
Teatri Kombëtar i Operës, Baletit dhe Ansamblit Popullor të Shqipërisë hapi sezonin operistik me një nga kryeveprat e kompozitorit Xhuzepe Verdi, “La Traviata” e cila këtë herë erdhi nën regjinë dhe kostumografinë e mjeshtrit italian, Hugo De Ana dhe mjeshtërinë muzikore të dirigjentit Francesco Ommassinit.
Në këtë produksion binte në sy edhe prania e solistëve që kishin udhëtuar nga jashtë për t´u bashkuar me artistët shqiptarë. “La Traviata” u ngjit në skenë për 4 netë me radhë nga data 26 shtator deri në 29 shtator 2025.
Biletat për të katërta netët ishin të gjitha të shitura.
Skenografia nga njëra anë dhe koncepti regjisorial i Luca Barachinit në anën tjetër e çoi publikun në Parisin e fundshekullit të 20-të.
Traviata është një nga operat më të interpretuara në botë, por edhe nëse ndonjëherë do të bëhej një sondazh mbi shfaqjen më të dashur nga publiku i gjerë, me siguri kjo operë do të qendronte në krye të parapëlqimeve. Opera kudo gjen suksesin që e ka shoqëruar dhe e shoqëron edhe sot.
Në mesin e adhuruesve të “La Traviatës” janë si spektatorët që vijnë me kërshërinë për të ndjekur produksionin, ashtu edhe ata që vijnë të shohin në skenë artistët e parapëlqyer.
Padyshim mes tyre janë edhe publiku meloman që nuk lë shfaqje pa ndjekur. Kur merr një biletë për të parë “La Traviatën” shumëkush pyet: “Cila është Violeta? “Po Alfredon kush e luan”?
Në katër mbrëmje të kësaj vjeshte në skenë u ngjitën tri soliste në rolin e Violetës.

Nata e pare e shumëpritur e këtij sezoni mori edhe më shumë vëmendje falë një incidenti në skenë që bëri që solistja të mos interpretonte edhe natën përmbyllëse të kësaj shfaqjeje. Por ndërsa jehona e një situate të paparashikueshme qarkullonte ende në media, artistët vijonin punën duke i dhuruar publikut netë të paharrueshme.
Pas sopranos Zuzana Marková që interpretoi në natën e dytë erdhi radha e solistes Nina Muho të dilte para publikut. Sopranoja e dashur për publikun u ngjit në skenë si një Violetë jo vetëm sic ishte programuar në datën 28 shtator por edhe në mbrëmjen pasuese si pasojë e një ndryshimi të detyruar nga kalendari i paracaktuar.

Në rolin e Alfredos si partnerë të Muhos u ngjitën në skenë tenorët Oreste Cosimo dhe Mario Rojas. Bashkë me protagonistët kryesorë në skenë në rolin e Giorgio Germontit u ngjitën baritoni Solen Alla dhe Armando Likaj, solist bariton i TKOBAP-së. Ndërsa njoftonte trupën interpretuese vetë Teatri e cilësonte sopranon Nina Muho, “si një zë dhe interpretuese bindëse për një repertor të gjerë operistik”.
Trupa e produksionit që erdhi në Shqipëri ishte po ai produksion ku sopranoja Muho kishte bashkëpunuar si soliste në Operën Kombëtare të Zagrebit me po te njejtin rol.
Me ndjesinë që të jep ngrohtësia e një bashkëpunimi të suksesshëm sopranoja Muho shprehej: “Jam e lumtur që e interpretoj këtë produksion në shtëpinë time në TKOB” ndërsa vijonte se për herë të parë këtë produksion e ka interpretuar në Zagreb.
Nina Muho e ka interpretuar rolin e Violetës thuajse 17 herë, nga të cilat disa herë në TKOB dhe shumë herë në skena ndërkombëtare si në Operën e Kaljarit, në Teatrin “Xhuzepe Verdi” të Triestes, në Operën e Mariborit në Slloveni, në Operën Kombëtare të Zagrebit etj.

Ajo ka interpretuar edhe natën e ndërrimit të viteve kur me trupën e Teatrit ‘Verdi’ të Triestes interpretonte pikërisht Violeta Valerinë dhe ‘La Traviatën’. Këtë shfaqje pati mundësinë ta ndiqte edhe publiku i gjerë falë transmetimit të drejtpërdrejtë përmes ekranit televiziv italian.
Këtë vit në Tiranë, për dy net rresht, gjatë dy shfaqjeve të ” La Traviatës” Violeta Valeri e Nina Muhos bëri të ëndërrojnë e të vuajnë bashkë me të dramën e dashurisë, ashtu si në Parisin e largët, një publik i tërë, që nuk rreshti së duartrokituri me zjarr e së brohorituri zëshëm. Dirigjenti Ommassini thote se ajo posedon nje instrument të pasur, të perdorshem për repertor te gjerë dhe me kolorit të veçantë duke shtuar se në interpretimin e Violetës ajo ka treguar përgatitje, profesionalizem, personalitet, grint dhe pasion italian të cilin e ka vlerësuar shumë!
ObserverKult






