta bëjmë edhe për të mënjanuar nga shkenca një përfytyrim të trilluar për gjuhën shqipe, i cili vijon të qarkullojë te disa nga studiuesit e huaj, një përfytyrim i gabuar në mospërputhje me shkencën e sotme, i cili është si një tufë ferrash. Për fat të keq, edhe në njoftimet që jep në internet një organizëm i besueshëm Akademia.edu vërej se kur përmendet ndonjë qytet i Kosovës, vijon të përfshihet në Serbi. (Dikush që i njeh këto teknologji, duhet të ndërhyjë). Nuk është vendi këtu për ta argumentuar pohimin e mësipërm me emra autorësh dhe me shembuj konkretë, ndërsa atë që do të dëshironte të merrte vesh më tepër konkretisht, do ta drejtoja të lexonte kumtesën time përkatëse, të mbajtur më 2008 me rastin e 100-vjetorit të lindjes së profesorit tonë dhe të botuar në përmbledhjen Eqrem Çabej – Figura që shkëlqeu në studimet albanologjike (Tetovë, 2009).

Edhe në të gjallë të tij ka pasur njerëz, që i janë kundërvënë nga smira dhe nga protagonizmi vetjak. Edhe sot dëgjojmë disa zëra, që i kundërvihen, por kundrejt tyre kam një pohim troç e të palëkundur: ata që duan ta zhvlerësojnë sado pak veprën monumentale të Eqrem Çabejit, kanë një tharm antishqiptar në pavetëdijen e tyre, të cilin nuk mund ta mbulojnë me frazeologji pseudopatriotike. Eqrem Çabeji  është më tepër se një figurë e shkencës, ai është një figurë kombëtare e kulturës shqiptare.

Kujtoj se nuk do të ishte e tepërt, që nga korpusi i pamatë i shkrimeve të tija të citoja disa radhë, si të thuash, për ta dëgjuar drejtpërdrejt zërin e tij. Në një shkrim të botuar pesëdhjetë vjet më parë, kushtuar kontributit të shqipes në formimin e lidhjes gjuhësore ballkanike, ndër të tjera ai ka thënë: “Shqipja paraqet një nga gjuhët më të lashta e më herët të formuara të Gadishullit, e cila, si e tillë, që prej shekujsh, pjesërisht prej mijëra vjetësh, ka pasur shkëmbime me gjuhët fqinje. Së dyti, trualli gjuhësor i shqipes, sikurse mund të vërtetohet, ka qenë më i madh nga ç’është sot, gjë që na përligj të pranojmë, që këto lidhje gjuhësore dikur kanë qenë shtrirë edhe më tej. Së treti, vjen rrethana që shtegtimet dhe ngulimet të disa pjesëve të popullit shqiptar në viset fqinje kanë çuar te popujt përreth edhe të tjera elemente të gjuhës dhe të nomenklaturës topike të tyre. Këto janë disa nga rrethanat që kanë bërë që shqipja, me gjithë pozitën gjeografikisht periferike të saj, në një farë mënyre zë një vend qendror në trevën e gjuhëvre ballkanike.

Profesori i njohur Tefë Topalli, së bashku me profesorin tjetër Artan Haxhin, kanë botuar në Shkodër librin shuminformativ  Leksikon. Gjuhëtarë shqiptarë dhe albanologë (2012). Në listën prej mbi 60 lëvruesish të shqipes, emri i Çabejit vjen i pesti, duke nisur me K. Kristoforidhin. Autorët për të kanë zgjedhur edhe fjalët e Ismail Kadaresë, me të cilat dëshiroj t’i mbyll këto radhë:

“Kur të arrijmë të kapim tërësisht përmasat e veprës së Eqrem Çabejt, vlerësimi ynë për të fiton një ndërgjegjësim të ri, e bashbkë me të mirënjohja dhe ndoshta ndjesa jonë, që nuk arritëm më parë të bënim diçka më shumë për të. Është një peng që shoqëron shpesh njerëzit e mëdhenj, sepse madhështia e vërtetë, me kalimin e viteve spikat edhe më fort, në po atë masë që e rremja shuhet… Ai u mor tërë jetën me një nga përmasat më të gjera, më madhështore e më misterioze të jetës sonë. Ai punoi tërë jetën me mund prej titani për gjuhën tonë shqipe, atë gjuhë që, duke u përtypur si ushqim nga gojët e mendjet e dhjetëra milionë shqiptarëve nëpër shekuj, duke u bashkuar ata e mendimet e tyre, mbajti gjallë unitetin e kombit e u mbajt edhe vetë gjallë prej tij. Të lidhura kështu me këtë materie të pavdekshme, emri dhe vepra e Eqrem Çabejt e kanë të natyrshme, si një cilësi të racës, pavdekësinë.”