Petrit Ruka: Ti ishe aq e bukur…

Petrit Ruka

Poezi nga Petrit Ruka

Isha vonuar, e dashur dhe të gjeta në gjumë,
Buzët për një puthje më digjnin
Po si të të zgjoja,
Ti ishe aq e bukur,
Sa nuk mund të ta prishja bukurinë.

Desha të të puthja ngadalë,
(Si mund të puthësh ngadalë?!)
Të të puthja një herë,
(Si vetëm një herë?!)
U ula buzë shtratit si pranë një foshnjeje,
Që porsa ka lerë.

Kishe pafajsinë e ca qiejve që akoma s’i kam parë,
Ishe krejt e pambrojtur nga dinakëritë,
Atëhere kam besuar
Që çdo grua në gjumë
Është një Afërditë.

Doja e s’guxoja,
Kisha frikë të të shihja.
Kisha frikë të të prekja.
Nëna në vogëli më thosh mos e shih të fjeturin,
Se i afrohet vdekja.

E tmerrshme ta përmendësh këtë emër,
U thafsh, moj gjuha ime që the; Vdekja.
Atëhere unë po ngulem këtu, e dashur,
Nuk luaj,
Nuk luaj sa të më zbardhet mjekra.

Dhe prita e prita një shekull
Që të zgjoheshe,
Në grua me mish të shndrroheshe…
Që pastaj të të prekja,
Pastaj le të më vinte
Vdekja.

ObserverKult

petrit ruka
Petrit Ruka

Lexo edhe:

PABLO NERUDA: BUKËN E AJRIN HIQMA NË DAÇ, POR BUZËQESHJEN MOS MA MERR!

Bukën hiqma në daç
edhe ajrin hiqma,
por buzëqeshjen tënde lerma.
Trëndafilin lermë,
heshtën që copton,
ujët që papritmas
prej shendit tënd shpërthen
të beftën dallgë argjendi
që prej teje lindet.
E vështirë lufta ime
dhe kthehem sy lodhur…

Poezinë e plotë e gjeni KËTU