Jose Angel Buesa: Poema e dashurisë së çmendur

I
Jo, asgjë nuk vjen vonë, sepse të gjitha gjërat
kanë kohën e tyre, si gruri dhe trëndafilat;
vetëm se, ndryshe nga kalliri i grurit dhe lulja,
çdo kohë është koha që dashuria të mbërrijë.
Jo, dashuria kurrë nuk është vonë.
Zemra jote dhe imja
tinëzisht e dinë se dashuria kurrë nuk vonon.
Dashuria, në çdo orë, vjen dhe troket në një derë
dhe troket nga brenda, sepse tashmë dera është e hapur.
Dhe ka një dashuri të guximshme dhe ka një dashuri frikacake,
por, sidoqoftë, asnjëra nuk mbërrin vonë.

II
Dashuria, çamarrok i krisur me buzëqeshjen e çmendur,
vjen me hapa të ngadaltë, por vjen edhe me nxitim;
por askush nuk është i sigurt, nëse ky çamarrok i marrosur
qëllon me shigjetë, ashtu rastësisht, për pak argëtim.
Ndodh kështu kur një djalë i keq argëtohet,
por një burrë plagoset për vdekje, një burrë i trishtuar.
Dhe akoma më shumë, kur shigjeta plagën i malcon
sepse hedh helmin e një shprese të hidhëruar.
Dhe burri digjet e digjet në flakën e tij plot pasion,
Edhe atëherë, dashuria nuk vjen shumë vonë.

III
Jo, nuk do të them kurrë se atë natë vere
ethet e dorës sate dorën time ma përvëluan.
Askujt nuk do t’ia them përveç teje,
se ëndrrat për ty gjakun ma turbulluan.
Dhe nuk do të them çfarë pashë në syrin tënd
që ishte si çelësi i një dere të mbyllur.
Asgjë më shumë.

Nuk ishte koha e kallinjve të grurit dhe luleve,
e megjithatë dashuria nuk vonoi.

Në shqip: Bajram Karabolli

ObserverKult


Lexo edhe:

JOSÉ ÁNGEL BUESA: POEMA E LAMTUMIRËS