Një dritare e re kulturore/ Hapet kanali “Luaj derën”

Hapësira mediatike në gjuhën shqipe është pasuruar me një platformë të re informuese dhe kulturore. Bëhet fjalë për kanalin “Luaj derën”, i cili ka startuar para një jave në YouTube dhe udhëhiqet nga gazetarët Xhemazije Rizvani dhe Fitim Marovci.

Ky kanal synon të sjellë në fokus tema të cilat rrallëherë trajtohen në median tradicionale, me theks të veçantë në arsimin, kulturën, artin dhe çështjet shoqërore që lidhen me jetën e përditshme të qytetarëve.

Përmes reportazheve, kronikave nga terreni dhe intervistave, “Luaj derën” premton një qasje ndryshe ndaj informacionit, duke vënë përmbajtjen mbi sensacionalizmin.

Në një realitet mediatik ku vëmendja shpesh përqendrohet tek lajmet e shpejta dhe temat me karakter komercial, ky kanal përpiqet të rikthejë vlerën e përmbajtjes kulturore e arsimore, duke i dhënë hapësirë mendimit qytetar dhe projekteve që ndikojnë në komunitet.

“Luaj derën” synon të krijojë bashkëpunime me institucione arsimore dhe kulturore, festivale kombëtare e lokale, shtëpi kulture, si dhe me individë që zhvillojnë iniciativa me vlerë për shoqërinë.

Qëllimi i platformës është që çdo ngjarje, sado e vogël, të mos kalojë në heshtje, por të dokumentohet dhe të kthehet në reflektim apo debat me vlerë publike.

Me këtë qasje, kanali po ndërton një identitet unik në peizazhin mediatik: një derë e hapur për artin, letërsinë, muzikën dhe diskutimin e lirë.

“Luaj derën” është tashmë i qasshëm në YouTube dhe synon që hap pas hapi të bëhet një pikëtakim i rëndësishëm për ata që kërkojnë më shumë thellësi në informacion dhe përmbajtje me vlerë.

Bëni subscribe ketu: https://youtube.com/@xhemazijerizvani?si=NWqUp56LZD6Mk6Xm 

ObserverKult