Fjala si arketip i rezistencës: Gandhi dhe Ukshin Hoti në poezinë “Misteri i tuebâmjes” të Halil Matoshit

Sarë Gjergji


Nga: Sarë Gjergji

Poezia “Misteri i tuebâmjes” ndërton një hark të gjerë historik, filozofik dhe poetik, duke lidhur figurat e mëdha të lirisë si Mahatma Gandhi dhe Ukshin Hoti në një vizion të përbashkët të sakrificës, magjisë së fjalës dhe qëndresës njerëzore.
Në vargun hyrës, data “8 gusht 1942” dhe përmendja e Gandhit nënvizojnë një moment kulmor të rezistencës paqësore indiane, të interpretuar si “magji” që e bën lirinë parzmore, një mburojë të brendshme shpirtërore. Fjala kthehet në “shpatë”, një figurë që thekson fuqinë krijuese e njëkohësisht shkatërruese të saj: ajo mund të ndalë vdekjen ose të shpëtojë njeriun nga harresa.
Në këtë linjë përfshihet Ukshin Hoti, figura emblemë e Kosovës, i cili përmes fjalës e mendimit politik “gjallë e panë gjithkah tue ecun”. Hoti përfytyrohet si një bir i njëvjeçarit 1943, pra i lindjes së lirisë dhe i sakrificës për të. Këtu poeti vendos një paralele të qëllimshme: sikurse Gandhi e bëri fjalën akt politik universal, ashtu edhe Ukshin Hoti, në vigun mes jetës e vdekjes, e shndërron fjalën në përjetësi.
Poezia është e ndërtuar mbi skena të forta historike: vitet e Luftës së Dytë Botërore, përplasjet e Kosovës në 1999, zhdukja dhe martirizimi i Hotit. Në to, deka paraqitet si “akullnajë”, një metaforë e ftohtësisë së padrejtësisë dhe e ngurtësimit të dhunës në një “rèn tiranik të gjânave”. Poeti shtron një pyetje të dhimbshme: “Kush lypë liri vritet!?”, e cila vë në dyshim vetë logjikën e historisë njerëzore. Por përgjigjja është afirmative: Ukshin Hoti e mposht frikën, duke dëshmuar se fjala jo vetëm që krijon, por edhe bëhet vetë krijim – “Fjala / t’bân!”
Në këtë kuptim, poezia është një himn për fuqinë e fjalës si akt ontologjik dhe politik. Gandhi dhe Ukshin Hoti nuk paraqiten vetëm si individë historikë, por si arketipe të rezistencës morale, të cilët ecin përtej kufirit të jetës e vdekjes. Poezia ndërthur frymën mistike (magjia, fjala-shpatë, ecja përtej vdekjes) me frymën historike (datat, ngjarjet, Kosova), duke ndërtuar një tekst që shfaqet si një elegji dhe njëkohësisht si testament: fjala është e vetmja që nuk shuhet, ajo që “të bân”.

Krejt në fund mund të thuhet se “Misteri i tuebâmjes”është një poezi që flet për përjetësinë e fjalës dhe guximit, duke i bashkuar Gandhi e Ukshin Hotin në një horizont të përbashkët ku liria fitohet jo me armë, por me aktin themelor të të qenit: me fjalën që bëhet jetë, e jetën që bëhet shembull.

————————-

Misteri i tuebâmjes

Më 8 gusht 1942
Mahatma Gandhi u nis dathë
Tue bâmun magji
lirinë parzmore
Guhen shpatë
fjala deftuese e dekes
nuk ia ndali ecjën e gatë
fjala e bâni Ukshin Hotin
të dekun
gjallë e panë gjithkah tue ecun
si njivjeç me 1943
Nepër vigun që ndan dy gjendjet e t’njajtes frymë
Nga ndeshja e shpatave dritësue
Ma i madh se jeta erdh Uka
me na magjepsë me kâmtë ngulun n’berthamën e tokës,
“Bane ose dis” – tha
E tha dhe u bâ!
Njeriu ynë i padukshëm
Kapërceu therrtoren e Kosovës më 1999
në terrin e ndërgjegjes
së anmikut me banue
Pa mburrjën e fituesve
Pa tutën e t’mundunve
Deka e ka pshtjellun
si akullnajë
Simas nji rèni tiranik të gjânave
Kush lypë liri vritet!?
E mujti frikën p’ej Ukit, Uka
Fjala krijon dhe krijohet
Fjala
t’bân!

ObserverKult

Halil Matoshi

Lexo edhe:

UNIVERSI POETIK I HALIL MATOSHIT