
Dje ishte një prej ditëve më të ngjeshura dhe më kuptimplota të Festivalit Ndërkombëtar të Letërsisë “Azem Shkreli” në Pejë. Qyteti u kthye në një hapësirë të gjallë të kujtesës, krijimtarisë dhe bashkëbisedimit poetik, ku fjala e shkruar u nderua në shumë forma dhe dimensione.
Në Kompleksin e Mullirit të Haxhi Zekës, promovuan veprat e Azem Shkrelit. Anton Nikë Berisha, Nazmi Rrahmani dhe Sali Bashota sollën analiza të thelluara, duke e konsideruar Shkrelin si poet që i dha letërsisë shqipe një horizont të gjerë artistik e filozofik.
Pasdite, në Qendrën Rinore Peja, u mbajt punëtoria e shkrimit kreativ. Të rinjtë, të etur për t’u ballafaquar me artin e fjalës, sollën krijimet e tyre dhe patën mundësi të diskutojnë mbi mënyrat e të shkruarit.
Ngjarja qendrore u zhvillua në Amfiteatrin e Shkollës së Muzikës “Halit Kasapolli”, ku u mbajt Ora Poetike . Në skenë u ngjitën poetë të njohur si Donika Dabishevci, Rita Petro, Halil Matoshi, Nikollë Berishaj, Lulzim Haziri, Violeta Tancheva-Zlateva, Istvan Turczi, Barbu Constantin, të cilët lexuan poezi që morën vëmendjen e publikut.
Momenti kulmor i festivalit ishte ndarja e Çmimit “Azem Shkreli”. Juria e përbërë nga Ali Aliu, Donika Dabishevci dhe Din Kelmendi shpalli fitues Sabri Hamitin, duke e nderuar me Çmimin e Madh të Poezisë, të cilin ia ndau kryetari i Pejës, Gazmend Muhaxheri. Ky vlerësim u prit me respekt dhe duartrokitje, duke dëshmuar se poezia e Hamitit mbetet një nga shtyllat më të forta të letërsisë sonë.
Sabri Hamiti është një nga figurat më të spikatura të kulturës dhe letërsisë shqipe, i njohur si studiues, poet dhe mendimtar që ka lënë gjurmë të thella në letërsi, kritikë dhe histori letrare. Me veprën e tij të gjerë, ai ka ngritur standarde të reja në studimet albanologjike dhe ka kontribuar në pasurimin e letërsisë sonë me analiza të thella teorike e krijime të fuqishme poetike.
Në vazhdim, në Amfiteatrin e Shkollës së Artit “Odhise Paskali” u shfaq një film, shoqëruar me diskutim. Ky aktivitet krijoi një ndërthurje të bukur mes letërsisë dhe kinemasë, ku fjala e shkruar mori trajta të reja përmes imazhit filmik.
Festivali Ndërkombëtar i Letërsisë “Azem Shkreli”, organizuar nga Komuna e Pejës është një nga ngjarjet më të rëndësishme kulturore në hapësirën shqiptare, që mbledh poetë, shkrimtarë, studiues dhe artdashës nga vendi e bota.
Ai krijon një urë të gjallë mes brezave dhe kulturave, duke e kthyer poezinë dhe fjalën e shkruar në një festë të hapur për të gjithë.
Përmes orëve poetike, diskutimeve, punëtorive dhe aktiviteteve artistike, festivali jo vetëm nderon kujtimin e Azem Shkrelit, por edhe vendos standarde të reja në afirmimin e letërsisë shqipe në skenën ndërkombëtare.
ObserverKult


Lexo edhe:






