
Një vend i vogël për një ëndërr të madhe

Nga Bernard Çobaj
Bota shënon njëqindvjetorin e romanit të pavdekshëm të F. Scott Fitzgerald-it, Getsbi i Madh. Mes faqeve të tij, aty ku shkëlqimi i epokës së xhazit përzihet me ëndrra të thyera e iluzione të mëdha, gjendet një detaj i papritur: Mali i Zi. Një përmendje e mjaftueshme për të dëshmuar se letërsia ka fuqinë të ndërthurë hapësira të largëta dhe të risjellë histori të harruara.
Në kapitullin e katërt, kur Jay Gatsby rrëfen shërbimin e tij gjatë Luftës së Parë Botërore, ai pohon se ishte dekoruar nga të gjitha qeveritë aleate – “përfshirë dhe Malin e Zi, të voglin Mal të Zi, në brigjet e detit Adriatik! Mali i Zi i vogël!” Dhe pastaj nxjerr medaljen: “Orderi di Danilo, Montenegro, Nicholas Rex.”
Një skenë e shkurtër, e heshtur, por e ngarkuar me simbolikë. Për Gatsby-n, ajo është dëshmi besueshmërie; për Fitzgerald-in, ajo përfaqëson qëndrueshmërinë dhe guximin e kombeve të vogla, që me dinjitet ruajnë vendin e tyre në histori.
Në atë fillim shekulli, Mali i Zi ishte perceptuar si një vend i vogël që u kishte mbijetuar furtunave të historisë, që kishte ruajtur pavarësinë përballë Fuqive të Mëdha si një shkëmb që nuk thyhet nga valët. Fitzgerald-i nuk e zgjodhi rastësisht: “Mali i Zi i vogël” mishëronte këmbënguljen e maleve, krenarinë e popullit dhe fisnikërinë e një kombi që refuzonte të shuhej në margjinat e historisë.
Një shekull ka kaluar. Sot Mali i Zi është ndryshe – një vend në NATO, kandidati më i avancuar për Bashkimin Evropian, një zë për paqe dhe fqinjësi të mirë. Por ato fjali të Fitzgerald-it ende kumbojnë, si një jehonë përtej kohës: se shtetet e vogla kanë ëndrra të mëdha dhe ëndrrat e tyre mund të hyjnë në librat më të mëdhenj.

Në botën e Fitzgerald-it, medalja nga Mali i Zi i shtonte peshë rrëfimit të Gatsby-t. Sot, ajo na rikujton se letërsia është kujtesë, se ajo nderon luftërat e kombeve të vogla dhe i bashkon fatet e tyre përtej kohës dhe hapësirës. Mali i Zi, “i vogël buzë Adriatikut,” ende mbart në vetvete ëndrrën e madhe të të qenit pjesë e historisë universale.
Medalja nuk mbeti vetëm në faqe. Ajo u shfaq në ekran – me Robert Redford-in në vitin 1974, me Leonardo DiCaprio-n në vitin 2013. Një medalje e vogël, e shndërruar në ikonë të kulturës popullore. Një vend i vogël, i bërë i pranishëm në sytë e botës.
Sikur kjo të mos mjaftonte, këtë vit shënojmë edhe 120 vjet nga vendosja e marrëdhënieve diplomatike mes Malit të Zi dhe Shteteve të Bashkuara. Që në fillim të shekullit, shtetasit e Malit të Zi ndoqën ëndrrën amerikane në minierat e Minesotës; më pas, diaspora jonë, me mund dhe përkushtim, gdhendi gjurmë në shoqërinë amerikane. Këto histori të përbashkëta rezistence dhe aspirate janë fije që lidhin thellë dy popujt tanë.
Ky përvjetor nuk është vetëm i Fitzgerald-it. Është edhe i yni. Është kujtesë se edhe ne kemi hyrë, qoftë për një çast, në imagjinatën e një shkrimtari që i dha zë shekullit të vet. Është dëshmi se edhe një vend i vogël, mund të lërë një gjurmë të përjetshme.
ObserverKult








