
Nga: Agron Gërguri
Libri që sapo e lexova “Korrespondenca” e Lutfi Lepaja dhe Hana Xhihani të dërgon skutave të mendimit, të provokon ta mohosh dhe ta lavdrosh në të njëjtën kohë, sepse autori (po e marrë si një pavarësisht se janë dy) nuk është i rregullave shkollore as i letërsisë si shkencë, veçse si art, si rrugë dhiare ku e bukura edhe mund të jetë e keqe por artistike është po se po.
Lutfi Lepaja i shpenguar nga skolastika, gadi sa nuk ndjen mburrje, n’mos edhe ndjen, që është i lirë të gaboj dhe brenda gabimit çdoherë gjenë diçka të re, shprehjen thënëse edhe kur nuk thotë “asgjë” për të kuptuar, përveçse të provokon fantazinë. Mirë është mos me ditë shumë se ashtu në hapësirën e hard diskut të mendjes mund të regjistrohet bindja se po kjo është e vërteta e të qenunit shkrimtar.
Dhe vazhdon tën thuash edhe kur nuk e di çka po thua por se me atë “mosdije” shkakton, apo gërrith, kërshërinë e tjetrit.
Lutfiu është mjeshtër i kapërcimeve tematike me mikro tema si mënyrë për ta anashkaluar rregullin, ai ikë si dreqi prej hudhrës e cila kur u martua ia hoqën tre ditë kudërbimin. Por në ikje e gjenë friken dhe kur e gjenë bëhet aleat me të.
Luta në bashkëbisedim letrar me Hanën i zgjedh fjalët që të mos e humbas bashkëbiseduesen e cila bëhet Safo muza e dhjetë e cila nuk ia mëson poezinë por Luta përmes saj prek mundësitë e tij shprehëse n’raport respekti ndaj hyjnisë së gruas si qenie frymëzuese.
Romani është dokumentar si raport, por jo si përmbajtje, kalëron nëpër tema, situata, dyshime e mëdyshje se çka është shkrimi, çka është letërsia duke e përvijuar ndjenjën e cila nuk bëzanë por aromatizohet në sensin e marrëdhënies burrë – grua në një plan jo personal, por kosmik mashkull – femër. Si dy qenie që flasin por nuk janë ata, janë frymë që përshkon qëllimin për të lënë përshtypje apo mbresë reciproke pa e tradhtuar asnjëherë fjalën që nuk thuhet.
Diçka ndreqet, diçka prishet por shumçka thuhet dhe të bënë të mendosh sepse të lexon të dilematizon me pyetjen se çka na çenka shkrimtari, shkrimtaria, përveçse mendim i thënun pa qëllim tmerrësisht i pavërtetë por i sakt.
Ç’kuptim ka kur gjërat kuptohen
Drama zhvillohet tek fjalët që nuk thuhen dhe gjatë leximit gëlon dëshira si pyetje pse bisedës i mungon polemika e hapur, ai momenti kur nënteksti bëhet tekst dhe shkakton tundim, apo gërrithje sepse pikërisht gërrithja përçon saktësisht mesazhin apo dekodon mesazhet e fshehura kur ato duanë të dalinë të kamufluara. E vetja, thotë Luta, i del boll gjithësecilit, por ai nuk mbetet Lut nëse vetë nuk e demanton këtë thënie sepse ka nevojë ikonike të flas me një grua sepse veç ajo ia frytnonë idetë.
Edhe kur biseda bëhet në kohën e askujt me një vëllim ndjenjash të pashfaqura por të kultivuara brenda kutisë së zezë të shpirtit në një takim fjalësh si përpjekje për të dekoduar shprehjet e ndrydhura që fuqizohen veç se nuk thuhen. Fundja ç’kuptim ka t’i kuptosh gjërat sepse kur i kupton motivi vdes e dikush kësaj i thotë apsurd. Apsurdi edhe kuptohet por nuk është ajo që po mendon se po e kupton, është përtej kuptimit, është lexim permanent i jetës një përpjekje niçeane për ta formësuar të vërteten e cila ikë te fjala e pathënë si e pamundur por e bukur si ndjenjë.
Edhe pse fjala dashuri asnjëherë nuk përmendet ajo rri gjithë kohën si udhërrëfim i nëntekstit dhe bëhet apo është motiv i romanit ngase kur hëna eksiplohet rritet fuqia e mendimit për të ndriçuar terrimin e vullnetshëm të mendjes. Kur germa del prej kllapave dhe bëhet tingull drithërues, ofshamë apo britmë adhuruese për të paarritshmen.
Ajo thotë: po vizatoj për ta harruar mendimin dhe fjalën bazë e zëvëndson me buzë duke dëshmuar se e vërteta jo rrallë banon te gabimi dhe pastaj ndodhë që fjala truri shkruhet trupi. Nga kjo torturë buron bukuria e t’mos kuptuarit ashtu siç argumentohet e pavërteta se në bisedë lind diçka e re derisa në heshtje banon harresa, kjo i përcakton sidomos krijuesit letrar tek të cilët vetmia barazohet me heshtjen e zhurmshme ku zien mendimi i cili në thellësi të paprekshme përgatit menynë për lexuesin.
Më prekë për të mirë!
Asocione që zgjon kur prekë fjala dhe pritja bëhet veprim në procesin e emancipimit të guximit që lindë për t’ia thënë fjalën Muzës: natën e mirë me intonim mirëmëngjesi si një dëshirë për takimin e përhershëm të natës me mëngjesin. Edhe pse nuk ndodhë përjetohet si ndjenjë.
Kështu vizatohet me fjalë piktura e Munkut si dëshmi e dashurisë për artin dhe pasionin si bazë e tij për t’u akomoduar në strehen e vetmisë në pasqyren e kujtimeve, si dëshmitare se jeta ka kuptim vetëm kur nuk e kuptojmë të tërën dhe pavarësisht kësaj e duam.
Në kohën kur njerëzillëku çdo ditë e më shumë po humb si mënyrë e komunikimit librin “Korrespondenca” e përjetova si një tendencë për të mbledhë copëzat e thyra të pasqyrës njerëzore.
Me që dialogu në libër zhvillohet me kujdes mirëbesim ku jo rrallë edhe faktet flijohen për të dëshmuar lojalitet ndaj miqësisë edhe kur po aty mund dialogu mund të dramatizohej, për të zbërthyer natyra të fshehura në marrëdhënien burrë – grua që e preokupojnë të vërteten e cila rri në nëntekst dhe prodhon adrenalinë.
Gabimet e nëntekstit që nuk ndodhin
Gabimet e nëntekstit, atij dialogut të brendshëm ku zhvillohet drama, bëhen për të nxjerrë në sipërfaqe ato që rrinë nën rrogozë aty ku struket e vërteta. Këto gabime të nëntekstit fatkeqësisht mungojnë dhe fatmirësisht që nuk dalinë sepse do të prishnin korrrspondencen dhe këtë libër nuk do ta kishim.
Fakti se fjala i frikohet heshtjes dhe e barazon me robërimin këtu nuk vlenë sepse daloguesit nuk e shohin njëri tjetrin dhe se heshtja në këtë mes shkakton pritje shqetësuese që prodhon mëdyshje dilematike se ku duan të dalin korresponduesit. Ata vazhdojnë dialogun tashmë të mekur nga vullkani i fjalëve që frikohen trimërisht.
Libri ka një fund që prekë një fillim të ri duke gjetur “shpjegimin” e të pashpjegueshmes përmes gruas si figurë mitike dhe besnikërisë së saj në raport me burrin.
Muza ikë për ta takuar vehten si Medea e cila ikë me Egjistin në qerren e diellit që t’ia mësojë atij bërjen e fëmijëve pasi që i ka vrarë fëmijët e saj për të dëshmuar tmerrësisht se dashuria nuk preket dhe nuk vlerësohet me asgjë tjetër përveçse me vehten.
Dhe kur nuk jemi të rregullt brenda sa kalojmë në të folme me korrespondencë.
Libri “Korrespondenca” është prej atyre librave që të lexojnë, të gjejnë ku je e ku nuk je. Të thotë shumçka por kryesorja është se të mëson se si vizatohen ndjenjat me fjalë.
Lexojeni “Korrespondenca” e Lutfi Lepajës dhe Haba Xhihanit si një kërkim i shpërthimeve shpirtërore që gufojnë në botën e brendshme të krijuesve…për ta ndriçuar botën e njeriut.
ObserverKult
Lexo edhe:






