
Shënime për librat e lexuar
Nga Gazmend Krasniqi
Leon Lekaj është artist shumëplanësh. Është poet, muzikant, biograf….dhe romancier. Ai nuk jeton në Shqipëri, prandaj nuk është pjesë e vorbullës letrare të Tiranës së sotme dhe mund të mos i njohur nga të gjithë. Me sa duket, kësaj largësie i duhet marrë ana e mirë, pasi ai punon e krijon në qetësinë që i duhet. E kam çmuar gjithmonë si poet “që ka hyrë nga dera e duhur”, por vjen momenti për të kujtuar edhe paraqitjen e tij me një roman, që titullohet “Murana”, ku ai reflekton përsëri dashurinë e madhe për fjalën dhe letrat.
Në këtë roman, përmes një ngarkese psikologjike, që luhatet mes vizioneve të vdekjes dhe një realiteti politik të zymtë, ndërtohet një atmosferë e errët, e rëndë, e mbushur me simbolikë, ku ndjesia e misterit dhe rrezikut është e pranishme në çdo fjali. Fragmentet jo-lineare në kohë dhe hapësirë, duke krijuar një ndjesi enigmatike dhe shpesh hutuese për lexuesin, janë një teknikë efektive për të ruajtur tensionin dhe për të ndërtuar shtresëzimin e misterit.
Ndryshimi i shpejtë i skenave bëhet përmes një rrëfimi shumëplanësh, me monologë të brendshëm dhe ndërlidhje të forta simbolike dhe romani vetë bëhet një alegori politike dhe ekzistenciale, oruelliane dhe kafkiane, me elementë të thrillerit. Ai u flet lexuesve që kërkojnë më shumë sesa thjesht argëtim: atyre që duan të zbulojnë të vërtetën përtej fasadës, të lexojnë mes rreshtave dhe të ndjejnë frikën e njeriut përballë një bote që e përgjon pa mëshirë.
Stili i këtij romani është, qëllimshëm, i errët, me ngjyrim gotik dhe ekspresionist. Ky stil introspektiv është jo vetëm rrëfim i ngjarjeve, por edhe eksplorim i ndërgjegjes njerëzore. Shkrimi është akt reflektimi, jo vetëm i ndodhive të jashtme, por edhe i proceseve të brendshme mendore, psikologjike e shpirtërore të personazheve të krijuara, që shkrimtari i njeh mirë.
Kështu, Murana nuk është thjesht një vend imagjinar: është mikrokozmos i një shoqërie të përgjuar, të frikësuar, të deformuar nga pushteti – një mësim i madh dhe i prekshëm i historisë sonë të afërt, të cilën Leoni përpiqet ta rrojë me të gjithë forcën dhe ta bëjë qëllim të romanit të tij, por të përcjellë me art.
ObserverKult
Lexo edhe:






