
Në kuadër të Javës së Gjuhës Italiane, organizuar nga Instituti i Gjuhës dhe Kulturës Italiane i Universitetit të Prishtinës, sot në Bibliotekën Kombëtare të Kosovës u mbajt një ngjarje e veçantë poetike, me titullin simbolik “Dy zëra, një poezi”.
Në një udhëtim estetik përmes vargjeve, dy poetet, Denata Ndreca, që vjen nga Firenze dhe Donika Dabishevci, nga Kosova krijuan një dialog poetik në dy gjuhë, shqip dhe italisht.

Në diskutimin që pasoi, poetet ndanë përvojat e tyre mbi mënyrat sesi gjuha manipulohet artistikisht, si ndjehet një poete që jeton mes dy sistemeve gjuhësore, dhe çfarë humb e çfarë fiton poezia kur kalon nga një gjuhë në tjetrën. U prek edhe çështja e ndërlikuar e pranisë së letërsisë shqipe në kontekstin botëror, një realitet ende i vështirë për t’u kapërcyer.
Në këtë kontekst, Denata Ndreca prezantoi librin e saj më të ri “In quale lingua devo morire” (Në cilën gjuhë duhet të vdes), ku pyetja për gjuhën bëhet pyetje për identitetin dhe ekzistencën.
Ndërkohë, poezitë e Donika Dabishevcit, të përkthyera në italisht nga poeti dhe përkthyesi Gëzim Hajdari, shkëputur nga libri “La tua robinja” , u lexuan nga studentët e Fakultetit të Filologjisë.
Ngjarja u moderua me përkushtim nga Majlinda Bregasi, shkrimtare dhe profesoreshë e gjuhës italiane.
ObserverKult






