
Kompozitorë, artistë, përfaqësues të medias dhe dashamirës të muzikës festuan në Teatrin Kombëtar të Operës, Baletit dhe Ansamblit Popullor në Tiranë përmbylljen me sukses të Konkursit Kombëtar të Krijimtarisë Muzikore “Tish Daija” dhe çeljen e festivalit “Netët e Muzikës Shqiptare”.
Ministri i Turizmit, Kulturës dhe Sportit, Blendi Gonxhja, përcolli në rrjetet sociale pamje nga kjo mbrëmje e veçantë, e mbushur me diskutime, vlerësime dhe emocione, e cila dëshmoi potencialin e krijimtarisë muzikore shqiptare dhe rëndësinë e mbështetjes së talenteve të reja.
Konkursi Kombëtar i Krijimtarisë Muzikore “Tish Daija” solli 28 vepra fituese dhe 23 kompozitorë, si dhe çeljen e festivalit që i jep zë krijimtarisë muzikore shqiptare përmes Fondit të Krijimtarisë.
“Përmes këtij konkursi dhe festivalit ‘Netët e Muzikës Shqiptare’, synojmë që krijimtaria e re të mos mbetet vetëm në partitura, por të marrë jetë në skenë, të interpretohet dhe të bëhet pjesë e repertorit muzikor shqiptar”, u shpreh ministri Gonxhja.
Fondi i Krijimtarisë është një instrument konkret i Ministrisë së Turizmit, Kulturës dhe Sportit dhe institucioneve artistike në mbështetje të artistëve, duke krijuar mundësi për zhvillimin e ideve të reja, realizimin e veprave origjinale dhe prezantimin e tyre përpara publikut.
ObserverKult
Lexo edhe:
Fejzullah Krasniqi zgjidhet kryetar i Akademisë së Shkencave dhe të Arteve të Kosovës






