
Dal në udhë e qetë dhe rropullitë e kujtimeve i trazon,
i trembë brushë e vjeshtës me ngjyrat klimtiane.
Ty, t’skicon bash aty ku m’dhurove puthjen,
aty ku pastaj me bane fëmijë, tue m’ledhatu krye e flokë,
aty ku unë si e pabindun
t’i rr’zova andrra e botë.
Dal në udhë e m’ndjek hija jote e krisun prej fjalësh
t’mëdha,
pa esencë,
në fund të fundit,
kush t’don âsht i thjeshtë jo me krye lamsh.
Kush t’don t’merr n’krahë, n’andrra jo për kambësh.
Dal në udhë e m’duhet me luftu me vjeshtën,
me gjethet e saj që japin shpirt,
si unë n’përpëlitjet e mia me t’shpëtue prej vdekjes,
me ngjyrnat e saj që kanë jetë
ma shumë se kangët tona mistike,
se shetitjet e shkurta e t’mallkueme,
me sëmbimin e destinit t’sëmurë.
E para kësaj klimtianeje plot ngjyra e afsh,
plot tokë e univers,
plot amë dashnish të trishta,
e andrrimesh t’pambërrime
Humbet kushdo.
Dorëzohet kushdo.
Mbetet i shtrimë në nji fundnajë gjethesh
të tokëta,
të gjakta
të diellta…
ObserverKult






